2009-03-24 16:43:54

“Në vargoj për Krishtin, të lirë për të dashur”: është tema e Ditës së lutjes për misionarët martirë.


(24.03.2009 RV)RealAudioMP3 16 meshtarë, një kryeipeshkëv, një rregulltar e dy laikë: është bilanci i trishtuar i veprimtarëve pastoralë, që gjatë vitit 2008, e kanë dëshmuar Ungjillin duke ofruar jetën e tyre. Sot është Dita e lutjes dhe agjërimit për misionarët martirë, e cila bie në përvjetorin e vrasjes së kryeipeshkvit të San Salvadorit, Oskar Arnulfo Romero, më 24 mars 1980, gjatë kremtimit të Eukaristisë. Kisha italiane organizoi një sërë aktivitetesh rreth temës “Në vargoj për Krishtin, të lirë për të dashur”. Në vitin kushtuar Shën Palit, kjo temë sjell ndërmend vuajtjen e Apostullit të Popujve gjatë burgosjes së tij në Romë. Të dëgjojmë Roko Negrin, përgjegjës i Lëvizjes rinore misionare të Veprave Papnore Misionare:
“Misionarët martirë nuk janë larg jetës së përditshme, por thjesht dëgjuan zërat që vinin nga territori i tyre e sfidat e tij dhe dëshmuan aty Krishtin. Sigurisht, nuk është e thjeshtë, por ia dolën mbanë, prandaj edhe ne duhet të dëgjojmë se ç’vjen nga vendi ku jetojmë e të jemi të krishterë gjithmonë, në kishë, por sidomos në jetën e përditshme, jashtë kishës. Duhet t’u japim sfidave e provokimeve që vijnë nga bota, një përgjigje të bazuar në Ungjill”.
Ofertat e mbledhura gjatë kremtimeve të sotme në Itali do të shkojnë për motrat brinjoline të shtetit indian të Keralas. Do të financojnë një projekt për vajzat me të meta fizike, të braktisura nga familjet.
Në këtë ditë, nuk mund të mos kujtojmë edhe martirët shqiptarë, sidomos ata të kohës së komunizmit, që dhanë jetën me emrin e Zotit në gojë. Për 40 prej tyre ka filluar në vitin 2002 procesi dioqezan i lumnimit. Shpresojmë që së shpejti, ky proces të përfundojë, në mënyrë që të bëhet hapi i mëtejshëm drejt njohjes së tyre nga Kisha universale, ai i dërgimit të dokumentave në Vatikan. Emrat mund t’i gjeni në faqen tonë të internetit www.radiovaticana.org, duke klikuar në pjesën e gjuhës shqipe.








All the contents on this site are copyrighted ©.