2009-03-19 19:50:13

Asnjë dallim etnik apo kulturor, race, seksi apo feje nuk duhet të bëhet motiv konflikti ndërmjet jush: kështu u tha Papa anëtarëve të Këshillit të veçantë për Afrikën


(19.03.2009 RV)RealAudioMP3 Dita e sotme e Benediktit XVI në Afrikë përfundoi me takimin e rëndësishëm me Këshillin e veçantë për Afrikën të Sinodit të ipeshkvijve. I rëndësishëm, pasi me të filloi simbolikisht Asambleja II sinodale, që do të mbahet në Vatikan nga 4 deri më 25 tetor të këtij viti. Vetë Papa, gjatë përshëndetjes që u drejtoi anëtarëve të Këshillit, përmendi temën e Sinodit: “Kisha në Afrikë në shërbim të pajtimit, drejtësisë e paqes. ‘Ju jeni kripa e tokës… Ju jeni drita e botës” (Mt 5,13-14). Është pikërisht ky Këshill prej 12 anëtarësh nga Nigeria, Tanzania, Afrika e Jugut, Algjeria, Kameruni, Mozambiku, Kongo, Burkina Faso, Zambia, Madagaskari dhe Egjipti, që e ndihmoi Atin e Shenjtë në përgatitjen e Lineamentave dhe të Instrumentum Laboris për Sinodin.
Duke reflektuar pikërisht mbi temat kryesore të kësaj Asambleje të veçantë dhe për mënyrat se si ato kanë të bëjnë me Afrikën, Papa i tha Këshillit të mbledhur në Nunciaturën Apostolike të Jaundesë se për zgjidhjen e çdo problemi, të krishterët janë të thirrur ta lenë veten të çlirohen nga Jezu Krishti. E duke iu referuar gjendjes në Afrikë, theksoi me forcë:
“Asnjë dallim etnik apo kulturor, race, seksi apo feje nuk duhet të bëhet motiv konflikti ndërmjet jush. Ju jeni bij të Zotit të vetëm, Atit tonë, që është në qiell. Me këtë bindje, do të jetë e mundur më në fund të ndërtohet një Afrikë më e drejtë e paqësore, në lartësinë e aspiratave të ligjshme të krejt bijve të vet”.
Që në fillim të fjalës së tij, Ati i Shenjtë u kujtoi të pranishmëve se Afrika është shenjtëruar prej vetë Zotit, nga Jezu Krishti. Dymijë vjet më parë, ka qenë vetë Jezu Krishti ai që i ka sjellë kripën e dritën Afrikës:
“Si pasojë e ardhjes së Krishtit, që e ka shenjtëruar me praninë e tij fizike, Afrika ka marrë një thirrje të veçantë për ta njohur Krishtin. Afrikanët të jenë krenarë për këtë! Duke medituar e duke u thelluar shpirtërisht e teologjikisht në këtë etapë të parë, afrikani mund të gjejë forcat e mjaftueshme për të përballuar jetën e përditshme, nganjëherë të rëndë, e mund të zbulojë atëherë hapësira pa fund feje e shprese që do ta ndihmojnë ta rrisë besimin në Zotin”.
Papa përmendi Shën Markun Ungjilltar e dëshminë e tij për Jezu Krishtin në tokën afrikane. Përshkoi më pas historinë e lavdishme të krishterimit në kontinent, duke u dhënë një vend të veçantë në reflektimin e tij, misionarëve e sidomos katekistëve afrikanë. Janë afrikanët, që kanë ungjillëzuar afrikanët e tjerë, theksoi Ati i Shenjtë:
“Laikë me laikë, ditën të gjenin në gjuhën e etërve të tyre fjalët e Zotit që prekën zemrat e vëllezërve e motrave. Ditën ta ndajnë me të tjerët shijen e kripës së Fjalës së Zotit e ta bëjnë të shkëlqejë dritën e Sakramenteve që ato shpallnin. Shoqëruan familjet në rrugën e tyre shpirtërore, inkurajuan thirrjet për meshtarë e rregulltarë e qenë lidhja ndërmjet bashkësive dhe meshtarëve e ipeshkvijve. Natyrshëm, realizuan një inkulturim, që ka sjellë fryte të mrekullueshme”.
Momenti aktual, kur Kisha po zbaton direktivat e Koncilit II të Vatikanit, kur ndodhet përballë sfidave të epokës bashkëkohore, të cilat i nxjerrin përpara pikëpyetje të çdo natyre, është e nevojshme që Afrika të vazhdojë traditën e etërve dhe ta ndihmojë Kishën të reflektojë:
“Do të ishte mirë që teologët tuaj – u tha Papa anëtarëve të Këshillit të veçantë për Afrikën të Sinodit të ipeshkvijve – të vazhdonin sot të eksploronin thellësinë e misterit trinitar dhe kuptimin e tij për jetën e përditshme afrikane. Ky shekull, me ndihmën e Zotit, ndoshta do të mundësojë rilindjen e kontinentit tuaj, por sigurisht në një formë të ndryshme e të re në krahasim me Shkollën e famshme të Aleksandrisë. Pse të mos shpresojmë se ajo mund t’u ofrojë afrikanëve të sotëm dhe Kishës universale teologë të mëdhenj e mësues shpirtërorë, që mund të kontribuojnë në shenjtërimin e banorëve të këtij kontinenti e të Kishës mbarë”.
Benedikti XVI vazhdoi reflektimin mbi temën e Sinodit të ardhshëm të ipeshkvijve, duke vënë në dukje se çdo të thotë për Afrikën pajtimi, drejtësia e paqja. Ç’ka më dramatike se lufta ndërmjet grupeve etnike e popujve vëllezër, pyeti Papa:
“Konfliktet lokale apo rajonale, masakrat e genocidet në kontinent duhet të na interpelojnë në mënyrë të veçantë: nëse është e vërtetë se në Jezu Krishtin ne jemi pjesë e së njëjtës familje e ndajmë të njëjtën jetë, pasi në vena na qarkullon i njëjti Gjak i Krishtit, që na bën bij të Zotit, anëtarë të Familjes së Hyjit, nuk duhet të ekzistojnë më urrejtja, padrejtësitë, luftrat ndërmjet vëllezërve”.
Ati i Shenjtë nuk mungoi të përmendë kardinalin Gantin, i cili fliste për një Teologji Vëllazërimi në Afrikë. Kisha afrikane, ashtu si ajo universale, ka zgjedhur opcionin për të varfërit. Në drejtësinë ndaj tyre, ajo sheh sfidën aktuale të kontinentit e bën thirrje për kthimin në rrugën e Zotit, për shenjtërimin e integritetin e jetës. Në zanafillë të këtij impenjimi është ushqimi me Fjalën e Zotit e me Eukaristinë, burime bashkimi, pajtimi e paqeje:
“Fjala dhe Buka e jetës ofrojnë dritë e ushqim, si ilaç e përkrahje në besnikërinë ndaj Mësuesit e Bariut të shpirtrave, që Kisha në Afrikë t’i shërbejë pajtimit, drejtësisë e paqes, sipas programit të jetës dhënë nga Zoti vetë: “Ju jeni kripa e tokës… Ju jeni drita e botës”. Për të qenë kështu me të vërtetë, besimtarët duhet të kthehen e të ndjekin Jezu Krishtin, të bëhen dishepuj të tij, për të qenë dëshmitarë të fuqisë së tij shpëtimprurëse”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.