2009-03-22 17:33:29

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar.


(22.03.2009 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e 4-të të Krezhmëve. Përkujtoi edhe Shën Lean, vejushë romake dhe Shën Palin, ipeshkëv i Narbonës.

Të hënën do të kremtohet Shën Turibi nga Mogrovejo, ipeshkëv i Limës. Na fton të brohorasim, bashkë me Psalmistin: “Të lartoj, o Zot, sepse më lartove!”. E liturgjia e festës na nxit të meditojmë mbi faqen ungjillore, për të na kujtuar se Jezusi e dëgjon lutjen e funksionarit, sepse zemra e tij ishte e sinqertë e feja e tij, e pastër.

Sëmundja e vërtetë, nga e cila na shëron Jezusi, është mëkati, që na sjell vdekjen. E rrënja e mëkatit është egoizmi i njeriut, që do vetëm vetveten, që i jep të drejtë vetëm vetvetes, që nuk pranon asnjeri mbi vetveten. Këtë na kujton, të martën, festa liturgjike e Shën Katarinës së Suedisë, virgjër, bijë e Shën Brixhidës.

“Ja ku jam o Zot! U bëftë mbi mua vullneti yt”. Pohimi i Marisë para Engjëllit lajmëtar na fton edhe ne t’i themi ‘po’ Hyjit e t’ia hapim zemrën, që të banojë në shpirtin tonë e të kryejë veprat e tij në të. Maria nuk është vetëm Nëna e Jezusit, por edhe model për çdo besimtar. Këtë na kujton liturgjia e së mërkurës, kur Kisha do të përkujtojë Lajmërimin e Zotit, që njihet edhe si festa e Zojës Nuncjatë.
Do të përkujtohen edhe Shën Hajduti i Mirë, Shën Kuirini martir e Shën Luçia Filipini, virgjër, themeluese e Mësueseve të përshpirtshme Filipini.

Të enjten, në festën e Shën Kastulit e të Shën Teodorit, liturgjia na fton ta lexojmë vazhdimisht Shkrimin Shenjt, sepse ky lexim na ndihmon t’ia hapim zemrat frymës së re, që buron nga Fjala e Zotit: kjo është mënyra më e mirë për të shpëtuar nga çdo shfaqje e hipokrizisë, që e largon njeriun nga Zoti e për t’u rikthyer me zemër të pastër tek Hyji.

Ta zhdukësh të drejtin, sepse të shqetëson: kjo është mënyra e përdorur nga i padrejti, për të shuar zërin, që s’i duron maskat e i flak tutje, duke nxjerrë në dritën e diellit fytyrat e vërteta të hipokritëve. Por nuk duhet harruar se Zoti e përdor këtë zë, që t’i ftojë mëkatarët të rikthehen tek Ai. Ky është meditimi i së premtes, ditëfeste e Shën Aleksandrit dhe Shën Ruperit, ipeshkëv i Salcburgut.

Të shtunën Kisha do të përkujtojë Shën Kastorin martir dhe Shën Lindën, që na kujtojnë se Fjala e Jezusit të magjeps me pushtetin e saj: kush e pranon e shndërrohet prej Tij, nuk mund të mos e njohë si Mjeshtër e Zot e të mos e ndjekë pas, duke marrë mbi supe kryqin e vet.

E diela e ardhshme është e pesta e Krezhmëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.