2009-03-23 18:26:01

Përkujtojmë 7 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes Vatikan-Shqipëri


(23.03.2009 RV)Si sot, më 23 mars 2002, në Tiranë u nënshkrua "Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve reciproke". Për Selinë e Shenjtë nënshkroi Shkëlqesia e Tij, Imzot Giovanni Bulaitis, Nunc Apostolik në Shqipëri, ndërsa për Republikën e Shqipërisë, kryeministri, Zoti Pandeli Majko.
Përfaqësuesi papnor shoqërohej nga Shkëlqesia e Tij, Imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv i Durrës-Tiranës dhe zëvendës-kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë si dhe nga Imzot Ambroz Madtha, Këshilltar i Nunciaturës Apostolike në Shqipëri. Qeverinë e Shqipërisë, përveç Kryeministrit Majko, e përfaqësonin edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Zonja Arta Dade dhe autoritete të tjera qeveritare.
Shkelqësia e Tij, Imzot Bulaitis, shprehu kënaqësinë e Selisë së Shenjtë dhe të Kishës vendase për nënshkrimin e marrëveshjes e cila, në rrethanat e sotme të historisë së Shqipërisë, mund të konsiderohet pa dyshim si një ngjarje me rëndësi të madhe historike.
Nga ana e tij, Kryeministri Majko falënderoi Selinë e Shenjtë dhe Kishën katolike në Shqipëri për kontributin e madh që i jep popullit dhe uroi që kjo marrëveshje të fuqizojë më tutje lidhjet ndërmjet Shqipërisë e Selisë së Shenjtë.
Kjo marrëveshje, pas një polemike të ndezur në parlamentin shqiptar u ratifikua më 23 maj me 91 vota pro, dy abstenime dhe asnjë kundra, ndërsa të gjithë deputetët ishin të pranishëm në sallë.







All the contents on this site are copyrighted ©.