Papa do të shpallë në qershor një Vit të veçantë Meshtarak: presbiteri të jetë dëshmitar
“i dukshëm” i Krishtit.
(16.03.2009 RV)Do të fillojë më
19 qershor të këtij viti për të përfunduar në të njëjtën datë në vitin 2010 “Viti
meshtarak”, i cili do të nënvizojë se çdo meshtar duhet të priret drejt “përsosurisë
shpirtërore”, nëse dëshiron që misioni i tij të ketë sukses. Kështu tha sot paradite
Papa Benedikti XVI, gjatë audiencës me pjesëmarrësit e Asamblesë së përgjithshme të
Kongregatës për Klerin. Është e rëndësishme, pohoi Ati i Shenjtë, që meshtari të jetë
i formuar sipas mësimeve konciliare e të japë gjithnjë një dëshmi të dukshme, si përsa
i përket moralit, ashtu edhe përsa i përket pamjes së jashtme. E Papa përmendi
tri shtylla, ku mbështetet jeta e meshtarit: të shenjtërojë, të mësojë, të udhëheqë.
Janë tri vlera dhuratë, drejt të cilave duhet të priret meshtari për të ndjekur shembullin
e Jezu Krishtit e të Apostujve: “Pikërisht për të favorizuar këtë prirje të
meshtarëve drejt përsosurisë shpirtërore, nga e cila varet sidomos suksesi i ministerit
të tyre, vendosa të shpall një Vit të veçantë Meshtarak, i cili do të nisë më 19 qershorin
e ardhshëm deri më 19 qershor 2010. Bie në fakt, 150-vjetori i vdekjes së Famullitarit
të Shenjtë të Arsit, Gjovani Maria Vianej, shembull i vërtetë i Bariut në shërbim
të grigjës së Krishtit”. Tradita kishtare dymijë vjeçare, shpjegoi Benedikti
XVI, e ka shkëputur efikasitetin sakramentor të meshtarit nga gjendja e tij ekzistenciale,
por formimi i përhershëm mbetet përparësi e madhe e delikate, për të cilin ipeshkvijtë
luajnë një rol shumë të rëndësishëm. E pikërisht atyre, Papa u tha: “Është
e rëndësishme të favorizohet ndër meshtarë, sidomos në brezat e rinj, kuptimi i drejtë
i teksteve të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, të interpretuara në dritën e krejt
bagazhit doktrinal të Kishës. Është urgjente edhe riformimi i asaj vetëdije, që i
shtyn meshtarët të jenë të pranishëm, të identifikueshëm dhe të dukshëm si për fenë
e tyre, ashtu edhe për virtytet personale e për veshjen, në kuadrin e kulturës e të
dashurisë, gjithnjë në qendër të misionit të Kishës”. Ndryshimet e mëdha të
dhjetëvjeçarëve të fundit dhe përvoja e fituar, vazhdoi Ati i Shenjtë, kërkojnë përdorimin
e “energjive më të mira kishtare” për kujdesin ndaj kandidatëve për meshtarë: “Në
këtë kuptim, është e nevojshme të vigjëlojmë, në mënyrë që “strukturat e reja” apo
organizatat baritore të mos mendohen për një kohë, në të cilën mund të jetohet pa
ministerin e shuguruar, duke u nisur nga një interpretim i gabuar i rolit të laikëve,
sepse në atë rast, do të krijoheshin premisat për zbehjen e mëtejshme të rolit të
meshtarit dhe, “zgjidhjet” eventuale do të përkonin dramatikisht me shkaqet reale
të problematikave bashkëkohore të lidhura me ministerin”. Benedikti XVI kujtoi
katër aspektet e misionit meshtarak. Ai, tha Ati i Shenjtë, është “kishtar”, pasi
“askush nuk shpall vetveten”, por Zotin. Është “me natyrë bashkësie”, pasi zhvillohet
“në unitet e në bashkim”. E së fundi, misioni i meshtarit është “hierarkik” e “doktrinal”,
aspekte këto, që nënvizojnë rëndësinë e disiplinës kishtare e të formimit të vazhdueshëm
doktrinor, jo vetëm teologjik. Siç informon një notë e Selisë së Shenjtë, viti
kushtuar meshtarëve do të ketë si temë: “Besnikëria e Krishtit, besnikëri e
meshtarit”. Benedikti XVI do ta hapë atë më 19 qershor, me kremtimin e Lutjes
Mbrëmësore, në solemnitetin e Zemrës së Shenjtë të Krishtit dhe në Ditën e shenjtërimit
të meshtarëve. Lutja do të bëhet para relikeve të Famullitarit të Arsit, që do të
sillen në Romë nga ipeshkvi i Belej-Arsit. Po Ati i Shenjtë do ta mbyllë këtë vit
të veçantë më 19 qershor 2010, me pjesëmarrjen në “Takimin Botëror Meshtarak” në Sheshin
e Shën Pjetrit në Vatikan. Gjatë këtij viti jubilar, Papa do ta shpallë shën Gjovani
Maria Vianejin “Pajtor të të gjithë meshtarëve të botës”. Do të botohen gjithashtu,
“Direktivat për Rrëfyesit dhe Drejtuesit Shpirtërorë” sëbashku me një përmbledhje
tekstesh të Papës mbi temat thelbësore të jetës e të misionit meshtarak në epokën
aktuale. Aktivitete të ndryshme gjatë vitit, përfundon nota e Selisë së Shenjtë, do
të organizohen nga Kongregata për Klerin, në bashkëpunim me ipeshkvijtë dhe eprorët
e Instituteve fetare.