2009-03-16 18:11:20

Të dhurojë Krishtin, ky është synimi i Papës për shtegtimin në Afrikë. Kisha nuk ka qëllime ekonomike, shoqërore e politike.


(16.03.2009 RV)RealAudioMP3 Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI i foli botës për qëllimet e shtegtimit apostolik në Afrikë, ku do të vizitojë Kamerunin e Angolën: të dhurojë Krishtin e Lajmin e mirë të Kryqit”. Kisha – tha Papa – nuk kërkon të arrijë qëllime ekonomike, shoqërore e politike. Mendimi i Benediktit XVI shkoi kryesisht tek njerëzit që vuajnë, por edhe tek sfidat e shpresat e të gjitha popullsive afrikane, të cilat ia besoi Shën Jozefit.
Që nesër e deri më 23 mars Papa do të jetë në Afrikë. Do ta fillojë shtegtimin në Jaundé të Kamerunit, për të dorëzuar planin e punës së Asamblesë së dytë të posaçme për sinodin e ipeshkvijve të Afrikës i cili, sipas parashikimit, do të mbahet në Vatikan në tetorin e ardhshëm. Më pas do të vijojë shtegtimin në Luandë të Angolës, vend që pas një lufte të gjatë të brendshme, rigjeti më në fund paqen e tani po bën hapa të guximshme në rrugën e rikthimit të drejtësisë. Papa tregoi me ç’ndjenja përgatitet të niset për në Afrikë:
“Me këtë vizitë dua të rrok simbolikisht mbarë Kontinentin afrikan: mijëra ndryshimet e tij e thellësinë e shpirtit të tij fetar; kulturat e lashta e ecjen e tij të vështirë në rrugën e zhvillimit e të pajtimit; problemet e rënda, plagët e dhimbshme, por edhe mundësitë e jashtëzakonshme e shpresat e tij”.
Dua t’i përforcoj katolikët në fe – shtoi Benedikti XVI – t’u jap zemër të krishterëve për të shpejtuar hapin në rrugën ekumenike, t’u çoj të gjithëve kumtin e paqes, që Zoti i Ngjallur ia besoi Kishës:
“Po, të dashur vëllezër e motra! Nisem për Afrikë me vetëdijen se nuk kam ç’t’u propozoj e as t’u dhuroj gjë tjetër atyre që do të takoj, përveç Krishtit e Lajmit të Mirë të Kryqit të tij…”.
“Krishti e Kryqi i tij”, misteri më i lartë i dashurisë hyjnore – kujtoi Ati i Shenjtë dhe, në të dielën e tretë të Krezhmëve, citoi predikimin e Shën Palit për këtë dashuri, e cila fiton mbi çdo kundërshtim njerëzor, duke e bërë të mundur deri faljen e dashurinë për armiqtë:
“Ky është hiri i Ungjillit, i aftë ta shndërrojë botën; e ky është hiri që mund ta përtërijë edhe Afrikën, sepse prej tij buron një forcë e pakundërshtueshme paqeje e pajtimi të thellë, rrënjësor”.
Kisha, pra, nuk ka synime ekonomike, shoqërore e politike – shpjegoi Papa – Kisha kumton Krishtin, e sigurtë se Ungjilli mund të prekë zemrat e të gjithëve e t’i shndërrojë, duke i rinuar kështu nga brenda, njerëzit e shoqërinë”
Më pas Papa iu lut Shën Jozefit, Pajtor i Kishës universale, festa e të cilit – që është edhe dita e emrit e Papës Jozef Racinger - do të kremtohet më 19 mars, gjatë shtegtimit të Atit të Shenjtë në Afrikë. Prandaj Benedikti XVI ia porositi ndërmjetësimit të tij shtegtimin e afërt në Afrikë si dhe të gjitha popullsitë afrikane, me sfidat që duhet të përballojnë e shpresat që kanë për një ardhmëri më të mirë:
Në mënyrë të posaçme mendoj për viktimat e urisë, të sëmundjeve, të padrejtësive, të ndeshjeve vëllavrasëse e për të gjitha format e dhunës e cila, për fat të keq, vijon të godasë të rritur e fëmijë, pa kuryer as misionarët, priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e vullnetarët”.
Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa inkurajoi të gjithë universitarët, të cilët dje, në bazilikën e Apostullit të Popujve jashtë Mureve të Romës, përfunduan Jubileun e tyre kushtuar Shën Palit. Një etapë e rëndësishme – nënvizoi Benedikti XVI – e dialogut gjithnjë të hapur ndërmjet Kishës e universitetit. Prej këndej, urimi që në të gjitha Kishat e veçanta të vihet në qendër të vëmendjes puna baritore me universitarët, për të edukuar të rinjtë e për të formuar një kulturë, që frymëzohet nga Ungjilli.
Në përfundim, pëshëndetjet në gjuhë të ndryshme drejtuar besimtarëve, ardhur nga të katër anët e botës. Një përshëndetje e posaçme për 1000 vajzat e vogla, rreth moshës 10-11 vjeçare, anëtare të Shoqatës ‘Udhërrëfyes e skaut katolikë të Evropës’, së bashku me 200 shoqërues, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit. Udhërrëfyesit erdhën që të shtunën e kaluar në Romë, për të marrë pjesë në takimin e tyre të .
Takimet kombëtare organizohen gjithnjë në muajin mars, në prag të 25 marsit, solemnitet i Lajmërimit të Zojës së Bekuar, ditë në të cilën kalendari liturgjik kremton përgjigjen “U bëftë mbi mua si është fjala jote”, që Virgjëra Mari i dha Engjëllit lajmëtar.Prej këndej, përshëndetja e Papës drejtuar vajzave:
“Vogëlushe të dashura, thojini edhe ju gjithnjë Zotit: “Ja ku jam!”, ashtu si Virgjëra Mari: thojeni me gjithë zemër, e do të jeni rreze drite për botën. Ju falënderoj që erdhët!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.