2009-03-13 17:58:48

Papa nuk është vetëm: reagimet e ipeshkvijve pas letrës mbi prelatët e shuguruar nga imzot Lëfevrë.


(13.03.2009 RV)RealAudioMP3 Mirënjohje e thellë: kjo është ndjenja, që përshkon reagimet e ipeshkvijve për letrën e Benediktit XVI mbi heqjen e shkishërimit prelatëve të Vëllazërisë së Piut X. Një dokument që vijon të ketë jehonë të gjërë, jo vetëm në botën katolike e që po vlerësohet nga të gjithë si i pashembullt. Sot paradite, duke folur në një takim të Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, kardinali Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, pohoi se ‘Papa nuk është vetëm” e se të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt, janë thellësisht të bashkuar me të.

Benedikti XVI, pra, nuk është vetëm. Ipeshkvijtë janë me të. Të gjithë janë një mendjeje në vlerësimin e stilit të pashembullt, të përvujtë, të thjeshtë, të guximshëm e, njëkohësiht, të lirë e vëllazëror, që karakterizon letrën e Papës mbi çështjen e ipeshkvijve lëfevrianë. Kryetari i Konferencës ipeshkvnore gjermane, imzot Robert Zollitsch, që u takua sot paradite me Papën, e quajti të jashtëzakonshëm gjestin e Atit të Shenjtë:

Ich habe ein Schreiben eines Papstes in dieser persönlichen Art …
Nuk kam lexuar kurrë një shkrim të ndonjë pape, që të jetë kaq personal e kaq i hapur. E kjo më pëlqen shumë. Është edhe një shenjë komunikimi, shenjë që tregon se vetë Papa dëshiron të hyjë në biseedë me ipeshkvijtë e t’i shpjegojë mbarë kolegjit ipeshkvnor cilat ishin arsyet që e shtynë e si e perceptoi gjithë situatën. E bëri, sepse iu duk se nuk ishte kuptuar plotësisht qëllimi i fundit i këtij veprimi. Më pëlqen fakti që Papa e shprehu gjithçka mendonte në mënyrë kaq personale.
 
Stili i pashembullt i këtij dokumenti vihet në dukje edhe nga kardinali Andre Vënt-Trua, kryeipeshkëv i Parisit, intervistuar nga redaksia jonë e gjuhës franceze:

R. – Le style de cette lettre est tout à fait personnel. …
Stili i kësaj letre është vërtetë personal. Mendoj se Papa ka qenë tejet i ndjeshëm, se është prekur nga qëndrimi i disa të krishterëve, sepse ai e ka perceptuar se për disa - siç shprehet edhe ai vetë – ky ishte rast për të nxjerrë në dritë plagët e vjetra, mllefet, pakënaqësitë. Por ekziston edhe mundësia për të shprehur lidhjen e ngushtë me Kishën. E kjo është edhe arsyeja që e shtyu Papën t’u drejtonte një mesazh këtyre besimtarëve. Duke pasur parasysh reagimet e para që kam dëgjuar, komentet janë shumë pozitive dhe tregojnë se shumica i miraton shpjegimet e reflektimet, që paraqet Papa. Reflektimi i dytë, që dëshiroj të bëj, është se pikërisht kjo lidhje e gjallë ndërmjet Selisë së Pjetrit e Kishave të veçanta, formon indin e jetës së Kishës; prandaj nuk duhet të na çuditë fakti se ky ind duhet të jetë gjithnjë i gjallë, se duhet të ketë shkëmbime thelbësore e të pasura ndërmjet Papës e ipeshkvijve: ky është vetë thelbi i lidhjeve tona!
 
Mirënjohje i shpreh Papës edhe episkopati austriak, i mbledhur këto ditë në asamblenë e pranverës. Në një notë, ipeshvijtë e Austrisë nënvizojnë kujdesin baritor të Benediktit XVI, i cili deshi të shpjegonte gjërësisht arsyet, që e shtynë t’u hiqte shkishërimin ipeshkvijve lëfevrianë.

Edhe ipeshkvijtë italianë, përmes një note të Konferencës së tyre ipeshkvnore, shprehin mirënjohjen dhe e vlerësojnë Papën për fjalët sqaruese.
E kënaqësi të veçantë shprehin ipeshkvijtë zviceranë, gjë që ndjehet fort në fjalët e ipeshkvit të Luganos, imzot Pier Xhakomo Grampa, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

“E pritëm këtë letër të Atit të Shenjtë me emocion të thellë, edhe për tonin e përvujtë, vëllazëror të Papës. Letra shquhet nga një stil delikat. Uroj që ky stil të hyjë në qeverisjen e zakonshme të Kishës. I shprehim Atit të Shenjtë solidaritetin tonë. Kjo letër provon përsëri sa të papërligjura ishin mendimet e liga, pa asnjë bazë, kundër tij, por kjo mund të shërbejë edhe pozitivisht, duke rizbuluar para të gjithëve përmasat e këtij Pape, që shumkush nuk arrin t’i kapë”.
 
Eprori i Vëllazërisë së Piut X, imzot Bernard Fele, e falënderoi Papën për letrën dhe e siguroi se lëfevrianët nuk duan ta ndalin Traditën në vitin 1962, dmth para Koncilit të Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.