“Afrika në udhë drejt Sinodit” – editorial i Atë Lombardit
(21.03.2009 RV)“Ishte takim i vërtetë,
ky i Papës me Afrikën: përtej fjalimeve e ngjarjeve të veçanta, gjatë udhëve të Jaundesë,
një turmë e pafundme fëmijësh, të rinjsh e pleqsh i tha Papës, në mënyrën e vet, me
pjesëmarrjen plot entuziazëm në festime, se është i mirëpritur në Afrikë. Fëmijët
brohorasin e vrapojnë, vajzat e gratë këndojnë e vallëzojnë, burrat trokasin duart.
Por pastaj janë të zotët edhe të dëgjojnë, të thelluar në lutje në Meshën e madhe
në stadium, plot vëmendje për fjalët e një Bariu, që nisën ta duan vetvetiu: është
“Mvamba i madh”, “Gjyshi i madh” i popullit afrikan, siç e quajti me dashuri Kryeipeshkvi
i Jaundesë.Tani, Sinodi për Afrikën, ngjarja më e rëndësishme kishtare e këtij vitit,
është vënë për udhë drejt Asamblesë romake të tetorit. Dokumenti i punës është në
duart e ipeshkvijve, problemet e Kontinentit e të Kishës në Afrikë janë identifikuar
e janë shtruar për diskutim. Përballë konflikteve të ashpra, korrupsionit të pushtetarëve,
pandemive, varfërisë e urisë, nuk mungojnë edhe aftësitë për dialog ndërmjet feve,
përvojat pozitive të pajtimit, të dashurisë për jetën, të shpirtit krijues e të urtisë
tradicionale. Motua e Sinodit është “Kisha në Afrikë, në shërbim të pajtimit, të drejtësisë
e të paqes”. Jo vetëm ipeshkvijtë e kleri, por edhe shekullarët katolikë, mbarë populli,
është i ftuar nga Papa të shikojë përpara plot shpresë!"