2009-03-23 18:08:57

Fjalët e Papës Racinger në udhëtim me avion drejt Romës


(23.03.2009 RV)RealAudioMP3 E ishte vetë Papa Benedikti XVI, i cili në avionin që e solli sërish në Romë, bëri me gazetarët një bilanc të shkurtër të udhëtimit të tij, përshkroi atë që e entuziazmoi dhe i bëri më shumë përshtypje në tokën afrikane. Ta dëgjojmë:
“Të dashur miq… Më kanë mbetur në kujtesë sidomos dy përshtypje: nga njëra anë, kjo mirësjellje gati e tepruar, ky gëzim, Afrika në festë, e më duket se tek Papa panë, të themi, personifikimin e faktit se jemi bij e familje e Hyjit. Kjo familje ekziston e ne, me të gjitha kufizimet tona, jemi të kësaj familjeje e Zoti është me ne. Kështu, prania e Papës, të themi, ndihmoi që të ndihej kjo e të kishte me të vërtetë gëzim.
E nga ana tjetër, më ka bërë shumë përshtypje, mënyra e pjesëmarrjes në liturgji, sensi i fortë kishtar: në liturgji nuk paraqiten grupet, apo nuk shoqërohet me këngë e valle si qëllim në vetevete, por është prania e së shenjtes, e vetë Zotit; edhe lëvizjet ishin gjithnjë lëvizje respekti dhe vetëdije për praninë hyjnore. Kjo më bëri përshtypje të madhe.
Pastaj, duhet të them se u preka thellësisht nga fakti se të shtunën mbrëma, në kaosin e formuar para portës së stadiumit, humbën jetën dy vajza. U luta dhe lutem për to. Fatkeqësisht, njëra akoma nuk është identifikuar. Kardinal Bertone e imzot Filoni vizituan nënën e tjetrës, një grua e vejë, guximtare, me pesë fëmijë. E para është ajo që vdiq, ishte katekiste. E ne të gjithë lutemi e shpresojmë që në të ardhmen gjërat të organizohen në mënyrë që kjo të mos ndodhë më.
Më pas, dy kujtime të tjera më kanë mbetur në mend, një kujtim i veçantë – por ka shumë për të thënë – është Qendra Kardinal Léger: më preku zemrën pamja e botës së vuajtjes së shumëfishtë, krejt vuajtja, trishtimi, varfëria e ekzistencës njerëzore, por edhe bashkëpunimi i Kishës me shtetin për të ndihmuar nevojtarët. Nga njëra anë, shteti administron në mënyrë shembullore këtë Qendër të madhe, nga ana tjetër, lëvizjet kishtare e realitetet e Kishës bashkëpunojnë për të ndihmuar me të vërtetë këta njerëz. Më duket se njeriu, duke ndihmuar të vuajturin, bëhet më njeri, bota bëhet më njerëzore: kjo më mbetet e stampuar në kujtesë.
Jo vetëm shpërndamë Instrumentum Laboris për Sinodin, por edhe punuam për Sinodin. Në mbrëmjen e ditës së shën Jozefit u mblodhëm me anëtarët e Këshillit për Sinodin – 12 ipeshkvij – e secili foli për situatën në Kishën e tij lokale, për propozimet, aspiratat, e kështu, m’u krijua ideja e pasurisë së realitetit të Kishës në Afrikë, si lëviz, si vuan, ç’bën, cilat janë shpresat, problemet. Mund të tregoj shumë, për shembull, se Kisha e Afrikës së Jugut, që ka përjetuar një përvojë pajtimi të vështirë, por të suksesshme, ndihmon tani përpjekjen për pajtim në Burundi e përpiqet të bëjë diçka të ngjashme, edhe pse me vështirësi të jashtëzakonshme, në Zimbabve.
E së fundi, dua të falenderoj edhe një herë të gjithë ata që kanë kontribuar për suksesin e këtij udhëtimi: pamë se ç’përgatitje e kishin paraprirë, si kishin bashkëpunuar të gjithë. Dua të falenderoj autoritetet shtetërore, civile, të Kishës e të gjithë personat që kanë bashkëpunuar. Më duket me të vërtetë se fjala “faleminderit” duhet ta përmbyllë këtë aventurë e faleminderit edhe juve gazetarëve, për punën që keni bërë e do të bëni. Udhë të mbarë të gjithëve. Faleminderit!”







All the contents on this site are copyrighted ©.