2009-03-17 15:09:36

Identiteti misionar i meshtarit në Kishë – në qendër të mbledhjes plenare të Kongregatës për Klerin: intervistë me imzotin Piaçenca


(17.03.2009 RV)RealAudioMP3 “Identiteti misionar i meshtarit në Kishë” është titulli i asamblesë plenare të Kongregatës për Klerin, që filloi dje në Vatikan e do të vijojë deri të mërkurën e ardhshme. Folëm për këtë mbledhje të rëndësishme me imzot Mauro Piaçencën, sekretar i dikasterit:

Përgjigje: - Identiteti misionar i meshtarit është absolutisht qëndror, si përsa i përket natyrës së meshtarisë, ashtu edhe për kryerjen e shërbimit e për karakterin misionar të vetë Kishës. Misioni nuk është e as nuk mund të jetë një element ‘ndihmës’ për identitetin kishtar e, në të, për identitein meshtarak. Misioni meshtarak varet drejtpërdrejtë nga misioni i marrë prej Zotit. Si përfundim mund të themi se meshtari duhet të jetë plotësisht i qartë për mandatin apostolik, që i është besuar, e për përkimin sa më të plotë me Krishtin meshtar.

Pyetje: - Në ç’këndvështrime do të analizohet tema e identitetit misionar të meshtarit?

Përgjigje: - Do të shikohet nga vetë mendimet, që do të shprehin Etërit e mbledhjes plenare, por sigurisht njëra nga vijat kryesore është ajo e formimit të përhershëm që – siç është e natyrshme - lidhet ngushtë me formimin fillestar. Është gjithnjë në pritë rreziku i njëjtësimit të tepruar të formimit me informimin, të studimit me transmetimin e taktikave e metodave, që mund të jenë të nevojshme në vende ose në çaste të tjera. Formimi natyrisht kërkon edhe informim, por jo vetëm kaq: rruga më e mirë për t’i formuar meshtarët me frymë vërtetë misionare, nuk është thjeshtë ajo e kryerjes me sukses të studimeve, por kryesisht ajo e rritjes së dashurisë për Zotin, për Kishën, për shpirtërat, duke u interesuar gjithnjë për të tjerët. Shtyllat kryesore të këtij formimi janë: thellimi jetës shpirtërore personale, lidhja e ngushtë me të mbinatyrshmen e formimi doktrinor. Duhet të jemi misionar të së vërtetës, të vërtetës së plotë e vetëm të së vërtetës, e e vërteta nuk është koncept, por është Jezusi! E duhet edhe ta kemi shumë të zhvilluar përgjegjësinë për ta bërë mirë të mirën e të jemi të formuar për marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, për t’i tërhequr të gjithë në rrugën tonë, që është rruga e Jezusit.







All the contents on this site are copyrighted ©.