2009-03-17 17:05:55

Mbledhje të hollash në këtë kohë Kreshmësh për Tokën Shenjte.


(17.03.2009 RV)RealAudioMP3 Papa dhe Kisha janë të shqetësuar për fatin e të krishterëve në Tokën Shenjte, ku dhuna i shtyn njerëzit të ikin. Letër e Kardinalit Leonardo Sandri për mbledhjen e të hollave gjatë Kreshmëve në ndihmë të Vendeve të Shenjta.
“Ajo tokë që qe djepi i Krishtërimit rrezikon të mbesë pa të krishterë.” Ky alarm u dha nga prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, Leonardo Sandri në letrën që i ka dërguar, – siç është bërë tashmë traditë për kohë Kreshmësh, – të gjithë ipeshkvijve për të promovuar solidaritetin e të gjithë të krishterëve në mbarë botën me vëllezërit e krishterë në Tokë Shenjte, “të cilët – nënvizon kardinal Sandri – së bashku me banorë të tjerë të shumë zonave të Lindjes së Mesme, ka shumë kohë që kërkojnë paqë dhe qetësi, të cilat janë ende të kërcënuara.” Këtej buron edhe “shqetësimi i thellë” i Papës dhe i Kishës përballë “rifillimit të dhunës në Rripin e Gazës” i cili e shuajti, – shkruan me hidhërim të thellë Kardinali Sandri, – gëzimin e Krishtlindjes dhe e turbulloi shpresën për të ardhmen. Kjo gjë ndodhi pas mbështetjes shpirtërore dhe materiale që popullsia e krishterë mori nga shtegtarët numri i të cilëve gjatë vitit 2008 e kaloi atë të vitit të Jubileut të 2000.
Situata e vazhdueshme e dhunës është një plagë e hapur, denoncon hirësia e tij Sandri në këtë letër, e cila i shtyn njerëzit të largohen nga Vendet e Shenjta, duke ia hequr pakicës së krishterë “burimet më të mira për të ardhmen”.
Prandaj edhe Imzot Sandri i falenderon në emër të Papës të gjithë ata që të Premten e Madhe të ardhshme do të japin ndihma për Tokën Shenjte.
Në fund letra e Imzot Sandrit shoqërohet edhe nga një listë e Kongregatës ku tregohen të gjitha punët e mira e të dobishme që janë bërë me paratë e mbledhura vitin e kaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.