2009-03-19 12:39:22

27% e qendrave botërore për kurimin e Sidës janë të Kishës Katolike. Kurimi bëhet falas.


(19.03.2009 RV)Kisha Katolike ka 27% të qendrave, ku të sëmurët e Sidës kurohen falas. Ajo është e pranishme në 90 vende të botës, me impenjimin e saj në luftën kundër virusit Hiv.
Ekzistojnë mjaft të dhëna që tregojnë kufizimet e politikave, që bazohen mbi përdorimin e prezervativit si zgjidhje për problemin e Sidës. British Medical Journal ka botuar një letër të shkruar nga shkencëtari bioetik Amin Abbound, në të cilën ai shkruan se çdo ndryshim në qëndrimin e Kishës katolike mbi përdorimin e prezervativit do ta përkeqësonte gjendjen në Afrikë.
Nga një analizë statistikore e situatës në kontinent del se në ato vende ku prania e katolikëve është më e madhe, përhapja e virusit Hiv është më e vogël. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Svaciland, ku 42,6% e popullsisë janë të sëmurë nga Sida, vetëm 5% e popullsisë është katolike. Në Botsavana, ku 37% e popullsisë është e sëmurë nga Sida, katolikët janë vetëm 4%. Ndërsa në Ugandë, ku 43% e popullsisë është katolike, virusi Hiv ka infektuar vetëm 4%.
Me të njëjtin mendim me Papën, pavarësisht se pa e konsideruar prezervativin jashtë luftës kundër Sidës, është edhe revista e njohur e kirurgëve botërore “The Lancet”. Në numrin e 27 nëntorit 2004, një grup mjekësh specialistë mbrojnë idenë se para se t’u ofrohet prezervativi të rinjve, duhet t’u mësohen atyre vlerat e seksualitetit e të shtyhet mosha e marrëdhënies së parë seksuale. Shmangia e rrezikut është mënyra më e mirë për të parandaluar infektimin me Hiv. Përsa i përket partnerëve të rritur, “The Lancet” mbështet tezën se besnikëria ndaj një partneri të vetëm jep rezultatet më të mira në ndalimin e virusit.
Nga SHBA-të, Lidhja Katolike për të drejtat fetare e civile vë në dukje sot se nëse përdorimi i prezervativit do të ishte kaq i suksesshëm, siç pretendojnë qeveritë botërore, atëherë nuk shpjegohet se si Nju Jorku ka një përhapje të virusit Hiv tri herë më të madhe se mesatarja kombëtare, pikërisht në kohën kur shpërndarja e prezervativëve ka arritur pikun më të lartë. Gjithashtu, nënvizon lidhja, është rritur edhe përhapja e sëmundjeve të tjera të transmetueshme seksualisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.