2009-03-20 16:42:08

Shenjti i ditës: Gjon Nepomuçeni, martir


Gjoni lindi në vitin 1330 në Napomuk. Studimet filozofike e teologjike i kreu në Pragë e u shugurua meshtar nga kryeipeshkvi i qytetit. Menjëherë pas shugurimit, nisi me zell aq të madh predikimin e Ungjillit, sa Mbreti Vençeslao e emëroi predikatar të oborrit. Nuk vonoi shumë e kryeipeshkvi, për ta vlerësuar punën e tij, deshi ta zgjidhte kanonik të katedrales, ndërsa perandori i propozoi selinë ipeshkvnore të Laitmeticit. Kanoniku, i trembur nga gjithë këto nderime, që nuk i pëlqenin fare, arriti ta bindë sovranin të hiqte dorë nga propozimi.
Kur e njohu bashkëshortja e mbretit, Gjovana e Bavarisë, grua tejet e përshpirtshme, e zgjodhi si rrëfyes e drejtues të shpirtit. Mbretëresha e mirë kalonte orë e orë në adhurim para të Shenjtnueshimit Sakrament, i largohej edhe hijes së mëkatit e ishte shembull virtyti për të gjithë. Por mbreti, i korruptuar, dyshonte se Gjovana nuk i qëndronte besnike, prandaj e trazonte shpesh, duke dashur ta detyrojë për të pohuar faje, të cilat i kishte krijuar vetë mendja e tij e sëmurë. Me që të gjitha përpjekjet përfunduan pa pafryt, duke mos qenë i bindur për pafajsinë e së shoqes, vendosi ta pyesë rrëfyesin e saj e ta detyrojë t’ia tregojë, me dashje apo pa dashje, rrëfimet e mbretëreshës.
E thirri, prandaj, Gjonin, dhe u mundua ta bënte për vete me mirësjellje e premtime. Shenjti u tmerrua nga propozimi i mbretit e iu përgjigj me guxim se në këtë rast nuk mund e nuk do t’i bindej. Pasi u kërcënua me burgim e edhe më keq akoma, u thirr përsëri e iu kërkua të nxirrte të fshehtën e sakramentit. Po Gjoni nuk u përkul as këtë herë, e as herën tjetër, kur mbreti e thirri për drekë. I tërbuar, mbreti urdhëroi të flakej në lumin Moldava, që kalon nëpër Pragë. Urdhëri u zbatua natën, nga frika e një kryengritjeje të mundshme popullore.
Gjoni u çua tek një nga urat e qytetit e, ndërmjet shtyllës së gjashtë e të shtatë, ku një kryq u tregon edhe sot e kësaj dite kalimtarëve ku u krye krimi, u hodh në vorbullat e lumit. Ishte viti 1383.
Të nesërmën lumi nxori në breg një kufomë, të rrethuar prej një drite misterioze. Ishte trupi i Gjon Nepomuçenit. I gjithë qyteti u ngrit në këmbë, sapo mori vesh kush e kishte kryer këtë krim të shëmtuar e pse. Trupi u mbart me proçesion në Kishën e afërme të Shenjtes Krygjë, ndërsa njerëzit duke qarë, i puthnin këmbët e i luteshin të ndërmjetësonte për ta!
Është një nga martirët e rrallë të rrëfimit. Na kujton një tjetër martir, që vdiq për të mos e nxjerrë sekretin e sakramentit: martirin shqiptar të rrëfimit, një nga 40-tët që pritet të lumnohen, françeskanin Atë Karl Serreqi.







All the contents on this site are copyrighted ©.