2009-03-23 18:19:58

Lamtumira e fundit për stigmatinen Gjorgjina Bulgareci, mbijetuar persekutimit komunist


(23.03.2009 RV)RealAudioMP3 Një grua e vogël, disi rrumbullake, qëndronte gjithnjë në radhën e parë të bankave të Kishës së Shna Ndout në Tiranë, duke thënë Rruzaren e Shenjtë para meshës e pastaj duke i ndihmuar besimtarët të ndiqnin kremtimin e atë Zef Pllumit, françeskan i sapodalë nga vite burgjesh e pune të detyruar. Ishte aty rrotull vitit 1992 e ajo grua ishte motra stigmatine, Gjorgjina Bulgarci, e njohur dhe e dashur nga të gjithë katolikët e Tiranës, të cilët mundnin tani t’i drejtonin me plot gojën Zotit, lutjet që më parë i kishin thënë në fshehtësinë e eltereve të zemrës së tyre. Sapo ishin rihapur kishat, pas persekutimit të egër komunist e ajo që u akuzua si “ndërlidhësja e Vatikanit”, fatmirësisht, bënte pjesë ndër të mbijetuarit. Asaj iu drejtuan katolikët që e njihnin, por edhe të rinjtë, për një fjalë ngushëlluese, për një lutje, apo thjesht për ta njohur ortodoksen nga Korça, që u kthye në fenë katolike e madje u bë murgeshë stigmatine. Kjo motër ndërroi jetë më 21 mars, në orën 21. Sot, bashkësia katolike e Shkodrës i dha lamtumirën e fundit. Na njofton Jolanda Baba RealAudioMP3


Kujtojmë se bashkësia e stigmatineve në Shqipëri ka sot 15 motra të kushteve të përjetshme, 9 janë shqiptare, 5 italiane, 1 spanjolle, 5 novicje, 10 juniore, 8 aspirante. Përveç qendrës në Shkodër stigmatinet janë të pranishme në fshatrat: Nënshat, Hajmel, Pistull, Dajç dhe Shirokë.







All the contents on this site are copyrighted ©.