2009-03-19 17:12:04

Punë të mëdha ka kryer i Gjithëpushtetshmi ...


(19.03.2009 RV)Maria nuk i kishte mbushur ende të pesëmbëdhjetat, kur qe vendosur fejesa e saj me Jozefin, zdrukthëtarin, pasardhës i një familjeje të shquar, asaj të Davidit, i cili njëmijë vjet më parë kishte qenë mbret i Izraelit. Pas fejesës zyrtare, Maria e Jozefi qenë kthyer secili në shtëpi të vet. Do të jetonin bashkë vetëm pas martese. Atë të shtunë Maria vuri buzën në gaz, kur pa Jozefin, që do të kishte dëshiruar të ulej pranë saj, por kjo gjë nuk lejohej. Më pas nisi leximi i Shkrimit Shenjt. Maria u trondit thellë duke dëgjuar profecinë e Izaisë, që kumtonte me zë të lartë vullnetin e Zotit, duke profetizuar:
“Ja se Virgjëra ka për të zënë në kraharor e ka për të lindur një djalë, të cilin kanë për ta quajtur Emanuel, që domethënë: “Zoti-me-né”.
Maria e kishte dëgjuar shumë herë këtë fragment, por as nëpër mend nuk i shkonte se i përkiste asaj, personalisht. Kur arriti ajo ditë, një lajmëtar i Zotit hyri te ajo e i tha: “Të falem o hirëplote: Zoti është me ty!”.
Si e dëgjoi këtë, vasha u turbullua për fjalë të tij e shkonte duke menduar se çfarë përshëndetjeje mund të ishte ajo. E Engjëlli i tha: “Mos u frikëso, o Marí, përse ti u gjete e pëlqyeshme para Hyjit: ja se ke për të zënë në kraharor e ke për të nxjerrë në dritë një djalë, të cilit ke për t’ia ngjitur emrin Jezus”.
Atëherë Maria i tha Engjëllit: “Si është e mundur? Unë nuk njoh burrë!”.
Ia ktheu Engjëlli: “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty, mbi ty do të shtrijë hijen e vet pushteti i të lartit Zot. Prandaj ai që ka për të lindur prej teje, ka për të qenë shenjt e ka për t’u quajtur i Biri i Hyut. Asgjë s’është e pamundur për Hyjin!”.
Por ka gjëra që i madhi Zot - gjithnjë i mirë - nuk dëshiron t’i bëjë, pa pëlqimin e plotë të njeriut. E ka vendime që janë aq të rëndësishme, sa mund të burojnë vetëm nga thellësia e zemrës.
Atëherë Maria tha: “Ja, unë jam shërbëtorja e Tën-Zot, u bëftë mbi mua si është fjala jote!”.
E Engjëlli u largua prej saj.
Pas kësaj dite, dukej sikur asgjë nuk kishte ndryshuar në jetën e Marisë: bënte për ditë të njëjtat punë. Po që kur mbante në kraharor këtë Foshnjë, ndrinte e tëra nga lumturia. Gjithë qenia e saj shprehte gëzimin e jetë së re, që priste të dilte në dritë. Kujtonte copa lutjesh, që i kishte dëgjuar në sinagogë. E i përsëriste e mrekulluar: “Zemra ime madhëron Zotin,
pse sytë i priri mbi përvujtëri të shërbëtores së vet.
Punë të mëdha ka kryer i Gjithëpushtetshmi në mua”.
Me kalimin e muajve, nisi të dukej se së shpejti do të bëhej nënë. Tashti vërente se shumëkush ia ngulte sytë me çudi. Duhet t’ia jepte lajmin një orë e më parë të fejuarit, Jozefit. Vendosi, pra, të shkonte tek ai e t’i tregonte të fshehtën.
E gjithë kjo ndodhte rreth vitit 5 të epokës sonë…
I ulur mbi një gur të madh, Jozefi sodiste duart e tij prej punëtori. Sa shtëpi kishte ndërtuar me këto duar, e ç’shtëpi se? Të patundshme. Mbi to mund të shfrynin shiu e dëbora, e banorët tyre nuk kishin pse të trembeshin. Por që kur Maria i kishte treguar se priste një fëmijë, këto duar kaq të mëdha e të fuqishme kishin nisur të dridheshin. Sigurisht jo prej pleqërie, por prej emocionit e prej trishtimit.
Maria i kishte treguar punën e Engjëllit, fjalët e tij e se i kishte thënë ‘po’ Lajmëtarit hyjnor, Gabrielit e se foshnja që jetonte brenda saj ishte dhuratë e Hyjit. Maria ia kishte shpjeguar këto sende në mënyrë aq të natyrshme, sa Jozefi i kishte besuar.
Tashti Jozefi, që ishte njeri i drejtë, s’dinte nga t’ia mbante. Gjithsesi duhet të gjente menjëherë një rrugëzgjidhje. Ndonjë tjetër, në vendin e tij, nuk do të kishte pasur kurrfarë dyshimi. Sipas ligjit të vendit, gratë që presin një fëmijë, i cili nuk është edhe i burrit të tyre, gjuhen me gurë, derisa vdesin. Por Maria nuk ishte e pabesë e as që mendohej t’i lëshohej në dorë turmës së egërsuar. Atëherë ai zgjodhi rrugëzgjidhjen më pak të dhimbshme për të dy: vendosi ta lëshonte fshehtas, dmth të deklaronte se nuk donte më të martohej me të, jo për faj të saj, por për arsyet e tij personale. Këtë vendim do t’ua tregonte vetëm dy familjeve, të cilave u përkisnin ai e Maria. Sa më shumë mendonte, aq më shumë kjo ide i dukej e keqja më e vogël e ndjente se duart po i dridheshin më pak. Tashmë ishte bërë natë e ai u shtri në shtroje. E ja se iu duk në ëndërr një engjëll i Zotit e i tha: “Jozef, bir i Davidit, mos kij frikë ta marrësh me vete Marinë, fatin tënd, sepse ç’ është zënë në kraharor të saj, është vepër e Shpirtit Shenjt. Ajo ka për të nxjerrë në dritë një djalë, e ti ke për t’ia ngjitë emrin Jezus: Ai ka për ta çliruar popullin e vet prej mëkateve”. Si dëgjoi këto fjalë, Jozefi u qetësua plotësisht. Në të vërtetë në Bibël t’i ngjitësh emrin fëmijës, do të thotë të jesh vërtetë atë. Në agim, si u zgjua nga gjumi, Jozefi bëri ashtu si e kishte urdhëruar Engjëlli i Zotit dhe e mori me vete fatin e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.