2009-03-22 17:35:08

Regjistri i françeskanëve: zbulohet dorëshkrimi i rrallë i 1720-tës.


(22.03.2009 RV)Nën këtë titull, me të cilin përpiqet të ngjallë kureshtjen e lexuesit, Gazeta Shqiptare botoi këto ditë një shkrim të Atë Viktor Demës, françeskan i ri shqiptar, shumë i interesuar për të nxjerrë në dritë thesaret e paraardhësve të tij të lumnueshëm, që hodhën themelet e kulturës shqiptare në të gjitha fushat. Pikërisht me mohimin e këtij kontributi lidhet edhe titulli i shkrimit, që na nxit të bëjmë menjëherë pyetjen: “Ku ishte fshehur regjistri i rrallë e pse?”. Regjistri nuk del nga ndonjë piramidë faraonike e nuk është gjetur në rrethana të jashtëzakonshme. U grabit gjatë bastisjeve në Kuvendin françekan të Gjuhadolit, në Shkodër, në vitin 1945 e, prej aty, u burgos në Arkivin e Shtetit, së bashku me pasuri të tjera të kulturës shqiptare, të marra nga arkivet e bibliotekat e urdhërave fetare të pranishme në Shqipëri. Duhet falënderuar njeriu, të cilit nuk ia dimë emrin, që e ruajti e zonja Nevila Nika, drejtore aktuale e Arkivit, që i siguroi, si lëmoshë, françeskanëve, gjithnjë të vobektë e gjithnjë lëmoshtarë për bukë, kulturë e dije, një fotokopje të këtij regjistri, i cili u përket françeskanëve që nga viti i largët 1720. Dokumenti, me titull “Registro della Provinzia Oss.(vante) Albania 1720”, është shkruar nga Atë Lorenco Maria di Santa Kroçe, delegat i përgjithshëm i Urdhërit, i dërguar për të ndihmuar françeskanët shqiptarë, të cilët po kalonin kohë tejet të vështira, për shak të pushtimit osman. Në 120 faqe autori përshkruan me hollësi historinë e Provincës françeskane në gjitha trojet shqiptare e, me të, çaste të rëndësishme të vetë historisë së Shqipërisë e të gjuhës shqipe. Nuk duhet harruar se kuvendet françeskane ishin gjithnjë edhe qendra kulture e se ndër to filloi së pari mësimi në gjuhën shqipe, edhe ky fakt i mohuar. Përshkruhen kuvendet françeskane të kohës, gjendja e tyre, vështirësitë e fretërve për të mbijetuar në kushtet e pushtimit, përpjekjet për çlirim nga turku e martirizimi i tyre. Faqe sot të panjohura historie, në një regjistër aspak të panjohur, që e përmendin shumë fretër, ndërmjet të cilëve frati historian, Atë Marin Sirdani e frati tregimtar, Atë Zef Pllumi, të cilët e shfletuan dhe e studiuan.
Tani që një fotokopje e dokumentit është rishtas në duar të fretërve, besojmë se do të kemi rastin ta njohim më hollësisht, duke thelluar kështu studimin, i cili filloi që kur Dokumenti ishte në shtëpi të vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.