Papa të rinjve afrikanë: mos kini frikë të merrni vendime përfundimtare; nuk e shkatërrojnë
lirinë, përkundrazi, e krijojnë!
(21.03.2009 RV)Pasdite, në orën 16.
00, Ati i Shenjtë shkoi në Stadiumin dos Kokueiros. Në këtë Stadium, që zë mbi 30
mijë vetë, ndërtuar në vitin 2004, zhvillohen kryesisht ndeshje futbolli, por edhe
gara të disiplinave të tjera sportive. Këtu u mbajt takimi i Benediktit XVI me
të rinjtë. Tema: “Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet” (Ap, 21,5). Të pranishëm
edhe përfaqësues të të rinjve jetimë e të gjymtuar, viktima të luftës civile. Papën
e përshëndeti imzot Almeida Kanda, ipeshkëv i Ndalatandos, i ngarkuar për punën baritore
me të rinjtë. Duke iu përgjigjur përshëndetjes, Benedikti XVI që në fillim, vuri
theksin mbi qëllimin e këtij takimi: “Keni ardhur për të takuar Pasardhësin e Pjetrit
– u tha të rinjve - e, së bashku me mua, të shpallni para të gjithëve se besimi në
Jezusin ju mbush me gëzim e se zotoheni të jeni dishepuj të tij besnikë në kohët tona.
Një takim i tillë u mbajt në këtë qytet më 7 qershor 1992, me Papën Gjon Pali II –
kujtoi Benedikti XVI duke i përshëndetur të rinjtë: “Përshëndes të gjithë
të rinjtë, katolikë e jo katolikë, që kërkojnë përgjigje për problemet e tyre”. Ati
i Shenjtë vijoi të kujtojë se të rinjtë shpesh herë hasin vështirësi të shumta, por
njëkohësisht janë plot shpresa, plot entuziazëm, plot dëshirë për të rifilluar nga
e para, për t’u ngritur përsëri në këmbë, edhe pas rrëzimeve të dhimbshme. Ruajeni
gjithnjë në shpirt këtë gjallëri – i porositi Papa të rinjtë - dhe i ftoi ta shikojnë
ardhmërinë me sytë e Shën Gjonit Apostull, që shkruan: “ Pashë pastaj një qiell të
ri e një tokë të re… e edhe qytetin shenjt, Jeruzalemin e ri, duke zbritur nga qielli,
nga Hyji, gati, si vasha e stolisur për dhëndrrin e saj. Dëgjova pastaj një zë të
fuqishëm që delte nga Froni: ‘Ja banesa e Zotit me njerëzit” (Ap 21). Jezusi
nuk gjindet i mbyllur në një vend apo në një kohë të caktuar, por Shpirti i Tij, Shpirti
Shenjt, rrezatohet nga Zoti e hyn në zemrat tona, duke na bashkuar me vetë Jezusin
e, përmes Tij, me Atin, me Hyjin, njëní e Trini. Zoti na bën të rinj – tha Papa -
e në vijim theksoi: “Ardhmëria e njerëzimit të ri është Hyji; pikërisht një
fillesë e përshpejtuar e saj është Kisha”. Prandaj në vijim Benedikti XVI
i ftoi të rinjtë që, kur të kenë mundësi, ta lexojnë me vëmendje historinë e saj;
do të vërejnë se Kisha, me kalimin e viteve, nuk plaket; madje bëhet gjithnjë më e
re, sepse ecën drejt Hyjit, duke iu afruar çdo ditë e më shumë gurrës së vetme, nga
buron rinia, përtëritja, forca e jetës. Një fjalë tejet prekëse e Papës, pastaj: “Shikoj
këtu të pranishëm disa mijëra të rinj angolezë, të gjymtuar nga lufta e nga minat
e mendoj për lumenjtë e lotëve, që shumë nga ju kanë derdhur për humbjen e familjarëve...
e lexoj në zemrën tuaj një dyshim, që ju ma drejtoni mua... Po Zoti, kur do të ngrihet
për të rinuar çdo gjë?". Mos e humbni shpresën – vijoi Papa: “Risimi
nis brenda njeriut; do të merrni forcë nga Lart. Forca dinamike e ardhmërisë është
në shpirtin tuaj!”. Ati i Shenjtë vijoi ta shpjegonte këtë mekanizëm
në këndvështrimin e misionit të Jezusit. Ky mision filloi me entuzizëm të madh, sepse
njerëzit shikonin të sëmurët që shëroheshin, djajtë që dëboheshin, Ungjillin që predikohej;
por përsa u përket të tjerave, bota shkonte përpara si gjithnjë; romakët sundonin
akoma, jeta, me të përditshmen e saj, ishte e vështirë, ndonëse njerëzit i shikonin
këto shenja mahnitëse, i dëgjonin këto fjalë të bukura. E entuziazmi shkonte duke
u shuar deri në atë pikë, sa shumë dishepuj e braktisën Mësuesin, që predikonte, por
nuk e ndryshonte botën. Jezusi foli për një farëhedhës, që hedh farë në fushën e botës
e shpjegoi se fara ishte fjala e Tij, ishin shërimet e bëra. E pikërisht në farë është
e ardhmja, premtimi, tashmë i pranishëm në të sotmen: “Ju jeni një farë
e hedhur nga Hyji në tokë; rruga e vetme e mundshme është të flijosh jetën për dashuri,
të vdesësh për dashuri, si Krishti, që na dhurohet ne e ne i përgjigjemi duke ia dhuruar
vetveten të tjerëve, për dashuri të Tij. Kjo është udha e jetës; por në të mund të
ecet vetëm në se jemi në dialog të vazhdueshëm me Zotin”. Kultura shoqërore
sunduese – vijoi Papa – nuk ju ndihmon ta jetoni Fjalën e Jezusit, e as dhurimin e
vetvetes, për të cilin Krishti ju fton sipas planit të Atit qiellor. Forca gjindet
në shpirtin tuaj, prandaj mos kini frikë të merrni vendime përfundimtare, përballë
atij, që botës së sotme i duket rrezik e humbje e lirisë: impenjimit për gjithë jetën,
si në martesë, ashtu edhe në meshtari. Bota jeton në lëvizje të vazhdueshme e jeta
është plot me mundësi. Mposhtini dyshimet, që ngjall në shpirtin tuaj kultura e sotme
individualistike e hedonistike. Nuk do ta humbisni lirinë, përkundrazi, kur i riu
nuk vendos, rrezikohet të mbetet fëmijë i përjetshëm: “Guxoni të merrni vendime
përfundimtare, sepse në të vërtetë, këto janë të vetmet që nuk e shkatërrojnë lirinë,
por e krijojnë atë, duke hapur një rrugë të re, që të jep mundësi të ecësh përpara
e të realizosh qëllime të mëdha në jetë”. Kështu ndërmjet jush do të krijohen
ishuj, oaza, e pastaj sipërfaqe të mëdha të kulturës së krishterë, ku do të bëhet
i dukshëm “qyteti shenjt, që zbret nga qielli, nga Hyji, gati, si vasha e stolisur
për fatin e vet”. Kjo është jeta që meriton të jetohet e të cilën jua uroj nga zemra.
Rroftë rinia e Angolës”. Në përfundim të takimit, Ati i Shenjtë u rikthye në Nunciaturën
Apostolike. Nesër – përsëri në Luanda – paradite Mesha me ipeshkvijtë e Imbisës, në
Sheshin e Çimangolës; pasdite, takimi me lëvizjet katolike për promovimin e gruas.