2009-03-23 18:06:47

Përfundoi udhëtimi i Papës Benedikti XVI në Afrikë. Për t’i dhënë shpresë kontinentit, sfida e parë është solidariteti, theksoi Ati i Shenjtë.


(23.03.2009 RV)RealAudioMP3 Udhëtimi i Papës Benedikti XVI në Afrikë përfundoi. Sot paradite, ceremonia e lamtumirës në aeroportin e Luandës në Angolë. Ati i Shenjtë tha se gjeti një Kishë të gjallë, pavarësisht nga vështirësitë, që vazhdon të shpallë se ka ardhur koha e shpresës. Papa bëri një thirrje të re që përgjegjësit e politikës të punojnë për të realizuar aspiratat e drejta të popullsive afrikane për paqe, ushqim e strehim. Në këtë kuptim, theksoi Benedikti XVI, “sfida e parë që duhet përballuar është solidariteti”. Në orën 18.00 të ditës së sotme, Papa mbërriti në aeroportin romak të Çampinos. Informacion i të dërguarit të Radio Vatikanit në Luanda, Davide Dionizi:
I trishtuar se po largohej nga toka afrikane, por i kënaqur, pasi njohu një popull të guximshëm dhe të vendosur për të rilindur. Në ceremoninë e lamtumirës, në aeroportin ndërkombëtar 4 de Fevereiro të Luandës, Benedikti XVI shprehu kështu, sot paradite, mirënjohjen dhe dashurinë e tij për popullin agolan. Entuziazmi dhe ngrohtësia që karakterizuan tri ditët e qëndrimit në kryeqytet lanë shenjë, e përgjigjia e Papës nuk vonoi. Duke bërë bilancin e etapës së dytë të udhëtimit të njëmbëdhjetë apostolik ndërkombëtar, Papa vuri theksin mbi efikasitetin e rolin e Kishës lokale, pavarësisht nga vështirësitë e pengesat tipike të një vendi, që del nga vite lufte civile:
“Estou grato a Deus por ter encontrado…
Falenderoj Zotin, që gjeta një Kishë të gjallë e, pavarësisht nga vështirësitë, plot entuziazëm, që ka ditur të marrë mbi shpatulla kryqin e vet e të të tjerëve, duke dëshmuar para të gjithëve forcën shpëtimprurëse të mesazhit ungjillor. Ajo vazhdon të shpallë se mbërriti koha e shpresës, duke u impenjuar në paqtimin e shpirtrave e duke promovuar atë bamirësi vëllazërore, që mirëpret të gjithë, në respektin e ideve dhe të ndjenjave të secilit”.
Para se të largohej nga Luanda e të përshëndeste popullin angolan, Ati i Shenjtë i drejtoi edhe një thirrje tjetër presidentit të Republikës, Hosé Eduardo Dos Santos, si edhe autoriteteve politike e civile të pranishme, që të punojnë për të mirën e përbashkët e për të mbështetur personat në vështirësi. Papa u tregoi rrugën e vetme, që mund t’u japë përgjigje konkrete vëllezërve nevojtarë: atë të solidaritetit:
“Se me permitissem um apelo final…
Nëse më lejohet të drejtoj këtu një thirrje të fundit, do të doja të kërkoja që përmbushja e drejtë e aspiratave themelore të popullsive më nevojtare të përbëjë shqetësimin kryesor të atyre që zënë poste publike, pasi qëllimi i tyre – jam i sigurtë – është ai i realizimit të një misioni të marrë përsipër jo për vete, por për të mirën e përbashkët. Zemra jonë nuk mund të ketë paqe përderisa vëllezërit tanë të vuajnë për mungesë ushqimi, pune, shtëpie ose të mirash të tjera themelore. Për t’u dhënë përgjigje konkrete këtyre vëllezërve, sfida e parë që duhet fituar është ajo e solidaritetit: solidaritet ndërmjet brezave, solidaritet ndërmjet kombeve e kontinenteve, nga i cili të burojë një ndarje gjithnjë e më e barabartë e pasurive të tokës ndërmjet të gjithë njerëzve”.
Një mesazh përfundimtar, ky i Papës, që i drejtohet jo vetëm Angolës, por krejt kontinentit afrikan, edhe duke pasur parasysh Asamblenë II të Veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve, kushtuar këtij kontinenti. Një mesazh shprese edhe për ata që akoma vuajnë për shkak të luftrave e diskriminimeve:
“Agora peço a Deus que faça sentir…
I lutem tani Zotit që të ndihet mbrojtja dhe ndihma e tij për refugjatët e personat e panumërt jashtë atdheut, që enden në pritje të kithimit në shtëpi”.
Benedikti XVI i bëri thirrje në fund popullit angolan që të ketë besim në forcat e veta e të vazhdojë të punojë për të realizuar qytetërimin e dashurisë, përmes rrugës së faljes e të dialogut vëllazëror. Prerogativa, këto, të dobishme për të favorizuar paqen dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve, mbi bazën e besnikërisë e të barazisë:
“Irmãos e amigos de África…
Vëllezër e miq të Afrikës, të dashur angolanë, guxim! Mos u lodhni së nxituri paqen, duke bërë gjeste faljeje e duke punuar për pajtimin kombëtar, që kurrë dhuna të mos ngadhnjejë mbi dialogun, frika e shkurajimi mbi besimin, mllefi mbi dashurinë vëllazërore. Zoti bekoftë Angolën!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.