2009-03-20 19:53:35

Në takimin me ipeshkvijtë e Angolës, Ati i Shenjtë propozon si masë të humanizmit Birin e Zotit, që është edhe njeri i vërtetë.


(20.03.2009 RV)RealAudioMP3 Ishte ora 18. 30 kur Papa u largua nga Pallati presidencial në drejtim të Nunciaturës Apostolike, ku u takua me 25 ipeshkvij të Angolës e të São Tomesë. Takimi, që u mbajt në Kapelën e Nunciaturës, filloi me përshëndetjen e Kryeipeshkvit të Luandës, imzot Damiao Antonio Franklin, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Angolës e të São Tomesë e vijoi me fjalimin e Benediktit XVI, i cili që në fillim theksoi në mënyrë të veçantë domethënien e këtij takimi, në kuadrin e universalitetit të Kishës e të lidhjeve të Pasardhësit të Shën Pjetrit me Kishat e veçanta. Benedikti XVI u kujtoi ipeshkvijve afrikanë se Jezu Krishti është masa e humanizmit të vërtetë dhe themeli i misionit kishtar. Përballë relativizmit, që nuk njeh asgjë si përfundimtare e që madje kërkon të përdorë si masë vetëm vetveten – vijoi Ati i Shenjtë - ne propozojmë një masë tjetër: Birin e Zotit, që është edhe njeri i vërtetë. Është ai masa e njëmendtë e humanizmit. I krishterë i vërtetë nuk është ai që ndjek valët e modës e të rejat e fundit, por ai që e jeton thellësisht miqësinë me Krishtin. Kjo miqësi i hap rrugët e së mirës dhe e ndihmon ta dallojë gabimin nga e vërteta.
Kështu u shpreh Papa e, në vijim, theksoi aspektet kryesore për misionin apostolik të Kishës në zonë, duke u ndaluar, së pari, në fushën e kulturës, ku Kisha zë një vend të rëndësishëm me institucionet e saj akademike të cilat, përmes veprimtarisë së tyre, duhet të bëjnë që zëri i katolikëve të jetë gjithnjë i pranishëm në diskutimin kulturor të Kombit e të forcohen, kështu, aftësitë për t’i zgjidhur racionalisht, në dritën e fesë, problemet e shumta në fushat e ndryshme të shkencës e të jetës:
“Veç kësaj, kultura e modelet e sjelljes sot kushtëzohen gjithnjë më shumë nga figurat e propozuara prej mjeteve të komunikmit shoqëror, prandaj duhet lavdëruar çdo përpjekje për të pasur edhe në këtë nivel, aftësi komunikimi, që krijojnë mundësitë për t’u ofruar të gjithëve një intrepretim të krishterë të ngjarjeve, të problemeve e të realiteteve njerëzore”.
E edhe një herë, Papa kujtoi familjen, duke u ndaluar tek kujdesi baritor për të:
Familja ka nevojë të veçantë të ungjillëzohet e të ndihmohet konkretisht, sepse nga brishtësia e nga paqëndrushemëria e brendshme e shumë martesave, lind prirja e përhapur në shoqërinë e në kulturën e sotme, për t’iu kundërvënë karakterit unik e misionit të pazëvendësueshëm të familjes së bazuar mbi martesën”.
Ati i Shenjtë i porositi ipeshkvijtë të punojnë për mbrojtjen e shenjtërisë së jetës, të vlerës së institutit martesor, për promovimin e rolit të familjes në Kishë e në shoqëri si dhe për marrjen e masave ekonomike e ligjore, që i ndihmojnë prindërit në edukimin e fëmijëve.
Benedikti XVI foli edhe për shtimin e radhëve të laikatit në shërbim të veprave të apostullimit si dhe të thirrjeve për rrugën e meshtarisë, posaçërisht të jetës rregulltare e asaj kundruese. E ndërsa kleri vijon të jetë gjithnjë më shumë vendas – vërejti me kënaqësi Papa – dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time misionarëve, për durimin e heroizmin, me të cilin vijojnë ta predikojnë Krishtin e Ungjillin e tij, për të siguruar kështu lindjen e bashkësive të krishtera, për të cilat edhe përgjigjen. Në përfundim Benedikti XVI i porositi ipeshkvijtë t’i ndjekin nga afër meshtarët, formimin e tyre të vazhdueshëm si në nivelin teologjik, ashtu edhe në atë shpirtëror, kushtet në të cilat jetojnë dhe ushtrimin e misionit të tyre, me qëllim që të jenë dëshmitarë të vërtetë të Fjalës që predikojnë e të Sakramenteve që kremtojnë.
Në mbrëmjen e kësaj dite të ngarkuar me veprimtari, Papa i rikthye në Nunciaturën Apostolike, ku përgatitet për ditën e pestë të shtegtimit në Afrikë. Veprimtaria kryesore e paradites të së shtunës – Mesha e Madhe në Kishën e São Paulo, ndërsa pasdite Benedikti XVI do të takohet me të rinjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.