2009-03-20 18:30:44

Benedikti XVI i fton politikanët e diplomatët ta shndërrojnë Kontinentin, duke u bazuar mbi parimet e domosdoshme të çdo demokracie moderne


(20.03.2009 RV) RealAudioMP3 Në përfundim të ceremonisë së mirëseardhjes, Ati i Shenjtë u largua nga aeroporti në drejtim të Nunciaturës Apostolike të Luandës, ku kaloi drekën.
Më pas u nis drejt Pallatit Presidencial për një vizitë mirësjelljeje Presidentit të Republikës së Angolës, Dos Santos, me të cilin zhvilloi një bisedë private, në praninë e sekretarit të Shtetit dhe të një bashkëpunëtori.
Në përfundim të takimit, Papa përshëndeti bashkëshorten dhe familjarët e presidentit, u bënë fotot zyrtare dhe u shkëmbyen dhuratat.
Ndërkaq grupi që shoqëron Papën kaloi në sallonin e nderit, ku ishin mbledhur përfaqësuesit më të lartë të botës politike e civile, anëtarët e Trupit Diplomatik dhe ipeshkvijtë e Angolës. Pas bisedimit, presidenti e shoqëroi edhe Benediktin XVI në sallon, ku u mbajt një nga takimet më të rëndësishme të Papës, ai me autoritetet politike e civile si dhe me Trupin Diplomatik.
Takimi filloi me fjalimin e presidentit, pas të cilit Shenjtëria e Tij iu drejtua botës politike angoleze dhe bashkësisë ndërkombëtare, duke i ftuar udhëheqësit të përpiqen me të gjitha forcat për progresin e vendit e të Kontinentit. Pas njëzet e shtatë vjet lufte civile, që e shkatërroi Angolën – kujtoi Papa - paqja ka nisur të lëshojë rrënjë, duke sjellë me vete frytet e stabilitetit e të lirisë. Përpjekjet e dukshme të qeverisë për rregullimin e infrastrukturave dhe riorganizimin e institucioneve, pa të cilat shoqëria nuk mund të zhvillohet e as të arrijë mirëqenien e dëshiruar, bënë që në zemrat e banorëve të lulëzojnë përsëri shpresat. E nuk mungojnë, në të katër anët e vendit, shembujt e mësuesve, të punonjësve të shëndetësisë e të nëpunësve të shtetit që, ndonëse paguhen fare pak, punojnë me përkushtim në shërbim të shoqërisë. Shtohet gjithnjë më shumë edhe numri i njerëzve, që u shërbejnë vullnetarisht më nevojtarëve:
“Angola e di se për Afrikën ka ardhur koha e shpresës. Ju mund ta shndërroni këtë Kontinent, duke e çliruar popullin tuaj nga shuplaka e lakmisë, e dhunës dhe e çrregullimit, duke i prirë në shtegun që tregojnë parimet e domosdoshme të çdo demokracie moderne: respekt e promovim i të drejtave të njeriut, qeveri transparente, magjistraturë e pavarur, komunikim i lirë shoqëror, administratë publike e ndershme, rrjet shkollash e spitalesh që funksionojnë si duhet, vendosmëri e patundur, e bazuar në shndërrimin e zemrave, për ta çrrënjosur një herë e mirë korrupsionin”.
Papa theksoi me forcë vlerën e etikës në shërbim të zhvillimit. Nuk është fjala për një çështje teorie, por për një zë, që buron nga vetë njerëzit e që u drejtohet atyre, të cilët shërbejnë në politikë, në administratën publike, në agjensitë ndërkombëtare e në shoqëritë shumëkombëshe, duke i ftuar: qëndroni pranë nesh në mënyrë me të vërtetë njerëzore, na shoqëroni ne, familjet tona, bashkësitë tona”:
“Zhvillimi ekonomik e shoqëror i Afrikës kërkon që Qeveria kombëtare ta koordinojë veprimtarinë e saj me nismat zonale e me vendimet ndërkombëtare. Një koordinim i tillë nënkupton që kombet afrikane të shikohen jo vetëm si zbatuese të planeve e të rrugëzgjidhjeve të planifikuara nga të tjerët. Afrikanët vetë, duke punuar së bashku për të mirën e bashkësisë, duhet të jenë protagonistë të zhvillimit të tyre”.
E, lidhur me këtë, nuk mungojnë një sërë nismash, të cilat Papa i kujtoi një nga një, për të theksuar, më pas, se qëllimi i tyre i përbashkët është të promovojnë transparencën, ndershmërinë praktike tregtare e qeverisjen e mirë:
“Përsa i përket bashkësisë ndërkombëtare në tërësinë e saj - vijoi Papa një rëndësi të dorës së parë merr koordinimi i përpjekjeve për të përballuar problemin e ndryshimeve klimaterike, përmes realizmit të plotë e të drejtë të impenjimeve në shërbim të zhvillimit, marrë në Doha si dhe për të vënë në jetë premtimin e bërë nga vendet e zhvilluara që ta përdorin 0,7% të prodhimit të brendshëm brut si ndihmë zyrtare për zhvillimin”.
E kjo ndihmë – theksoi Papa - sot është edhe më e nevojshme, duke pasur parasysh stuhinë financiare botërore, nga e cila nuk ka shpëtuar as Angola.
Së fundi Ati i Shenjtë u ndalua tek roli, por edhe tek gjendja e vështirë e familjes, që tronditet rëndë nga varfëria, papunësia, sëmundjet, mërgimi, diskriminimi i grave e i vajzave, dhuna që ushtrohet mbi ta dhe plagët e rënda të shfrytëzimit seksual e të abortit. Duke shprehur shqetësimin e tij për politikat e atyre që, me mirazhin e përparimit, e rrezikojnë seriozisht familjen e edhe vetë shoqërinë, Ati i Shenjtë riktheksoi me forcë:
“Familja është themeli mbi të cilin ngrihet ndërtesa shoqërore”.
Duke kujtuar këto plagë që presin të shërohen, Papa nënvizoi rëndësinë e impenjimit të Kishës, që është gjithnjë përkrah njerëzve më të varfër të këtij Kontinenti. Ati i Shenjtë i siguroi të pranishmit se Kisha, përmes nismave të shumta dioqezane, veprave të panumërta edukative, shëndetësore e shoqërore të urdhrave të ndryshme rregulltare, programeve të zhvillimit të Karitasit dhe të organizatave të tjera, do të bëjë gjithçka është e mundur për t’i ndihmuar familjet, duke përfshirë edhe ato që vuajnë për shkak të Sidës – e për të siguruar barazinë ndërmjet burrit e gruas.







All the contents on this site are copyrighted ©.