2009-03-18 17:56:51

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Çirilin e Jeruzalemit


(18.03.2009 RV)RealAudioMP3 Shën Çirili jetoi në kohën plot trazira të Kishës së shekujve të parë. U detyrua të merrte pjesë gjallërisht në diskutimet teologjike, nganjëherë tepër të ashpra, të përzjera me ligështitë njerëzore e të ndërthurura me politikën, me luftërat e jashtme për mbrojtjen e perandorisë e me konfliktet e brëndshme për të shtënë në dorë fronin, duke përdorur për këtë qëllim edhe fenë.
Mjafton të kujtojmë disa data, për ta kuptuar sa e vështirë qe jeta e Shenjtit: i zgjedhur ipeshkëv i Jeruzalemit në vitin 348, në vitin 357 u zëvendësua me një tjetër. Shkaku: ipeshkvi Akaçi i Çezaresë në Palestinë (i cili e pati shuguruar) e akuzoi për gabime doktrinore e, për më tepër, nisi të pretendonte që selia ipeshkvnore e Jeruzalemit të varej nga selia e tij e Çezaresë, asokohe kryeqytet administrativ i Palestinës dhe seli e prokurorëve romakë.
Në vitin 359 një koncil vendas i ipeshkvijve e rehabilitoi e ai u rikthye në katedrën e Jeruzalemit. Por, pa kaluar as dy vjet, u dëbua përsëri nga një koncil tjetër, i mbledhur në Kostandinopojë me këmbënguljen e Akaçit, që kishte ndikim të fuqishëm mbi perandorin filo-arian, Kostancin. Kujtojmë këtu se Akaçi, ipeshkëv ndërmjet viteve 340-366, qe një nga personalitetet më në zë të kohës. Pasardhës i ipeshkvit të madh, Euzebit, vijoi ta pasuronte bibliotekën e Çezaresë. Për të flet edhe Shën Jeronimi, që i vlerëson lart veprat e tij të mëdha, siç janë komentet dhe interpretimet e Shkrimit Shenjt, të cilat më vonë humbën të gjitha.
Në vitin 362, pas vdekjes së Kostancit, që ishte në luftë kundër persianëve e pastaj kundër të kushëririt, Julianit, Çirili u kthye në Jeruzalem. Por, rreth vitit 367, perandori Valent e dënoi përsëri. Shenjti u internua, për t’u rikthyer përfundimisht në selinë e vet vetëm në vitin 378, pas vdekjes së Valentit në luftën kundër gotëve.
Në vitin 381 Çirili mori pjesë në Koncilin II Ekumenik të Kostandinopojës e, më pas, në vitin 382, edhe në Koncilin III, gjatë të cilit u ripohua vlefshmëria e shugurimit të tij si ipeshkëv i Jeruzalemit ku, më në fund, jetoi i patrazuar deri në vdekje.
Në vitin 1882, pesëmbëdhjetë shekuj më vonë, Papa Leoni XIII e shpalli Dijetar të Kishës, duke theksuar vlerën e katekizmit të tij, kushtuar kryesisht kandidatëve për Pagëzim dhe të sapopagëzuarve. I akuzuar në kohën e tij për lidhje me rrymat e arianizmit, ai në të vërtetë i kundërvihet doktrinës ariane mbi Krishtin; madje e deklaron qartë Bir të Zotit për natyrë e jo për bijësim, e njëkohësisht, të amshuar, si vetë Ati.
Mësimi i Çirilit të Jeruzalemit do të sfidonte shekujt: do të rikujtohej, së bashku me mësimet e etërve të tjerë të Kishës, edhe në shekullin XX, në dy kushtetuta dogmatike të Koncilit II të Vatikanit: “Lumen gentium”- mbi Kishën dhe “Dei Verbum”- mbi Zbulimin Hyjnor. E akoma, në dekretin “Ad gentes”- mbi veprimtarinë misionare të Kishës në botën bashkëkohore.
Emri Çiril vjen nga greqishtja e do të thotë: njeri i fortë. Simboli i Shenjtit –ipeshkëv është shkopi baritor.







All the contents on this site are copyrighted ©.