Vazhdon vizita e Papës në Kamerun. Gjatë Meshës së sotme në Jaundé, Papa i bëri thirrje
Kishës afrikane të jetë shpresë për popullin e vet.
(19.03.2009 RV)Vazhdon vizita e
Atit të Shenjtë në Kamerun. Sot paradite Benediktit XVI kryesoi kremtimin e Meshës
Shenjte në stadiumin e Jaundesë. Gjatë Saj, Ati i Shenjtë i dorëzoi ipeshkvijve Instrumentum
laboris për Sinodin e ardhshëm të Afrikës. Në homelinë e kësaj Meshe, e cila përkoi
edhe me ditën e Shën Jozefit, ditë e emrit të Papës Racinger, Ati i Shenjtë bëri thirrje
që bashkëshorti i Marisë të merret si pikë referimi për ta përtërirë besimin tonë
tek Zoti:
Në ditën e festës së Shën Jozefit, emrin e të cilët mban edhe Benedikti
XVI, Papa i bëri thirrje të gjithë Kishës afrikane të përqafojë një mision të shenjtë
që ka të bëjë me të ardhmen e kontinentit afrikan: Kisha të jetë udhërrëfyese për
familjet, të rinjtë, për burrat e për gratë në mënyrë që të kapërcejnë vështirësitë
dhe të zbulojnë një jetë plot me shpresë, nën dritën e mësimeve të Ungjillit. Nga
altari, që ishte vendosur në brendësi të stadiumit të Jaundésë, Papa, për të cilin
ishte përgatitur një podium me pamjen e një banese tipike afrikane, kryesoi kremtimin
e Meshës Shenjte përpara afro 50 mijë besimtarëve, çast kulmor ky i shtegtimit të
tij në këtë kontinent.
Afrika me traditat, me meloditë, me ngjyrat e saja e
përqafoi me përzemërsi Papën, i cili edhe një herë mori si shembull Shën Jozefin,
atë që i dha Zotit provën më të madhe të besnikërisë kur iu kumtua Lajmi i Mirë se
Maria priste një foshnje hyjnore, të Birin e Zotit. Ati i Shenjtë u bëri thirrje etërve
dhe nënave kamerunase që ta përqafojnë rolin e prindit me besim tek Zoti, t’u bëhen
prindër bijve të Tij, që t’u përcjellin atyre vlerat njerëzore dhe shpirtërore, duke
jetuar me dashuri dhe me respekt për emrin e Tij.
"Në një kohë kur shumë
njerëz të paskrupuj kërkojnë që t’u imponojnë të tjerëve mbretërinë e parasë, duke
përçmuar më nevojtarët, ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm – tha Papa. Afrika në
përgjithësi dhe Kameruni në veçanti, do të vihen në rrezik nëse nuk do ta njohin e
nuk do ta pranojnë Autorin e vërtetë të Jetës! Mos lejoni që të gënjeheni nga lavditë
e rreme dhe nga idealet e rreme. Besoni, po, vazhdoni të besoni se Zoti, Ati, Biri
dhe Shpirti i Shenjtë, është i vetmi që ju do ashtu siç do të donit ju, është i vetmi
që mund t’ju kënaqë, që mund t’i japë qëndrueshmëri jetës suaj. Krishti është rruga
e vetme e jetës."
Ashtu sikundër edhe Jozefit, vazhdoi Papa, vetëm Zoti
do t’ju japë forcë për të edukuar familjen tuaj ashtu siç do Ai. Mjafton që t’ia kërkojmë,
t’i kërkojmë dhuntinë e një dashurie të vërtetë dhe gjithnjë besnike. Vetëm kështu
familja mund të mbrohet me të vërtetë.
“Ashtu sikurse edhe në kontinentet
e tjera, sot familja në Afrikë po kalon një periudhë të vështirë....Disa nga vlerat
tradicionale të jetës janë tronditur, - nënvizoi Papa Racinger. Marrëdhëniet ndërmjet
breznive kanë pësuar ndryshime në një mënyrë të tillë sa nuk mund ta realizojnë më,
si në të kaluarën, përcjelljen dorë më dorë të dijeve të grumbulluara dhe të urtisë
të trashëguar nga të parët... Nga kjo e ka pësuar cilësia e marrëdhënieve familjare.
Pjesëtarët e familjeve të breznive të reja, të hutuar e të çorientuar kërkojnë të
shpëtojnë nga e keqja duke u strehuar tek disa parajsa të rreme dhe artificiale të
huazuara, që nuk i japin njeriut lumturi të thellë e të qëndrueshme. Ndonjëherë edhe
afrikani është i detyruar që të ikë, të dalë nga vetvetja, nga vëllezërit e motrat
e tija të gjakut madje edhe nga vetë Zoti”.
Receta për këtë sëmundje tha
Benedikti XVI është që të shpresojmë: “të shpresojmë edhe kur nuk kemi fare shpresë”
të besojmë, të duam, të themi se Jezusi është Rruga, e Vërteta dhe Jeta, shpëtimi
i vërtetë. Kështu – vijoi Papa – Afrika, nëse nuk ka frikë sikurse edhe Jozefi dhe
Maria për ta dashur Kishën, mund të bëhet kontinenti i shpresës. Një thirrje kjo që
Papa ua drejtoi të martuarve por edhe të shuguruarve, duke iu kujtuar se virgjëria
dhe pastria jo vetëm që nuk shkojnë kundër martesës por edhe i paraprijnë: martesa
dhe virgjëria janë mënyra e vetme për të përjetuar Misterin e Aleancës së Zotit me
popullin e vet. Në fund Papa u dha zemër të rinjve duke i nxitur që t’i dhurohen Krishtit,
deri edhe në meshtarì e në jetë të shuguruar. Më pas një mesazh të përzemërt për
më të vegjlit, që gjenden nën peshën e vuajtjeve dhe të dëshpërimit, një mesazh për
ata që nuk kanë më familje.
"Fëmijëve që nuk kanë baba ose që jetojnë të
braktisur në rrugë të madhe, në mizerje, atyre që janë ndarë me dhunë nga prindërit
e tyre, të keqtrajtuar dhe me të cilët është abuzuar, fëmijëve që janë marrë ushtarë
me dhunë nga grupet ushtarake që gjenden kudo nëpër disa shtete, këtyre fëmijëve do
të doja t’u thosha: “Zoti ju do, nuk ju harron dhe Shën Jozefi ju mbron! Thirreni
me besim t’ju ndihmojë”.
Në fund pastaj Papa u dorëzoi të gjithë ipeshkvijve
të pranishëm, një për një, Instrumentum Laboris për Sinodin, temën pra rreth së cilës
do të zhvillojë punimet Sinodi i Afrikës që do të mbahet në tetor, në Romë. Papa e
përkufizoi këtë dokument si pasqyrë të dinamizmit të madh të Afrikës por edhe si një
përmbledhje të sfidave me të cilat prelatët do të ballafaqohen. Uroj – vazhdoi Papa
– që punimet e Asamblesë të Sinodit të ndihmojnë në rritjen e shpresës së popujve
afrikanë, duke i dhënë çdo Kishe një hov të ri ungjillor dhe misionar në shërbim të
pajtimit, të drejtësisë dhe të paqes: “Ju jeni kripa e Tokës... Ju jeni drita e botës.”
përfundoi Papa