2009-03-19 12:34:42

Pa shiko se kush na flet për Sidën


(19.03.2009 RV)Përflaket sot polemika për fjalët e Benediktit XVI mbi rolin e prezervativit në luftën kundër Sidës. U shqyen së foluri ministrat francezë, gjermanë, belgë e spanjollë; ndërhyn madje Bashkimi Evropian.
Ata që hipin sot në katedër për t’u dhënë mësim katolikëve e Vatikanit se si duhet të sillen e çfarë duhet të deklarojnë, janë të njëjtët përgjegjës, që gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, i kanë konsideruar “asgjë” të gjitha impenjimet ndërkombëtare për luftën kundër Sidës. Flasin po ata përfaqësues qeverish, të cilëve as që u skuqet faqja për dështimet e madje tradhtinë ndaj objektivit të fiksuar nga konferenca e Barcelonës e vitit 2002, për të destinuar 0,33% të Prodhimit të Brendshëm Brut për ndihmën ndërkombëtare, brenda vitit 2006. Nuk skuqen as para dështimit të një impenjimi tjetër, atij të marrë në vitin 2004, mbi bazën e objektivave të Mijëvjeçarit, kur shkruan e nënshkruan, me bojë të padukshme do të thoshim, se do ta rrisnin kuotën e bashkëpunimit për zhvillim deri në 0,7% të Prodhimit të Brendshëm Brut, brenda vitit 2015. E akoma më tej, premtimi i G8-shit në vitin 2005 për të dyfishuar ndihmën ndaj Afrikës.
Si qëndrojnë gjërat e shpjegoi veçse pak javë më parë Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik. Vendet donatore premtuan t’i rrisin financimet me rreth 50 miliard dollarë në vit, brenda vitit 2015, duke filluar nga niveli i vitit 2004. Kështu lexohet në Raportin e Bashkëpunimit për Zhvillim botuar këto ditë. Por, të dhënat e Organizatës përsa i përket destinacionit të këtyre fondeve regjistrojnë një rënie të përgjithshme prej rreth 30 miliard dollarësh për çdo vit. Numrat janë mjaft të qarta. Në periudhën 2006-2007, vendet anëtare të Organizatës, ato donatore pra, e kanë zvogëluar impenjimin e tyre me 8,5% në nivel ndërkombëtar, me piqe prej 29,6% për Britaninë e Madhe, 29,8% për Japoninë, 16,4% për Francën dhe 11,2% për Belgjikën. Aritmetika nuk është opinion!








All the contents on this site are copyrighted ©.