2009-03-20 18:57:38

Atë Lombardi: ipeshkvijtë afrikanë ia besuan Papës kërkesat dhe shpresat e Kontinentit të tyre.


(20.03.2009 RV)RealAudioMP3 Pas fjalimit mbajtur nga Benedikti XVI prelatëve të Këshillit të posaçëm për Afrikën të Sinodit të Ipeshkvijve, këta të fundit mundën t’i shprehin Atit të Shenjtë shqetësimet për situata të ndryshme që jeton Kontinenti i tyre. Atë Federiko Lombardi, në mikrofonin e Radio Vatikanit, sintetizon disa nga diskutimet e mbajtura këto ditë:

Përgjigje: - Ishte një grup njerëzish shumë kompetentë ai i përfaqësuesve të besimeve të ndryshme të Afrikës, që u takua me Papën. Folën të gjithë e në pak minuta realizuan kuadrin, shumë prekës, të problemeve kryesore të zonave të tyre, të cilat përmblidhen në Instrumentum Laboris. Kur flitet, pastaj, për drejtësi, pajtim e paqe, shihet me të vërtetë sa nevojë ka për to Afrika. Foli imzot Monsengvo, duke bërë një sintezë të situatës në Republikën Demokratike të Kongos, të përçarë e të shfrytëzuar nga fuqi të ndryshme, pas vuatjeve të pafundme të banorëve. Pastaj imzot Onaijekan, që u ndalua tek bashkëjetesa paqësore ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në vendin e madh të Nigerisë. Imzot Teiste kujtoi dialogun me myslimanët në Veri të Afrikës, ku të krishterët janë pakicë. Kardinali Napje foli për Jugun e Afrikës, duke treguar ngjarjen e Komisionit për paqen, drejtësinë e pajtmin në vendin e tij e, siç ndodh edhe në vende të tjera të Afrikës australe – modeli i këtij Komisioni, krijuar për të paqëtuar përçarjet e tensionet e brendshme të vendit, qe tepër i frytshëm. Ja, pra, shenja shprese, njëkohësisht me problemet e rënda. Si tema e korrupsionit në shoqëri, e cila nuk po e gjen rrugën e duhur, që çon në demokraci të vërtetë, e rolit që duhet të luajnë të krishterët, së bashku me nevojën e formimit të tyre etik e të impenjmit në politikë e në shoqëri, garantuar nga një frymëzim i shëndoshë fetar. Çështje të ngjashme, të paraqitura me dëshmi tepër të gjalla, të krijojnë një ide të plotë mbi kuadrin në të cilin radhitet puna e Sinodit. E fjalimi që mbajti Papa – duke paraqitur në një farë mënyre krishterimin në Afrikë dhe rrugën e bërë; e tani, edhe impenjimi i tij me Sinodin – tregojnë se u arrit pikërisht ajo që duhej, që Kisha të mund t’i japë kontributin e saj Kontinentit, i cili ka tepër nevojë për të.

Pyetje: - Një nga çastet më prekëse dhe emocionante ishte ai i takimit me botën e vuajtjes në Qendrën Léger. Si e përjetuat?

Përgjigje: - Do të theksoja - pa përmendur fjalimin, që ishte tepër i bukur, shumë shpirtëror, shumë i thellë e i apasionuar – pjesëmarrjen e Kishës e të Papës në vuajtjen e të sëmurëve, nënvizuar nga kalimi i Atit të Shenjtë ndërmjet tyre, nga përkëdheljet e tij, bekimet, afrimin pranë tyre, mirënjohjen, lotët e emocionit. Iishte një çast tepër prekës, i frymëzuar, sepse na bëri të shikojmë me sytë tanë afërsinë e Kishës me botën e vuajtjes: jo me fjalë, por me pjesëmarrje të thellë njerëzore e shpirtërore. Mund të themi se Kisha ka autoritet të flasë për vuajtjen, në të gjitha përmasat e saj, duke e ditur ç’do të thotë e si mund të ndihmohet për ta jetuar me dinjitet e shpresë, duke i dhënë kuptim të vërtetë njerëzor e të krishterë!







All the contents on this site are copyrighted ©.