2009-03-14 15:29:02

Një javë me Benediktin XVI, në prag të shtegtimit apostolik për në Afrikë.


(15.03.2009 RV)Të formohen bashkësitë e krishtera për adhurimin eukaristik, duke përtërirë besnikërinë ndaj traditës liturgjike: kështu u shpreh Papa në audiencën me pjesëmarrësit në mbledhjen plenare të Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve.
Bashkësitë e krishtera kanë nevojë ta bazojnë gjithnjë më shumë fenë e tyre mbi Eukaristinë dhe mbi praktikën e adhurimit eukaristik. Kjo është udha kryesore liturgjike, për të arritur qëllimin. E kjo, edhe porosia që u dha Papa pjesëmarrësve në mbledhjen plenare, të cilët i priti të premten e kaluar në Vatikan, në përfundim të një takimi triditor, kushtuar pikërisht temës së adhurimit eukaristik. Papa e përfundoi fjalimin e tij me një mendim kushtuar ngjinesës së Krezhmëve: na ndihmofshin – tha Ati i Shenjtë – të largohemi nga çdo gjë, që na e huton shpirtin.

Mirënjohje e thellë: kjo është ndjenja, që përshkon reagimet e ipeshkvijve për letrën e Benediktit XVI mbi heqjen e shkishërimit prelatëve të Vëllazërisë së Piut X.
Të premten e kaluar, duke folur në një takim të Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, kardinali Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, pohoi se ‘Papa nuk është vetëm” e se të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt, janë thellësisht të bashkuar me të.

“Një fjalë sqaruese”. Papa e paraqiti kështu letrën mbi faljen e shkishërimit ipeshkvijve të shuguruar nga imzot Lëfevrë.
U botua të enjten e kaluar nga Salla e Shtypit e Vatikanit, Letra e Benediktit XVI drejtuar ipeshkvijve të Kishës katolike lidhur me heqjen e shkishërimit katër ipeshkvijve të shuguruar nga imzot Lëfevrë. Një letër e gjatë, për të sqaruar një ngjarje - shkruan Papa - që shkaktoi brenda e jashta Kishës Katolike një diskutim tepër të zjarrtë, që nuk ishte dëgjuar prej kohe”.
Papa e jetoi thellësisht ngjarjen e gjestit të heqjes së shkishërimit e të reagiemve që e pasuan. E pohon këtë Atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit. E lidhur me këtë Letër papnore, vëren: “Deri tani Benedikti XVI nuk ishte shprehur asnjëherë në mënyrë kaq personale e të thellë mbi një argument të diskutuar. Nuk ka asnjë dyshim - vijon Atë Lombardi - se Letra është e tija, nga fjala e parë, tek e fundmja.

“Falënderojmë thellësisht Atin e Shenjtë që e ngriti diskutimin në nivelin, në të cilin duhej zhvilluar, në atë të fesë”: e shkruan këtë, në një komunikatë, Eprori i përgjithshëm i Vëllazërisë Shën Piu X, imzot Bernard Fele. Eprori i Lëfevrianëve shpjegon se bashkësia e tij nuk dëshiron ta ndalojë Traditën në vitin 1962; përkundrazi, dëshiron t’i shikojë Koncilin II të Vatikanit dhe mësimin pas-koncilar në dritën e kësaj Tradite, pa shkëputje e brenda një zhvillimi përsosurisht homogjen. Imzot Fele siguron, në përfundim, se do t’i përballojë bisedimet doktrinore, që konsiderohen si të nevojshme nga dekreti përmes të cilit hiqet shkishërimi, me dëshirën për t’i shërbyer së Vërtetës së zbuluar.

Benedikti XVI duke pritur delegacionin e Rabinatit të madh të Izraelit, pohoi: “Vij në Tokën Shenjte si shtegtar i paqes. E Atë Lombardi konfirmon se në vjeshtën e ardhshme Papa do të vizitojë Sinagogën e Romës, gjest që u vlerësua shumë nga Kongresi botëror hebraik, ashtu si u vlerësua edhe Letra drejtuar ipeshkvijve katolikë të botës, lidhur me deklaratat e imzot Uiljamsonit, që mohoi shfarosjen në masë të hebrenjve në kampet naziste të përqendrimit. Papa, deklaroi kryetari i Kongresit Lauder, foli fjalë të qarta e të padyshimta mbi mohimin e olokaustit.

