2009-03-22 17:32:20

Atë Lombardi: Papa i jep shpresë Afrikës


(22.03.2009 RV)RealAudioMP3 Mbi ngjarjet e fundit të shtegtimit në Angolë, duke filluar nga Mesha e paradites së sotme, të ndjekim komentin e drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi, që na kujton, së pari, vlerat e homelisë së Atit të Shenjtë:

Përgjigje: - Ishte një homeli shumë e fortë. Homeli drejtuar popullit angolez e mbarë Afrikës së Jugut në tërësinë e saj, sepse ishin të pranishëm të gjithë ipeshkvijtë e Imbizës, dmth të Afrikës Australe. Papa u rikthye me thekse shumë të forta mbi hijet, mbi problemet e veçanta të luftës, por duke ngjallur shumë e shumë shpresa. Foli për vlerat e kulturës afrikane, si dashuria për jetën e ndjeshmëria ndaj famijes, vlera që mund t’i shfrytëzojë krishterimi për të ndërtuar jetën e krishterë, Kishën me karakteristikat e saj të posaçme në Afrikë. Këto të gjitha janë aspekte, të cilat Kisha duhet t’i shfrytëzojë në thellësi, për të qenë me të vërtetë afrikane.

Pyetje: - Para kremtimit, Papa u duk thellësisht i tronditur për shkak të ngjarjes së djeshme: vdekjes së dy vajzave të reja…

Përgjigje: - Është e vërtetë. Një fakt vërtetë i trishtuar, që hedh hijen e trishtimit edhe mbi festën e madhe të djeshme. Fakti – me sa u kuptua – ndodhi para takimit, për shkak të shtyrjes së turmës në hyrjet e stadiumit. Faktikisht Papa dhe shoqëruesit e tij u njoftuan për këtë ngjarje vetëm në mbrëmje vonë, kështu Ati i Shenjtë e zhvilloi gjithë veprimtarinë pa e ditur fare ç’kishte ngjarë. Pastaj, në mbrëmje, mori njoftimin, ndonëse akoma krejt të pasaktë. Sot paradite, pastaj, u vërtetua përfundimisht vdekja e vajzave e Papa deshi të shprehte dhimbjen e tij të thellë në fillim të Meshës, me disa fjalë prekëse, jo vetëm duke kujtuar jetën e amshuar të dy të rejave, por duke marrë pjesë edhe në dhimbjen e familjeve. Ishin fjalë të ndjera në thellësinë e shpirtit, edhe pse vajzat e humbën jetën pikërisht nga dëshira për të takuar Atin e Shenjtë. Sot pasdite, kardinali Bertone, në emër të Papës, shkoi në spital, ku janë trupat e dy vajzave si dhe të plagosurit, të cilëve u shprehu afërsinë e Benediktit XVI.

Pyetje: - Pas përqafimit të ngrohtë të djeshëm, Papa i porositi përsëri sot të rinjtë afrikanë të ecin pa kurrfarë frike në rrugën e Krishtit…

Përgjigje: - Të rinjve, në mënyrë të veçantë, u drejtohet mesazhi i Papës. Pas pak vitesh, do të jenë ata, që do ta marrin në dorë situatën në vend e në Kontinent, e prandaj u takon atyre ardhmëria, që do të jetë më e mirë, në se do të jenë të formuar si duhet, në se do të zgjedhin idealet e drejta, të mirën e përgjithshme, në vend të interesit personal, e kështu me radhë… atëherë Afrika do të ketë vërtetë të drejtë të shpresojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.