2009-03-22 17:25:18

Një milion vetë në Meshën e Luandës. Benedikti XVI: bota të kujdeset për Afrikën e etur për paqe e drejtësi. Dhimbje për vdekjen e dy vajzave.


(22.03.2009 RV)RealAudioMP3 Shtegtimi i Benediktit XVI arriti sot kulmin me Meshën Shenjte, bashkëkremtuar me ipeshkvijtë e Imbizës (organizëm që përfshin prelatët e Afrikës Jugore) në Sheshin e Çimangolës në Luandë. Ishte kremtimi liturgjik i së Dielës së IV të Krezhmëve.
Në fillim të Meshës, Ati i Shenjtë shprehu dhimjen e thellë për vdekjen e dy vajzave, gjatë shtytjes së turmës për të hyrë në stadiumin e kryeqytetit, para se të fillonte takimi i djeshëm me të rinjtë. Papa e ofroi Meshën edhe për dy vajzat, duke ia besuar Jezusit, që t’i pranojë në mbretërinë e tij. U shprehu solidaritetin dhe afërsinë edhe familjarëve e miqve të tyre dhe u lut për të plagosurit, rreth dyzet vetë, duke u uruar shërim të shpejtë. Ua besojmë – përfundoi – planeve të pashqyrtyeshme të Zotit. E sot paradite kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, shkoi në spital, për t’i përshëndetur të plagosurit.
Për Meshën e sotme, të ndjekim shërbimin e të dërguarit të Radio Vatikanit, Davide Dionisi, nga Sheshi i Çimangolës:

“Kur fjala e Zotit lihet pas dore e Ligji i Tij vihet në lojë, përbuzet, tallet, rezultati mund të jetë vetëm shkatërrimi e padrejtësia. Në Sheshin e pafundmë të Çimangolës, gjatë Meshës me Ipeshkvijtë e Imbisës, Shoqatë Ndër-Zonale e Ipeshkvijve të Afrikës Australe, Papa u rikthye tek tmerret e luftës, duke theksuar se frytet mizore të rivalitetit ndërmjet fiseve dhe etnive e lakmia, që prish zemrën e njeriut, janë përvoja tepër familjare për Afrikën. Një lakmi – nënvizoi Benedikti XVI - që i katandis të varfërit në skllevër e i lë breznitë e ardhshme pa burimet materiale, që nevojiten për krijimin e një shoqërie më solidare e më të dretë – shoqëri me vërtetë afrikane, në përkim me gjeninë e me vlerat e Kontinentit.
Rreth një milion angolezë, ardhur nga të katër anët e vendit, e pritën Papën, duke marrë pjesë me gëzim në këtë të dielë Krezhmësh, që u kremtua si ditë e lutjes dhe e flijimit për pajtimin kombëtar. Turmës pa fund të besimtarëve të pranishëm dhe prelatëve të Konferencës ipeshkvnore të Angolës e Sao Tomesë, Botsvanës, Jugut të Afrikës e Svacilandit, Lesotos, Mozambikut, Namibisë e Zimbabves, Papa iu drejtua me fjalët:
“Ju e dini, mbi bazën e një përvoje të hidhur se, në krahasim me furinë shkatrrimtare të së keqes, puna për rindërtim është e ngadalshme dhe e mundimshme. Kërkon kohë, djersë, këmbëngulje (…) Kujdesuni që famullitë tuaja të bëhen bashkësi, ku drita e vërtetësia e Hyjit dhe pushteti i dashurisë pajtuese të Krishtit jo vetëm të kremtohen, por edhe të gjejnë shprehjen e vet në vepra konkrete të dashurisë së krishterë. E mos kini frikë! Edhe pse kjo do të thotë të jesh shenjë kundërshtie përballë sjelljeve të vrazhda e mendësisë, që i shikon të tjerët më shumë si mjete, që duhen përdorur për interesa vetjake, se sa si vëllezër e motra që duhen dashur, respektuar e ndihmuar gjatë ecjes në rrugën e lirisë, të jetës e të shpresës”.
Pas përqafimit të djeshëm, Papa u bëri përsëri thirrje të rinjve angolezë të zgjedhin pa kurrfarë frike, rrugën e Krishtit:
Filloni që sot ta thelloni miqësinë tuaj me Jezusin, që është “rruga, e vërteta, jeta” (Gjn. 14,6); miqësi që ushqehet me lutje të përvuajtur e këmbëngulëse. Kërkoni vullnetin e Tij mbi ju, duke e dëgjuar ditë për ditë Fjalën e Zotit e duke i modeluar jetën e marrëdhëniet tuaja, në përkim me ligjin e tij. Kështu do të bëheni profetë të urtë e bujarë të dashurisë shëlbuese të Hyjit; do të bëheni ungjillëzues të shokëve tuaj, duke u prirë me shembullin tuaj personal, që ta vlerësojnë bukurinë e vërtetësinë e Ungjillit, drejt shpresës për ardhmërinë e formuar nga vlerat e Mbretërisë së Hyjit. Kisha ka nevojë për dëshminë tuaj! Mos kini frikë t’i përgjigjeni bujarisht thirrjes së Hyjit për t’i shërbyer si meshtarë, rregulltarë e rregulltare, por edhe si prindër të krishterë ose në format e shumta që propozon Kisha”.







All the contents on this site are copyrighted ©.