Një rast për të fuqizuar paqen e dialogun ndërfetar: këtë uron Benedikti XVI për vizitën e tij të ardhshme në Tokën Shenjte. Papa foli për këtë të mërkurën e kaluar, në audiencën me delegacionin e Rabinatit të Madh të Izraelit e me Komisionin për marrëdhëniet ndërfetare me hebraizmin. Në një konferencë shtypi, mbajtur pranë radios sonë, kryerabini i Haifës, Kohen nënvizoi se ky takim mbyll përfundimisht shqetësimet, që lindën nga deklarata e Uiljamsonit dhe pohoi se Izraeli e pret me padurim vizitën e Papës.

U paraqitën të mërkurën e kaluar shtegtimet e Benediktit XVI në Afrikë e në Lindjen e Mesme. Javën e ardhshme Papa do të jetë në Kamerun e në Angola. Në maj - në Tokën Shenjte.
Afrohet, pra, vizita apostolike e Papës në Afrikë, ku do të jetë nga data 17 deri më 23 mars. Kameruni e Angola janë vendet e zgjedhura për shtegtimin e 11-të apostolik të Benediktit XVI. Të shumta arsyet që e shtynë Atin e Shenjtë të takohet me Kishën e me realitein afrikan.

E të mërkurën e kaluar edhe në Jeruzalem u paraqit shtegtimi i Papës, në program për majin e ardhshëm, kur Papa do të shkelë në Jordani, në Izrael e në Tokën Shenjte. Me gazetarët u takuan nunci apostolik, imzot Antonio Franko dhe përfaqësuesit e Kishave katolike të Lindjes së Mesme.

“Solidaritet për të kapërcyer krizën”. Kështu, u shpreh Benedikti XVI të hënën e kaluar në fjalimin që mbajti përpara Këshillit komunal të jashtëzakonshëm kapitolin, me rastin e vizitës në Kampidol. Roma duhet të rifitojë rrënjët e veta të krishtera, për t’u bërë qytet i mikpritjes e për t’iu kundërvënë të gjitha formave të diskriminimit. Këtë mesazh i la Ati i Shenjtë Qytetit të Amshuar, në përfundim të kësaj vizite historike. Papa, që preku para kryetarit të Bashkisë, Gjani Alemano dhe bashkëpunëtorëve të tij, disa tema të mprehta, që nga kriza ekonomike, tek integrimi e tek dhuna që ushtrohet në qytet, përshëndeti më pas, nga ballkoni mbi Shesh, njerëzit e mbledhur që në mëngjes heret për ta parë e për ta duartrokitur.

 Pas vizitës në Kampidol, Papa shkoi në manastirin e afërm të Shën Françeskës Romake në Tor de’ Speki. Në Kapelën e Korit u mbajt një çast i shkurtër kremtimi, gjatë të cilit u adhurua i Shenjtnueshmi Sakrament dhe u nderua trupi i Shën Françeskës Romake, në festën e saj liturgjike. Benedikti XVI u drejtoi fjalën rregulltareve, pasi ndoqi përshëndetjen e Nënës Maria Kamila Rea, eprore e manastirit.
Kështu Benedikti XVI nderoi ‘më romaken ndërmjet shenjtorëve’, ndërsa vijon ende përkujtimi i katërqindvjetorit të shenjtërimit të saj.

Presidenti amerikan, Obama i hoqi kufizimet, me të cilat administrata Bush ndalonte eksperimentet mbi embrionet, ndërsa financonte kërkimet shkencore mbi qelizat staminale e të rriturve. Hapi, kështu, rrugën për kërkime shkencore mbi qelizat staminale embrionale.
Ipeshkvijtë e vendit shprehin shqetësimin e tyre të thellë dhe e konsiderojnë këtë vendim si fitore e poltikës mbi etikën, ndërsa ripohojnë me forcë se jeta duhet mbrojtur në të gjitha fazat e saj, nga zënia në perëndimin e natyrshëm.
Pakënaqësi për këtë vendim shpreh edhe gazeta vatikanse, ‘L’Osservatore Romano’, në të cilën pohohet se njohja e dinjiteit të njeriut duhet shtrirë në të gjitha fazat e jetës njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.