2009-03-18 17:56:04

Koment i Atë Lombardit për shtegtimin e Papës në Afrikë.


(18.03.2009 RV)RealAudioMP3 Për takimin e parë të Papës me Afrikën, që nga arritja e tij e djeshme në Kamerun, të dëgjojmë drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi:

Përgjigje: - Më duket një takim i mrekullueshëm, posaçërisht pritja që na u bë në qytet: lëvizja dhjetra kilometra e gjatë, nga aeroporti deri në nunciaturë, u shoqërua me një entuziazëm të madh, me një mikpritje të ngrohtë… Edhe ipeshkvijtë e nunciaturës me të cilët isha, në sa udhëtonim, më thoshin se as ata vetë nuk e prisnin një mikpritje të kësaj natyre. Kishte vërtetë shumë njerëz, në mënyrë të posaçme në qendër të qytetit, të cilët e shprehnin dashurinë dhe gëzimin e tyre në mënyrë tipikisht afrikane: këngë, gjeste, buzëqeshje, lëvizje karakteristike të valleve të kontinentit. … Mund të them se Papa u prit si s’ka ku të vejë më mirë e, natyrisht, ai e ndjeu sa ishte i mirëpritur. E edhe fjalimi që mbajti në aeroport, m’u duk menjëherë shumë domethënës, shumë i rëndësishëm. Duhet menduar se gjatë vizitës në Kamerun do të kemi sidomos çaste kishtare; kështu që ky fjalim i drejtohej Kombit - në përgjithësi – duke e ftuar për paqe, për pajtim e duke e lavdëruar për aspektet pozitive të kulturës së paqes e të bashkëjetesës ndërmjet etnive të ndryshme të Kamerunit, por i drejtohej edhe mbarë botës, të cilën Papa e ftoi ta ndihmojë Afrikën të ecë e sigurtë në rrugën e paqes, të drejtësisë e të pajtimit, që është edhe tema e Sinodit afrikan. Interesant edhe theksimi, shumë i fortë, për mjekimin falas të të sëmurëve nga Sida. Ja pra, fjalimi i Papës hyri menjëherë në zemër të problemeve të Afrikës, ndonëse përmbledhtas. Edhe pritja që iu bë sot nga presidenti e nga autoritetet e tjera, m’u duk shumë pozitive. Mund të themi se fillimi i vizitës këtu, në Kamerun, ishte jashtëzakonisht i qetë, jashtëzakonisht i frytshëm, gjë që na bën ta shikojmë plot shpresë atë që na pret e që dëshirohet nga ky shtegtim në Afrikë.

Pyetje: - Ndërkaq vijon të jenë në qendër të vëmendjes fjalët e Papës në avion, kushtuar Sidës…

Përgjigje: - Natyrisht në një përgjigje të shkurtër mund të thuhen pak gjëra, por pikat kryesore ishin shumë të qarta. Mbi të gjitha është formimi që jep Kisha në fushën e përgjegjësisë, të përgjegjësisë edhe në mënyrën e të jetuarit të seksualitetit, në kuadrin e familjes, të martesës, të vizionit që ka Kisha për njeriun, familjen e martesën. Pastaj edhe impenjimi për kujdesin mjekësor, për ilaçet. Lidhur me këtë, Papa paraqiti si shembull projektin “Dream” të Bashkësisë së Shën Egjidit, duke u takuar sot paradite me disa përfaqësues të saj në Qendrën e formimit të këtij projekti, që ndodhet këtu, në Kamerun. Ishin 67 të rinj afrikanë, që përgatiten si veprimtarë të këtij projekti, i cili ka filluar të vihet në jetë në dhjetë vende afrikane, me 100 mijë të sëmurë në mjekim e sipër e një milion nën mbikqyrje. Kështu mund të themi se mjekimet, që për fat sot janë shumë të suksesshme, janë vënë plotësisht në jetë: flitet për një sukses që arrin në 97% . E Papa - siç thashë - kërkoi dje, gjatë fjalimit të mbajtur në Aeroport, edhe marrjen falas të këtyre mjekimeve.
Pastaj, pika e tretë, është t’u qëndrosh pranë atyre që vuajnë, e në këtë drejtim Kisha ka një traditë të shquar me gjithë praninë e saj në botën e vuajtjes. E kur Papa do të shkojë, nesër, për të vizituar edhe Qendrën Leger, do ta dëshmojë, sigurisht, edhe këtë vëmendje të Kishës për njerëzit që vuajnë. Ja, pra, mund të flasim për përgjegjësi, për impenjim, për kujdes shëndetësor e afërsi ndaj atij që vuan. Të mendosh se problemet mund të zgjidhen duke u mbështetur plotësisht ose duke e përqëndruar vëmendjen pothuajse plotësisht tek përdorimi i prezervativëve, do të thotë të gënjesh veten, sepse kjo nuk ndihmon në ndjenjën e përgjegjësisë e të rritjes së njeriut në tërësinë e tij, përkundrazi … Në këtë drejtim, pikat pozitive për të cilat impenjohet Kisha, janë krejt të tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.