2009-03-14 15:29:51

Editorial i Atë Federiko Lombardit: “Përparësitë e udha”.


(15.03.2009 RV)RealAudioMP3 Një letër intime, e thellë dhe e drejtpërdrejtë, që i preku në zemër ipeshkvijtë. Këtë e vërtetojnë shumë reagime, plot mirënjohje, nga ana e episkopatit botëror, pas botimit të Letrës së Papës për heqjen e shkishërimit katër prelatëve të Vëllazërisë së Shën Piut X. Fjalë të cilat ftojnë për pajtim, që buron nga vetë Ungjilli e ripohojnë themelet e shpirtit të magjisterit të papnisë së Benediktit XVI. Mbi përmbajtjen e letrës, të ndjekim reflektimin e drejtorit tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi:

 
“Letra e re e Papës drejtuar ipeshkvijve, është një dokument origjinal, me stil të thjeshtë e personal. Rasti – siç dihet – u krijua nga diskutimet lidhur me heqjen e shkishërimit katër ipeshkvijve, shuguruar nga imzot Lëfevrë, masë për të cilën flet Papa, duke shpjeguar qartë natyrën, kufizimet e ndjetin, dmth kërkimin e unitetit, edhe atëherë kur kjo është e vështirë. Por dokumenti ka një domethënie shumë më të gjërë, sepse bëhet dëshmi e fuqishme e përparësive dhe e kritereve të Benediktit XVI në shërbimin e tij të qeverisjes së Kishës. Papa ripohon qëllimet e mëdha parësore të Papnisë së Tij: udhëheqja e njerëzve drejt Zotit, drejt Zotit, që u zbulua në Bibël e në Krishtin; bashkimi i të krishterëve dhe ekumenizmi, dialogu ndërmjet atyre që besojnë në Zotin, dmth dialogu ndërfetar për paqen në botë; përmasa shoqërore e dashurisë së krishterë. Janë përparësi që njihen mirë që nga fjalimi i parë i Benediktit XVI në Kapelën Sikstine, përparësi të cilat i vë besnikërisht në jetë çdo ditë me fjalë e me vepra. Por Papa vë në dukje me forcë edhe cili është kriteri, që udhëheq qeverisjen e tij dhe shpirti, që e gjallëron. Është Ungjilli, Ligji i ri i Krishtit. Në se ai impenjohet dhe shprehet për udhën e pajtimit, e cila ndesh shumë kundërshtime, e bën këtë sepse Zoti na ka thënë se po të ketë “vëllau ndonjë gjë kundër nesh”, duhet ta lëmë dhuratën para elterit e të shkojmë më parë të pajtohemi me të. Ungjilli duhet marrë seriozisht, pa asnjë zbutje. Urdhëri i dashurisë është tejet kërkues. Ta falënderojmë Papën, që i dëshmoi edhe një herë, me shumë fryt, Kishës e botës, se në vend të parë është Zoti e udha më e mirë për të shkuar tek ai, është Ungjilli i Jezusit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.