2009-03-22 17:32:43

Kryeipeshkvi indian Tomas Menamparampil do të jetë autori i meditimeve të Udhës së Kryqit në Koloseo


(22.03.2009 RV)Kryeipeshkvi indian i Guvahatit, imzot Tomaz Menamparampil, do të jetë autori i teksteve, që do të shërbejnë për të komentuar Udhën e Kryqit, së cilës do t’i prijë Benedikti XVI mbrëmjen e së Premtes së Madhe. Zgjedhja e imzot Menamparampil-it – lexohet në kanalin e internetit Missionline.org – është shenjë konkrete, përmes së cilës Papa dëshiron t’u dëshmojë solidaritetin e tij të krishterëve të Indisë, të cilët prej kohe pësojnë sulme e dhunë nga ana e grupeve fanatike hinduiste. Kohët e fundit Orisa dhe shteti i Asamit, ku përfshihet edhe dioqeza e Guvahatit, qenë teatër i dhunës dramatike, ushtruar kundër bashkësisë së krishterë. Kryeipeshkvi, 62 vjeç, salezian, udhëheq një dioqezë me 50 mijë katolikë, në gjirin e një popullsie prej 6 milion banorësh. Ishte misionari i parë – kujton gazeta italiane ‘Avvenire’ – që kapërceu murin e Arunakal Pradeshit, shtet indian në të cilin deri më 1978 ishte e ndaluar hyrja e ungjillëzuesve. Kohët e fundit, në Sinodin e ipeshkvijve kushtuar Fjalës së Zotit në jetën e Kishës, imzot Tomazi mbajti njërin nga pesë referatet kryesore të hyrjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.