2009-03-13 19:22:50

Përkujtojmë Fan Nolin në 44-vjetorin e vdekjes.


(13.03.2009 RV) Fan Noli lindi në Qytezë, fshat i banuar nga shqiptarë në rrethin e Edrenesë, më 6 janar të vitit 1882. E gjatë dhe shumë e pasur në ngjarje jeta e tij, që e çoi nga në vise të ndryshme të botës, e edhe në Shqipëri. U nis nga Qyteza në Greqi, nga Greqia në Egjipt e, që këtu, në Sh.B.A. ku luajti rol udhëheqës në përpjekjen për bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës Kombi. Në këto vite Noli krijoi vargjet e para, duke nisur edhe shqipërimet, shkroi drama, botoi artikuj në gazetën "Drita", përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit "Shqipëria ç'ka qënë, ç'është e ç'do të bëhet"… Megjithëse jetoi larg Shqipërisë, dha shumë për të.
Në moshën 27 vjeçare, kur shqiptarët ortodoksë të Amerikës kërkonin të shpëtonin nga kontrolli i ortodoksizmës greke mbi kishën, Noli u dorëzua prift. Si prift orthodoks kremtoi për herë të parë liturgjinë në gjuhën shqipe në sallën "Knights of Honor" në Boston. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Në vitin 1913 vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe kremtoi të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe, në prani të princit Vilhelm Vid.
Qe kryeministër, shumë i diskutuar, i qeverisë që doli nga revolucioni i Qershorit (17 qershor 1924). Pas kthimit të Zogut, u largua përgjithnjë nga Shqipëria.
Në 42-vjetorin e vdekjes përkujtohet si një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar, si figurë e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare; si njeri i alternativave, kontradiktave, tensioneve të brëndshme, si poet, dramaturg, muzikant e muzikolog, historian, politikan, publicist, një nga përkthyesit më të mëdhenj në shqipet, njohës i thellë i disa gjuhëve e i gjuhës amtare, peshkop ortodoks që organizoi në Amerikë Kishën ortodokse autoqefale shqiptare dhe që shqipëroi me shumë sukses një pjesë të mirë të Shkrimit Shenjt. Me të drejtë përkthimet e tij përdoren edhe sot e kësaj dita për nevojat e liturgjisë në Kishën ortodokse.Vdiq në Florida më 13 mars të vitit 1965 në moshën 83 vjeçare.







All the contents on this site are copyrighted ©.