2009-03-19 11:23:31

Gazetat e Kamerunit për vizitën e Papës Benedikti XVI


(19.03.2009 RV)Para se të fillojmë shfletimin e gazetave të Kamerunit, që i kanë dhënë një pasqyrim të gjithanshëm shtegtimit të parë të Papës Benedikti XVI në Afrikë, sinjalizojmë se në të gjitha pikat e shitjes ka dalë një libër me historinë e papëve dhe vazhdojnë të botohen numra të veçantë mbi vizitën, papët e Vatikanin.

CAMEROON TRIBUNE – Titujt e sotëm i referohen kryesisht vizitës së Papës te presidenti i Republikës. “Momente të rëndësishme me Benediktin XVI” është titulli në faqen e parë me fotografinë e familjes së presidentin Bija me Atin e Shenjtë. Në faqet 2-12 artikujt mbi ditën e djeshme. Disa tituj: “Në bashkim të përsosur me Bariun universal”, “Një shenjë shprese për Afrikën”, “Inkurajimi i Papës për Afrikën”, “Misioni i Kishës. Të fitojë mbi varfërinë”, “Papa u bën thirrje për vëllazërim ipeshkvijve të Kamerunit”. Më pas, artikuj të tjerë mbi praninë e rreth 400 gazetarëve në qendrën e shtypit të hotelit Hilton, mbi masat e sigurisë dhe mbi planin e qarkullimit për ditën e sotme.

LE JOUR – Në faqe të parë, por në fund të saj, vizita papnore: “Benedikti XVI ia beson kamerunezët Virgjërës Mari”. Në faqet 2-3-4, domethënia e Lutjes Mbrëmësore, vizita e Papës te presidenti, intervista me prelatë të lartë të Kamerunit mbi temat e prekura nga Ati i Shenjtë. Së fundi, fjalimi i plotë i Benediktit XVI drejtuar ipeshkvijve në Kishën e Krishtit Mbret.

MUTATIONS – Është e vetmja gazetë që evidencon polemikën për Sidën. Në faqen e parë “Papa i bën gjyq prezervativit – Shoqatat e të sëmurëve nga Sida i kërkojnë Atit të Shenjtë të rishikojë qëndrimin e Kishës mbi përdorimin e prezervativit”. Në faqet 8-14, përsa i përket takimit me ipeshkvijtë, shkruhet “Benedikti XVI përflak Tsingën”; akoma mbi Sidën, intervistë me drejtoreshën kombëtare të organizatës “Care Cameroun”: “Fjalët e Papës mbi Sidën mund të ndihmojnë kundër getizimit të të sëmurëve nga Hiv”, por edhe një artikull që vë në dukje se diskutimet mbi Sidën kanë lënë në hije temat e tjera të vizitës papnore, para së gjithash, “Instrumentum Laboris” për sinodin e ipeshkvijve. Më pas, “Myslimanë e të krishterë në të njëjtën kishë”.

PROSPECTIVE – Numër i veçantë kushtuar vizitës së Papës. “Shenjtëria e Tij, Benedikti XVI në Afrikë – Papa, Kameruni dhe magjia e fesë”. Artikuj të tjerë: “Mëse 50 mijë ipeshkvij, meshtarë, besimtarë në meshën e stadiumit Jaundé”, “Mëse 5 milion në Kamerun, shikuesit e transmetimeve televizive për Papën”, “1 miliard teleshikuesit e Afrikës dhe të krejt botës”, “30 mijë policë e ushtarë të mobilizuar për sigurinë”, “Jaundé, kryeqytet afrikan i pajtimit, drejtësisë dhe paqes”, “Kameruni, tokë ekumenizmi e dialogu ndërfetar”, “Kamerun – Vatikan: një bashkëpunim i lashtë e i frytshëm”. E më pas, artikuj e fotografi mbi Kishën kameruneze; mbi shitjen e bluzave, statujave e objekteve të tjera “Papa shitet shtrenjtë në Jaundé”. Në faqen e fundit, fotografi të Papës në plan të parë.








All the contents on this site are copyrighted ©.