2009-03-19 19:48:28

"Në vuajtje keni pranë Krishtin". Këto ishin fjalët e Atit të Shenjtë për të sëmurët e Qendrës Kardinal Leger


(19.03.2009 RV)RealAudioMP3 Ky kthim i syve nga Jezu Krishti, ky besim i plotë në të, lëshimi në dorën e Hyjit e ndjekja e planit të tij, ishin po sot pasdite në qendër të takimit të Papës Benedikti XVI me botën e të sëmurëve në Qendrën “Kardinal Leger” në Jaundé. Përveç autoriteteve kishtare, ishin të pranishme edhe autoritete civile, ndër to, Ministri i Shëndetësisë i Kamerunit. Qendra është e specializuar për trajtimin dhe rehabilitimin e personave me të meta fizike e trauma. Themeluar nga kardinali kanadez Leger në vitin 1972, që nga 1978-a i ka kaluar shtetit, i cili e administron edhe sot:
“Ju e dini se nuk jeni vetëm në vuajtje – u tha Papa të sëmurëve – sepse vetë Krishti është solidar me ata që vuajnë. Ai u zbulon të sëmurëve vendin që zënë në zemrën e Hyjit e në shoqëri… Ai u zbulon edhe, me gjeste konkrete, dhembshurinë dhe kujdesin e veçantë ndaj të gjithë atyre që e kanë zemrën e thyer e trupin e plagosur”.
Pak fjalë, e Ati i Shenjtë numëroi të gjitha sëmundjet kryesore që e bëjnë Afrikën të luftojë me dhimbjen në këtë moment:
“Mendoj për të gjithë të sëmurët, e sidomos këtu në Afrikë, për viktimat e sëmundjeve si Sida, malarja dhe tuberkulozi. E di mirë se si Kisha katolike është impenjuar fortësisht në një luftë efikase kundër këtyre shuplakave të tmerrshme dhe e inkurajoj të vazhdojë me vendosmëri këtë vepër të ngutshme. Ju që sprovoheni nga sëmundja e vuajtja, familjeve tuaja, dëshiroj t’ju sjell pak ngushëllim, t’ju rinovoj mbështetjen time e t’ju ftoj t’i drejtoheni Krishtit e Zojës, që Ai na ka dhënë si Nënë”.
Shumë persona, tha Papa, kur gjenden para sëmundjes, e tyrja ose e të afërmve, tundohen e dyshojnë për praninë e Zotit e për ndihmën e Tij. Para vuajtjes pa fund, shpjegoi, ndihemi të pafuqishëm e nuk gjejmë fjalët e duhura. Në këto raste, heshtja është ar. Një gjest i dhimbsur, një vështrim, një buzëqeshje, mund të bëjnë shumë më tepër se njëmijë fjalë. Papa përmendi shembullin e Simonit të Cirenës, një afrikan, që pa fjalë, ndihmoi Krishtin të mbante kryqin në rrugën e Mundimeve. Kur dyshojmë për praninë e Zotit, le të mendojmë për të, tha Benedikti XVI. Ai nuk e dinte se kishte pranë Hyjin, por e kuptoi vetëm pas ngjalljes së Krishtit:
“Kështu është për secilin prej nesh, vëllezër e motra: në kulmin e dëshpërimit, të revoltës, Krishti na propozon praninë e Tij të dashur, megjithëse ne e kuptojmë me vështirësi se na qëndron pranë. Vetëm fitorja përfundimtare e Zotit do të na zbulojë kuptimin e sprovave tona… Duke parë poshtërsinë që treguan ndaj Jezusit, duke kundruar fytyrën e tij në Kryq, duke njohur tmerrin e dhimbjes së tij, mund të ravijëzojmë, me anë të fesë, fytyrën e ndritur të të Ringjallurit që na thotë se vuajtja e sëmundja nuk do të jenë fjala e fundit në jetën tonë njerëzore”.
Papa dha më pas shembullin e Shën Terezës të Avilës, e cila në shkrimet e saj, shtyn drejt lutjes, drejt imitimit të shën Jozefit, i cili me bindjen e tij ndaj Zotit na tregon rrugën për shpëtimin e shpirtit. Ta zgjedhim edhe ne, tha Benedikti XVI, si mësues lutjesh. Ati i Shenjtë pati fjalë lavdërimi për të gjitha ata që u qëndrojnë afër dhe i ndihmojnë të sëmurët. E më pas:
“Juve, punonjës shkencorë e mjekë, ju takon të vini në zbatim gjithçka të ligjshme për të lehtësuar dhimbjen; ju takon ju së pari të mbroni jetën njerëzore, të jeni mbrojtës të jetës që nga zënia deri në fundin e saj të natyrshëm”.
E në fund, Ati i Shenjtë iu drejtua veprimtarëve të Kishës e meshtarëve:
“Inkurajoj meshtarët dhe vizitorët e të sëmurëve të impenjohen me praninë e tyre aktive dhe miqësore në baritorinë e shëndetit në spitale ose për sigurimin e pranisë kishtare në shtëpi, për ngushëllimin dhe mbështetjen shpirtërore të të sëmurëve. Sipas premtimit të tij, Zoti do t’ju japë pagën e duhur dhe do t’ju shpërblejë në qiell”.
Nesër, Papa Benedikti XVI do të largohet nga Kameruni për të shkuar në Angolë, etapa e dytë e shtegtimit të tij apostolik në Afrikë. Pas ceremonisë së mirëseardhjes në aeroportin e Luandës, kryeqytetit të Angolës, Ati i Shenjtë do t’i bëjë një vizitë kortezie presidentit të Republikës, do të takohet me autoritetet civile e me Trupin Diplomatik, si edhe me ipeshkvijtë e Angolës e të Shao Tomé.








All the contents on this site are copyrighted ©.