2009-03-18 17:57:11

Petro Vuçani, korrektor dhe stilist i pashoq, në 7-vjetorin e vdekjes.


(18.03.2009 RV)Petro Vuçani, emri i të cilit lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me emrat e dy prej kolosëve të letrave shqipe: Ernest Koliqit dhe Martin Camajt si dhe me revistën e famshme "Shejzat", lindi në Tiranë më 25 qershor të vitit 1921. Studimet fillestare dhe liceun klasik i kreu në vendlindje. Pati fatin të ishte nxënës i profesorëve që lanë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare, si K. Gurakuqi, K. Kamsi, G. Meksi, M. Karajani etj. Si kreu liceun, u regjistrua në Universitetin e Palermos, në fakultetin e farmacisë. Ishte viti 1942. Ngjarjet tragjike të këtij viti e shtrënguan të rikthehet shpejt në Atdhe e menjëherë pas, më 1943, të largohet rishtas, për të mos u kthyer kurrë më. Do të kalonin disa vjet, para se t'i rifillonte e t'i kryente studimet në fakultetin e zgjedhur që në fillim. Me diplomën e farmacistit në xhep, nisi të ushtronte profesionin pranë një firme farmaceutike në Romë, ku banonte e motra, bashkëshorte e Ernest Koliqit. Me të punoi për disa vjet edhe Lazër Bojaxhiu, vëllau i Nënë Terezës. Njëkohësisht filloi të bashkëpunonte si gazetar me seksionin shqip pranë Radio-Romës.
Për 50 vjet me radhë punoi falas si redaktor, korrektor, analist politik, gazetar dhe përkthyes. Nga dora e tij dolën shumë botime autorësh të shquar të letërsisë shqipe e arbëreshe, gazeta "L'Albanie Libre" dhe revista e njohur "Shêjzat", numri i parë i së cilës pa dritën e shtypit në gusht 1957, ndërsa numri i fundit, pas vdekjes së Koliqit, më 1975. Botimi i "Shêjzave" e lidhi Petraqin në miqësi të ngushtë me përfaqësuesit më të shquar të kulturës shqiptare në diasporë e posaçërisht me ata që jepnin ndihmesën e tyre për botimin e revistës, ndërmjet të cilëve, meshtarët katolikë: Jezuiti Atë Zef Valentini, fretërit Atë Paulin Margjokaj, Atë Jakob Marlekaj e Atë Danjel Gjeçaj. Së bashku me Atë Danjelin e Martin Camajn punoi rreth gjashtë muaj për përgatitjen e botimit të "Lahutës së Malcisë", financuar nga Komiteti "Shqipëria e Lirë" në mërgim. Kryevepra e Fishtës doli në qarkullim më 1958 e, edhe tani kur janë bërë disa ribotime të tjera të saj, cilësohet si botimi më i mirë. Më pas Vuçani vijoi të korrektonte të gjitha veprat e Koliqit e të Camajt. Përsa i përket botimit të veprave të Camajt nën kujdesin e tij, zoti Kostandin Papaj, në shkrimin e botuar në gazetën "Dielli", më 16 janar 1983, titulluar "Petro Vuçani ose drita e syve të shqipes" shkruan ndër të tjera: "Seria e botimeve të veprës shumvëllimshe të Martin Camajt është i vetmi shembull i shkëlqyeshëm botimi, realizuar me një mjeshtri të përsosour. Nuk është parë asnjë libër shqip që të ketë një paraqitje kaq estetike e të shkojë në dorën e lexuesit pa asnjë gabim shtypi. Një botim i tillë mund të krahasohet vetëm me botimet më të përsosura të letërsive të mëdha evropiane. Sigurisht merita e parë në këtë mes është e Petro Vuçanit si shkronjës dhe estet i përkryer”.
Luftëtar i paepur kundër diktaturës komuniste, i drobitur nga vitet e mërgimit, ai i mbylli sytë në Grotaferrata, pranë Romës, më 17 mars 2002, pa e realizuar ëndrrën për t'u kthyer në Atdhe e për të pushuar në paqe në Tokë shqiptare. U hap kështu një varr i ri shqiptar në dhe të huaj, ku më kot presin që dikush të kujtohet për ta Ernest Koliqi, varrosur në Romë; Martin Camaj-varrosur në Munih; Lin Delia - varrosur në Antrodoko, Atë Paulin Margjokaj- varrosur në Vjenë; Atë Ambroz Marlaskaj - varrosur në Romë, pa kujtuar figura të tjera të shquara, që nuk u dihet fare varri.







All the contents on this site are copyrighted ©.