2009-03-23 18:12:55

Koment i atë Federiko Lombardit mbi Shtegtimin XI Apostolik të Benediktit XVI


(23.03.2009 RV)RealAudioMP3 Në shenjën e shpresës, pra, edhe ky udhëtim XI i Papës Benedikti XVI, që për herë të parë e çoi Atin e Shenjtë në tokën afrikane, në Kamerun e Angola. Të dëgjojmë tani, komentin e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit e njëkohësisht drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi:
Mikpritja për këtë udhëtim të parë të Benediktit XVI në Afrikë ka qenë e shkëlqyer, ka qenë e madhe në të dyja vendet, dhe Papa u kënaq shumë e mori guxim. Papa përballoi temat e mëdha të realitetit të sotëm afrikan: temën e pajtimit, të paqes, të rindërtimit, të ndërtimit të demokracisë së vërtetë, të respektimit të të drejtave të njeriut, të rrugëve për një zhvillim e përparim të vërtetë, të solidaritetit ndërkombëtar me marrëdhëniet tregtare e politike, që duhet të ndihmojnë zhvillimin, të frymëzohen nga barazia, drejtësia e ndershmëria, që nuk duhet të ushqejnë interesat e veçanta apo korrupsionin.
Ç’lloj trashëgimie lë në Afrikë Benedikti XVI? Cili është mesazhi i tij?
Papa lë një mesazh shprese të madhe. Iu drejtuar forcave të gjalla të Kishës e forcave nga të cilat varet edhe e ardhmja e Kishës, e do të thosha, edhe ajo e popullsisë afrikane në përgjithësi. Në këtë kuptim, kanë qenë domethënëse takimet e veçanta dhe mesazhet për të rinjtë e gratë. Madje takimi me gratë m’u duk diçka edhe më e veçantë e këtij udhëtimi të Benediktit XVI, për t’u vënë veçanërisht në dukje. Ishte një intuitë e thellë dhe e rëndësishme ajo e vlerësimit të gruas, në shoqëri e në Kishë, duke i njohur rolin qendror për zhvillimin e krejt kontinentit.
Papa Racinger u bëri thirrje afrikanëve të marrin në dorë fatin e tyre…
Reflektoja pikërisht këto ditë mbi faktin se Kisha ka një vizion integral të zhvillimit njerëzor e shpirtëror, që është karakteristikë e saj, që është një pikëpamje mbi zvillimin, bazuar në respektin e jashtëzakonshëm e në besimin e madh tek njeriu, në besimin në dinjitetin e në mundësitë e tij. Ajo e vë theksin pikërisht në vlerësimin e personit, të çdo personi, në përgjegjësitë e në aftësitë e tij. Prej këndej, më pas ndërton një shoqëri të drejtë, të harmonishme, të aftë edhe për të vlerësuar burimet natyrore që i janë dhënë, traditat, kontributet kulturore. Më duket një këndvështrim krejt i ndryshëm nga ai që shpesh propozohet nga pushtetet e mëdha, politike apo ekonomike, jashtë Afrikës, të cilat shpesh e vënë theksin në kufizimin e lindjeve, edhe me mënyra që nuk e respektojnë natyrën njerëzore, ose në operacionet e mëdha ekonomike e financiare, që vënë në duart e qeveritarëve burime të jashtëzakonshme, të cilat shpesh shpërdorohen nëpër kanalet e korrupsionit.
Një bilanc përfundimtar për këtë eksperiencë të jashtëzakonshme…
Më duket se është arritur kënaqësi e ndërsjelltë. Siç është karakteristikë e tij, edhe në vitet e mëparshme, Papa tha: “Kam ardhur për t’ju inkurajuar e për t’ju dhënë mbështetjen time për problemet tuaja, por jam inkurajuar edhe unë nga dashuria, entuziazmi e nga besimi juaj”. Mendoj se kjo ndodhi me të vërtetë edhe këtu në Afrikë e Papa punoi, kreu shërbimin e vet edhe në mes të të nxehtit të madh, u impenjua deri në fund e më duket se ka dhënë me të vërtetë kontributin e vet, duke pasur kënaqësinë të shohë se u prit mirë e do të sjellë me siguri fryte të mëdha.







All the contents on this site are copyrighted ©.