2009-03-22 18:08:28

Sot pasdite, duke u takuar me lëvizjet katolike për promovimin e gruas, Papa bëri thirrje për mbrojtjen e të drejtave të grave në shoqëri e në familje.


(22.03.2009 RV)RealAudioMP3 Sot pasdite Papa ishte në famullinë së Shëna Ndout. Misioni, besuar etërve kapuçinë, ndodhet në një zonë shumë të populluar, në rrethinat e Luandës. Përfshin Kishën famullitare, një shkollë fillore, që ndiqet nga 2 mijë fëmijë dhe një ambulancë të vogël. Është në ndërtim e sipër edhe shkolla tetëvjeçare.
Këtu Benedikti XVI u takua me lëvizjet katolike për promovimin e gruas. Pasi ndoqi përshëndetjen e imzot Hosé Queiros Alves, kryeipeshkëv i Huambos dhe të dy grave, Ati i Shenjtë i nxiti të gjithë të jenë të vetëdijshëm për kushtet e vështira në të cilat kanë jetuar e vijojnë të jetojnë gratë, duke theksuar me forcë se duhen bërë të gjitha përpjekjet për të mbrojtur dinjitetin e barabartë të gruas me burrin. Të dy janë të thirrur të jetojnë në bashkim të plotë, duke ia dhuruar vetveten njëri-tjetrit, duke punuar krah për krah për të mirën e përgjithshme e duke plotësuar njëri tjetrin, me cilësitë e tyre të veçanta femërore e mashkullore. Në një botë, si kjo e sotmja, në të cilën sundon teknika – pohoi Papa – ndjehet fort nevoja e pranisë së gruas, në se duam që njeriu të jetojë pa e çnjerëzuar gjithçka e rrethon. Mjafton të mendojmë për trojet ku mbretëron varfëria, për zonat e shkatërruara nga lufta, për situatat tragjike, që pasohen nga mërgimi i detyruar ose nga kërkimi i një jete më të mirë në vise të panjohura. Si do të ishte jeta në këto situata, pa praninë e gruas?
Pothuajse gjithnjë janë gratë ato, që e ruajnë të paprekur dinjitetin njerëzor, që mbrojnë familjen e kujdesen për vlerat kulturore e fetare të saj” - pohoi Ati i Shenjtë - e në vijim kujtoi dy gra, që dhanë një kontribut të shquar për Angolën e mbarë Afrikën, duke u bërë shembull për të gjithë: Terezën Gomes e Maria Boninon. E para, angoleze, vdiq në vitin 2004 në qytetin Sumbe, pas një jete bashkëshortore të lume, nga e cila lindën 7 fëmijë. E patundur qe feja e saj e krishterë e i admirueshëm, zelli apostolik, posaçërisht në vitet 1975 e 1976, kur famullia e Zojës së Hireve në Porto Amboim u sulmua nga një propagandë e egër ideologjike e politike, që arriti deri në atë pikë, sa të përpiqej t’i mbyllte dyert e Kishës. Atëherë Tereza u bë prijëse e besimtarëve, që nuk iu nënshtruan kësaj situate, duke mbrojtur me guxim strukturat famullitare e duke shfrytëzuar të gjitha rrugët për ta kthyer rishtas meshtarin në elter, që besimtarët të mos mbeteshin pa gurrën e jetës, Krishtin. Dashuria e saj për Kishën e bëri të punojë pa kursyer asgjë, nën udhëheqjen e meshtarëve.
Ndërsa Maria Bonino, mjeke pediatre italiane, kreu shumë misione në Afrikën e dashur, duke shpëtuar jetën e mijëra fëmijëve të shtruar në spitalin provincial të Uije-së, ku shërbente si drejtuese e repartit pediatrik. E pagoi me jetë ndihmën që u dha afrikanëve gjatë epidemisë së tmerrshme të etheve hemorragjike. Vdiq në Luandë më 24 mars 2005 e këtu pushon në paqe. Si kujtoi kontributin e këtyre dy grave, Papa theksoi:
Gratë, mbi bazën e dinjitetit të tyre, të barabartë me atë të burrave, kanë të drejtë të plotë të marrin pjesë gjallërisht në të gjitha fushat e jetës publike; e drejta e tyre duhet pohuar e mbrojtur edhe me mjete ligjore, atje ku këto janë të nevojshme. Por njohja e veprimtarisë publike të gruas, nuk duhet ta zbehë rolin e pazëvendësueshëm në gjirin e familjes, ku prania e saj ka vlerë të pallogaritshme”.
Gruaja ka të drejë të trajtohet me vëmendje në familje, ka të drejtë t’i plotësohen nevojat materiale e shpirtërore, duke e pasur mirë parasysh se prania e nënës në gjirin e familjes është tepër e rëndësishme për qëndrueshmërinë dhe rritjen e kësaj qelize themelore të shoqërisë. E kjo prani duhet njohur, duhet lavdëruar e duhet mbrojtur me të gjitha mënyrat. Pikërisht për këtë arsye, shoqëria duhet t’u kujtojë bashkëshortëve e etërve se kanë përgjegjësi ndaj familjeve të tyre – nënvizoi Papa – e në vijim u ndalua tek roli i familjes dhe vlera e pjesëmarrjes së saj në një familje më të madhe, që është Kisha:
Të dashura familje – tha Ati i Shenjtë – ju sigurisht e kuptoni se asnjë çift nuk mund t’i edukojë fëmijët, t’u mësojë dashurinë për jetën e t’i përgatisë për ta kuptuar atë pa ndihmën e askujt. Ka nevojë të ndihmohet nga një autoritet më i lartë. E besimtarët e dinë mirë se ky autoritet i lartë i është dhënë familjes më të madhe, që Zoti e krijoi në historinë e njerëzve përmes Birit të tij, Jezusit e dhuratës së Shpirtit Shenjt, dmth Kishës. Ndërtimi i çdo familjeje të krishterë realizohet në gjirin e kësaj familjeje më të madhe, në gjirin e Kishës, e cila e ndihmon dhe e shtrëngon në kraharor, që mbi krye të saj të jetë, sot e përgjithmonë, dora e Krijuesit. Kështu u shpreh Papa, duke e përfunduar takimin me një urim:
“Uroj që Zoja e Muksimës të jetë ylli i jetës suaj: t’ju ruajë e t’ju mbajë të bashkuar në familjen e madhe të Hyjit”.
Në përfundim dy gra i dhuruan Benediktit XVI punëdore karakteristike të vendit.
Ishte ky takimi i fundit i madh i Papës me afrikanët e Angolës. Nesër, ceremonia e lamtumirës dhe kthimi nga Luanda në Romë e në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.