2009-03-20 16:40:43

Papa largohet nga Kameruni duke bërë thirrje për paqen dhe zhdukjen e padrejtësisë e të urisë.


(20.03.2009 RV)RealAudioMP3 Nisi shpejt e premtja, ditë e katërt e shtegtimit apostolik të Papës në Afrikë, të cilën Ati i Shenjtë e kaloi duke i dhënë lamtumirën Kamerunit e përshndetjen e mirëseardhjes Angolës, ku pati menjëherë dy takime të rëndësishme: me autoritetet politike e diplomatike dhe me ipeshkvijtë e vendit.
Pasi kremtoi Meshën në Kapelën e Nunciaturës Apostolike të Jaundesë, duke dalë nga Nunciatura, u takua me një grup Pigmejsh Baka, banorë të pyejeve ekuatoriale, të cilët e prisnin për ta përshëndetur. Grupi përbëhej nga përfaqësues të tri breznive: të mitur, të rinj e të moshuar. Para se të delte Ati i Shejtë, kishin ndërtuar në oborr një kasolle me degë e gjethe e, të veshur me kostumet e tyre tradicionale, vallëzuan para Benediktit XVI. Në përfundim të këtij takimi të shkurtër, i dhuruan Papës një breshkë, një rrogoz e një shportë. Takim domethënës, që i kujton botës dramën e këtyre njerëzve, të cilët shpyllëzimi i zonave ku jetojnë si endacakë, po i lë pa burimet natyrore e simbolike, të nevojshme për mbijetesën e tyre biologjike e kulturore.
Pasi këtij takimi, Papa u nis drejt Aeroportit ndërkombëtar Nsimalen të Jaundesë, ku u mbajt edhe ceremonia e lamtumirës. Ceremonia u zhvillua pranë Pavijonit të nderit. Papa u prit në hyrje të ndërtesës nga presidenti i Kamerunit, Pol Bijá. Të pranishme dhe autoritete të tjera të larta politike e civile, ipeshkvijtë e Kamerunit dhe një grup i madh besimtarësh.
Ceremonia nisi me parakalimin e Rojës së nderit, me himnet e të dy vendeve dhe fjalimin e përshëndetjes, mbajtur nga presidenti i Kamerunit, Pol Bijà. Pastaj, fjalimi i lamtumirës i Benediktit XVI, që nisi me një falënderim:
Pasi përfundova fazën e parë të vizitës sime apostolike, dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për pritjen bujare që më bëtë këto ditë”
këtë theksoi Ati i Shenjtë e në vijim kujtoi kremtimet liturgjike prekëse, me pjesëmarrjen e ipeshkvijve dhe të besimtarëve të shumtë katolikë, takimin me anëtarë të bashkësive të tjera kishtare e të tërë ata që u lutën me gjithë zemër, që kjo vizitë baritore të sjellë fryte të begata për jetën e Kishës në Afrikë.
“Ju kërkoj ta vijoni lutjen – u tha Papa besimtarëve - që Asambleja e Posaçme e Sinodit të Ipeshkvijve të Afrikës, të jetë kohë hiri për Kishën e mbarë Kontinentin, kohë përtëritjeje e impenjimi të ri në misionin për ta çuar mesazhin shëlbues të Ungjillit në një botë tejet të trazuar".
Më pas Benedikti XVI rikujtoi me emocion skenat kryesore të vizitës, që do të mbeten të pashlyeshme në kujtesën e tij: vizitën në Qendrën Kardinal Léger, ku pa nga afër kujdesin që tregohet për të sëmurët e të gjymtuarit, disa nga anëtarët më të ligshtë të shoqërisë sonë. Dhembshuria me të cilën trajtohen, e ngjashme me atë të Krishtit për çdo njeri – theksoi Ati i Shenjtë – është shenjë e sigurtë shprese për ardhmërinë e Kishës e të mbarë Afrikës. Kujtoi, më pas, edhe takimin me anëtarët e bashkësië myslimane të Kamerunit, duke nënvizuar:
“Ndërsa vijojmë rrugën drejt mirëkuptimit më të madh reciprok, lutem që ndërmjet nesh të thellohet edhe respekti e nderimi e ta fuqizojmë vendimin për të bashkëpunuar e për ta mbrojtur dinjitetin e njeriut, dhuratë e Zotit vetë, mesazh që bota e sotme, e cila vijon të shekullarizohet, ka shumë nevojë ta dëgjojë e ta kuptojë”.
Ati i Shenjtë u ndalua në mënyrë të veçantë tek takimet me bashkësinë katolike, duke kujtuar disa nga çastet më vëllazërore të kaluara me ipeshkvijtë si dhe meshët, që i dhanë mundësinë të takohej me një mori besimtarësh. Erdha këtu pikërisht për të jetuar bashkë me ju çastin historik të shpalljes së Instrumentum laboris për Asamblenë e dytë të posaçme të Sinodit të ipeshkvijve për Afrikën – shpjegoi Papa dhe theksoi:
“Ky është vërtetë çasti nga buron një shpresë e madhe për Afrikën e për mbarë botën”.
Në përfundim Ati i Shenjtë e ftoi popullin e Kamerunit ta vlerësojë rëndësinë e çastit që i dhuroi Zoti e t’i përgjigjet thirrjes së Hyjit për pajtimin, shërimin e plagëve e paqen në bashkësitë e në mbarë shoqërinë.
Përpiquni me të gjitha forcat për ta zhdukur padrejtësinë, varfërinë e urinë, kudo që t’i gjeni! – bëri thirje Papa - duke e përfunduar përshndetjen e lamtumirës me fjalët: “Zoti e bekoftë këtë vend të bukur, këtë “Afrikë në miniaturë”, vend që premton shumë, vend i lavdisë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.