(17.03.2009 RV) Por si paraqitet
sot ky vend përpara Benediktit XVI në krahasim me vitet 1985 dhe 1995 kur e pati
vizituar Gjon Pali II? Ja si u shpreh në mikrofonin tonë Imzot Jozef Akonga Esomba,
sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Kamerunit:
Përgjigje:
Kameruni është një vend që është pjekur, në shumë pikëpamje. Qysh herën e parë të
vizitës së Gjon Palit II në Kamerun, u pat kërkuar që të ngrihej një universitet katolik,
gjë që u bë realitet. Ekziston universiteti katolik i Afrikës Qendrore, që tashmë
është pikë referimi për të gjithë kontinentin. Përveç kësaj në të gjithë Afrikën shënohet
një proces demokratizimit, gjë që asokohe nuk përjetohej si duhej. Nëntë dioqeza të
reja janë themeluar nga Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, gjë që e bën Kishën shumë
të gjallë. Mund të them se Kameruni ka ndryshuar shumë që nga ajo kohë.
Pyetje:
Një nga çastet më të shumëpritura do të jetë ai i takimit me bashkësinë myslimane,
e cila është e madhe në Kamerun. Cila është situata e islamit sot në vend?
Përgjigje:
Marrëdhëniet me myslimanët në Kamerun janë shumë të mira, mund të them. Në këtë vend
ka kryesisht synitë, të cilët përbëjnë pakicën ndërsa të krishterët shumicën. Kjo
ka bërë që myslimanët të bashkëpunojnë gjithmonë me të krishterët. Kohët e fundit
vihet re ndërtimi i disa xhamive në jug të vendit nga Arabia Saudite. Marrëdhëniet
janë shumë të mira dhe respekti i ndërsjellë. Nuk ka shenja ekstremizmi nëpër zona
të tjera. Ka ndihmë vëllazërore, edhe pse Kisha është impenjuar në grupe reflektimi:
njëri prej tyre quhet “Forum Kamerun”, një tjetër vepron në planin shoqëror. Pastaj
ka edhe një grup që vepron në planin teologjik, që zhvillon reflektim teologjik mbi
dialogun ndërfetar ndërmjet bashkësisë së krishterë dhe myslimanëve.
Pyetje:
Po. Gjithashtu do të zhvillohet edhe takimi i Papës me të sëmurët. Ç’pamje ka vuajtja
në një situatë kaq të vështirë si ajo afrikane?
Përgjigje: Vuajtja është pjesë
e jetës. Jemi shumë të gëzuar që Ati i Shenjtë do të takohet me të sëmurët. Ka sëmundje
për të cilat njerëzit nuk mund të mjekohen sepse mungojnë mjetet ekonomike. Këtu
njerëzit janë ende shumë të varfër. Ndonjë vdes nga malarja sepse nuk i ka mundësitë
për t’u mjekuar në spital. Kisha katolike po punon shumë, veçanërisht nëpër qendrat
shëndetësore që mbahen nga murgeshat dhe meshtarët. Kjo është diçka shumë, shumë e
gjallë këtu në Kamerun.
Pyetje: Si po e përjeton Kisha e Kamerunit por edhe
e të gjithë Afrikës, temën e Sinodit të Dytë të Ipeshkvijve të Afrikës, domethënë
impenjimin e Kishës Afrikane për pajtimin, për drejtësinë dhe paqën?
Përgjigje:
Afrika, fatkeqësisht, është kontinenti ku ka jo vetëm varfëri, por edhe luftra e refugjatë,
pasojë e konflikteve të armatosura dhe e interesave egoiste të disa personave. Mendoj,
pra, se të gjithë njerëzit, mbi të gjithë, rinia, do të dëshironte që në të ardhmen
të kishte drejtësi, do të donte të jetonte në paqë. Për të jetuar mirë si krijesa
të denja, të krijuara nga Zoti, ka nevojë për këtë drejtësi dhe për këtë paqë.
Pyetje:
E në fund, cila do të jetë përshëndetja që Kameruni do t’i drejtojë Papës?
Përgjigje:
Do të jetë përshëndetja e një Kishe, e një bashkësie besimtarësh që pret Bariun, që
pret pasardhësin e Shën Pjetrit, i cili vjen këtu për t’u dhënë zemër dhe për t’u
bërë thirrje bijve të tij në fé, që t’i qëndrojnë besnikë asaj feje që kanë marrë
ditën e Pagëzimit në mënyrë që të jenë me të vërtetë ashtu siç thuhet në titullin
e Sinodit: “Ju jeni kripa e tokës, ju jeni drita e botës”. Në mënyrë që të krishterët
e këtij vendi t’i ftojnë të tjerët të kuptojnë se të jetosh si i krishterë, do të
thotë të jetosh në mënyrë të ndryshme nga e zakonshmja dhe se feja në Krishtin e ndryshon
rrënjësisht njeriun.