2009-03-18 17:55:34

Papa ipeshkvijve të Kamerunit: t’u predikohet me ngut Ungjilli të gjithëve.


(18.03.2009 RV)RealAudioMP3 Dita e dytë e shtegtimit të Papës në Afrikë: pas turmës vigane, që e priti dje në Aeroportin ndërkombëtar të Jaundesë, sot paradite Papa u takua me presidentin e Republikës, Pol Bijà e më pas, me ipeshkvijtë e Kamerunit, çast shumë i pritur për t’u thelluar në temat e mëdha të vendit afrikan e të mbarë Kontinentit.
Pasdite, në Bazilikën e Zojës së Bekuar, Mbretëreshë e Apostujve, kremtimi i lutjeve mbrëmësore me ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët, seminaristët, diakonët, lëvizjet kishtare dhe përfaqësuesit e konfesioneve të tjera të krishtera të Kamerunit.
Në fjalimin e mbajtur gjatë takimit me ipeshkvijtë, Ati i Shenjtë i ftoi prelatët ta rizbulojnë predikimin e Ungjillit e ta përhapin në të gjitha fushat e jetës.
Për t’u njohur me hollësirat e ditës së dytë të shtegtimit papnor, të ndjekim shërbimin e të dërguarit të Radio Vatikanit, Xhankarlo La Vela, nga Jaunde:

"Papa e nxit Kishën e Kamerunit të ndjekë shembullin e Shën Palit, në këtë vit kushtuar Apostullit të Popujve. Kumtimi i Ungjillit është detyrë e ipeshkvit i cili, ashtu si Shën Pali, mund të thotë: “Të shpall Ungjillin nuk është arsye krenije për mua, është detyrë që duhet ta kryej; i mjeri unë në se nuk e predikoj Ungjillin”. E ipeshkvi – kujtoi Papa – është personifikim i katekistit. Është ai që e përforcon dhe e pastron popullin e tij në fe. E këtë detyrë Kisha e mori nga vetë Krishti, pikërisht sepse ka ende shumë njerëz, të cilët e presin mesazhin e dashurisë e të shpresës, që do t’u krijojë mundësinë të njohin lirinë dhe lavdinë e bijve të Hyjit. Duke kujtuar Koncilin II të Vatikanit, Benedikti XVI nënvizoi natyrën misionare të Kishës, që ka si detyrë të dorës së parë predikimin e Ungjillit deri në skajet më të largëta të tokës. E për ta realizuar ungjillëzimin – u tha Papa ipeshkvijve kamerunezë – barinjtë duhet të jenë të bashkuar, t’i kërkojnë së bashku përgjigjet për përballimin e sfidave të shumta e edhe të japin udhëzime të njëzëshme për t’i ndihmuar besimtarët në jetën e tyre kishtare e shoqërore. Solidariteti apostolik dhe bashkimi duhet të jenë në qendër të vëmendjes në jetën e përditshme të të gjitha Kishave vendase, të katekistëve e sidomos të meshtarëve, me një kontroll të posaçëm lidhur me besnikërinë ndaj zotimeve të marra me shugurimin, në përkim me thirrjen e tyre. Secili duhet ta jetojë thellësisht atë që predikon, para se t’u japë mësime të tjerëve. E Benedikti XVI porositi t’u kushtohet vëmendje e posaçme të rinjve, që duan të ecin në rrugën e meshtarisë:

 
"In your dioceses...
“Në dioqezat tuaja shumë të rinj paraqiten si kandidatë për meshtari. Mundemi vetëm ta falënderojmë Zotin. Pa harruar se është themelore të peshohet seriozisht kërkesa e tyre. Për këtë qëllim, ju inkurajoj që, pavarësisht nga vështirësitë organizative në nivel baritor, të kujdeseni në radhë të parë për zgjedhjen dhe formimin e edukatorëve dhe të drejtuesve shpirtëror. Ata duhet t’i njohin personalisht e thellësisht kandidatët për meshtari e të jenë në gjendje t’u sigurojnë një formim të shëndoshë njerëzor, shpirtëror e baritor, për t’i bërë kështu, njerëz të pjekur e të drejtpeshuar, të përgatitur mirë për jetën meshtarake. Ndihma juaj e përhershme vëllazërore do t’i ndihmojë edukatorët ta kryejnë detyrën e tyre me dashuri për Kishën e për mësimin e saj”.

 
Më pas Papa i porositi ipeshkvijtë e Kamerunit të ndjekin me përkushtim të veçantë punën baritore me familjet, vlerat themelore të të cilave, si martesa e dashuria e pazgjidhshme dhe e qëndrueshme, po vihen në rrezik nga modernizmi e shekullarizimi. Më pas, një thirrje tjetër për të qenë gjithnjë pranë të rinjve, të cilëve sot u duhet të përballojnë një mori rreziqesh:

 
"The spread of sects...
Zhvillimi i sekteve dhe i lëvizjeve esoterike si dhe ndikimi i fesë supersticioze, por edhe relativizmi, na ftojnë ngutësisht t’i japim një hov të ri formimit të të rinjve e të të rriturve, posaçërisht në botën universitare e intelektuale. Në këtë perspektivë, dëshiroj të inkurajoj e të lavdëroj përpjekjet e Institutit katolik të Jaundesë dhe të gjitha institucionet kishtare, misioni i të cilave është t’i bëjnë të kapshme e të kuptueshme për të gjithë Fjalën e Zotit e mësimin e Kishës”.

 
Papa iu drejtua edhe shekullarëve, duke i nxitur të impenjohen gjithnjë më shumë në jetën e Kishës e të shoqërisë. Nismat e shumta – theksoi Benedikti XVI – janë vepër e Shpirtit Shenjt e ndihmojnë për kumtimin e ri të Ungjillit. Pastaj – një falënderim për shoqatat e grave, të cilat impenjohen shumë në mbrojtjen e dinjitetit të gruas.Së fundi, Benedikti XVI e vuri fort theksin mbi varfërinë. Ipeshkvi – tha Ati i Shenjtë – është mbrojtësi kryesor i të drejtave të të varfërve e duhet ta jetojë vazhdimisht dashurinë e krishterë, që gjen shprehjen e vet konkrete në veprat e bamirësisë. Në këtë mënyrë Kisha bëhet familje e vërtetë, e bazuar mbi dashurinë vëllazërore dhe ndihmon për pajtimin e bashkëpunimin ndërmjet etnive, për të mirën e të gjithëve".
 







All the contents on this site are copyrighted ©.