(19.03.2009 RV)Me rastin e solemnitetit të sotëm, po kujtojmë këtë lutje aktuale,
kushtuar Shenjtit: O Shën Jozef, po të rrëfej se nuk ta drejtoj gati kurrë lutjen
time. Të lutem, më fal, por ti e di mirë ç'do të thotë të jesh në hije. Por sot,
ditën e festës sate, dua të të drejtohem pikërisht ty: Shën Jozef, ti je në hije
- a më mirë të themi, në errësirë - ndonëse fare pranë Atij, që është Drita e botës,
e po aq pranë, Nënës së tij të ndritshme. Ti nuk e kundërshton errësirën. Mësona
ta pranojmë edhe ne, kur e ndjejmë veten të harruar e të lënë pas dore. Na mëso ta
duam. Shën Jozef, Ungjilltarët nuk ishin të mendimit se kishte një vend të rëndësishëm
në historinë e Shëlbimit. Përndryshe do të kishin shkruar shumë më tepër për ty. Ndoshta
të fshehën, ashtu si fshihet një perlë e vogël, që të mund të të gjenin vetëm ata,
të cilët kanë sy të vëmendshëm për perlat e vogla. Shën Jozef, sipas Shkrimit Shenjt,
Zoti t'u drejtua vetëm ndër ëndrra. Ta tha në ëndërr atë që duhet të bëje. Na ndihmo
ta dëgjojmë me vëmendje atë që dëshiron të na thotë Zoti, si kur flejmë, ashtu edhe
kur jemi zgjuar. Shën Jozef, ti i pranove sprovat që të çoi Zoti. Ti e more me
vete të fejuarën tënde, që ishte shtatzënë, ndonëse ndokush të shikoi shtrembër, ndonëse
pat edhe njerëz që folën keq për ty, ndonëse për këtë arsye humbe miq e emër të mirë. Na
ndihmo të bëjmë vullnetin e Zotit, edhe kur na dhemb. Shën Jozef, ti le atdheun,
punën, sigurinë, sepsè biri yt - që nuk ishte yt bir - kishte nevojë për ty. Nuk the:
qoftë mallkuar! Nuk ngurrove e as mërmërite. More në heshtje gomarin e shkopin e i
mbrojte Marinë dhe të birin në udhën e gjatë drejt Egjiptit. Shën Jozef, ti e deshe
vashën tënde, Marinë. Pate filluar ta doje, sepsè ta patën zgjedhur prindërit - por
pastaj gjithçka mori tjetër rrugë. Në gjithçka ngjau, ne mund të kuptojmë fare pak,
sepse këtu ti je aq afër Zotit, sa askush nuk mund ta kuptojë. Gjithsesi dashuria
jote për Marinë, vashën tënde, duhet të ketë qenë tepër e madhe - ditë për ditë më
e madhe. Sepse në fund të fundit ti je Shenjt e virtyti më i madh i Shenjtorëve është
aftësia për të dashur! Shën Jozef, na mëso të duam, t'i duam të gjithë njerëzit;
na mëso ta dhurojmë dashurinë. Na mëso të heqim dorë nga shumë gjëra, për hir të dashurisë.
Na mëso dashurinë që të përvëlon e të bën të vuash. Na mëso atë dashuri që është vërtetë
dashuri. Shën Jozef, tregojua rrugën të gjithë atyre që e kanë humbur. Lute për
ta Jezusin, Birin e Zotit. Na e mëso dashurinë e vërtetë, në kohën tonë, që ka
aq shumë nevojë për dashuri! Shën Jozef, gjatë rrugës së historisë së Kishës, ti
gati-gati ke qenë harruar. Erdhën shtyllat vigane të Kishës, Pjetri e Pali, martirët
Shtjefni e Lorenci, dijetarët Agostini e Ambrozi, studiuesit Toma e Deda, reformatorët
Françesku i Asizit e Injaci i Lojojës, dijetaret e shenjta të Kishës Katerina e Tereza,
e erdhën më pas edhe shenjtorët e kohëve tona, Edit Shtain e Maksimilian Kolbe. Pas
këtyre njerëzve, kush nuk e harron njeriun që e kaloi gjithë jetën në hije, për të
cilin nuk dihet asgjë, Jozefin e Nazaretit? Mos u zemro, Shën Jozef, në se të gjitha
përpjekjet për të të nxjerrë nga hija në dritë dështojnë njëra pas tjetrës. Edhe
punëtorët e zejtarët e sotëm nuk të kushtojnë ndonjë vëmendje të veçantë. E edhe vendi,
që tashmë ke zënë në Kanunin Romak, nuk të ndihmon aq shumë. E kjo ndodh sepse
ti vetë nuk dëshiron të dalësh nga hija e nga terri. Më mëso, na mëso, të mos kërkojmë
duartrokitjet, dritat e skenës, publicitetin. E di se kjo është tepër e vështirë,
sepse të gjithë kemi dëshirë të bëhemi të famshëm, të mbulohemi me lëvdata. Shën
Jozef, na mëso se të gjitha këto dëshira të largojnë nga Jezusi; se vetëm ai që pranon,
madje ai që e do hijen, gjen Jezusin e Atin! Shën Jozef, na ndihmo ta pranojmë
vendin tonë në hije e në errësirë! Amen!