2009-03-13 17:59:02

Në predikimin e parë të Krezhmëve, Atë Kantalamesa foli për evolucionin, në dritën e mësimeve të Shën Palit.


(13.03.2009 RV)“Evolucionizmi, tezë e planit inteligjent, veprim i Shpirtit Shenjt në krijim”: këto ishin temat që preku Atë Raniero Kantalamesa në predikimin e parë të Krezhmëve, mbajtur sot paradite në kapelën e ‘Nënës së Shëlbuesit’ në Vatikan. I pranishëm edhe Papa Benedikti XVI.
Predikatari i Shtëpisë papnore u nis nga fjalët e Shën Palit drejtuar Romakëve:Mbarë krijesa rënkon e vuan deri më sot porsi në dhimbje të lindjes; edhe ne, që kemi farën e Shpirtit (Shenjt), rënkojmë brenda vetes në pritje që të njihemi si bij në shpirt me anën e shpërblimit e të ringjalljes së korpit tonë. (cfr Rom 8, 18-23). E këto fjalë të Apostullit të popujve i zhvilloi në dritën e teorive evolucioniste, në sfondin e dyqindvjetorit të lindjes së Darvinit. Për Shën Palin “Hyji është në zanafillë e në mbarim të historisë së botës; e udhëheq misteriozisht drejt një caku, duke vënë në shërbim të këtij qëllimi edhe lirinë njerëzore: është teza e planit inteligjent, që i kundërvihet atyre, të cilët mbështesin mendimin se kozmosi evoluon verbërisht, pa ndihmën e një force drejtuese. Por nuk është kështu:

“Në se kthehemi pas në historinë e botës, si atëhere kur shfletojmë një libër nga faqja e fundit, tek e para, si të kemi arritur në fund, kujtohemi se duket sikur mungon faqja e parë, fillestarja. Mësojmë gjithçka për botën, pëveçse pse e si filloi. Besimtari është i bindur se Bibla na e jep pikërisht këtë faqe fillestare munguese: në të, si në kapakun e çdo libri, shkruhet emri i autorit e titulli i veprës”.

 
Është një analogji, që mund të na ndihmojë ta pajtojmë besimin tonë në ekzistencën e një plani inteligjent të Hyjit mbi botën – me rastësinë e paparashikueshmërinë për të cilën flasin Darvini dhe shkenca aktuale. Është fjala për lidhjen ndërmjet hirit e lirisë.
Krijimi – pohoi rregulltari kapuçin - është vepër e Shpirtit Shenjt, që i përsos sendet, i bën të evoluojnë nga kaosi në rend. E kjo ndodh edhe me njeriun, që është kozmos i vogël:
 
“Shpirti Shenjt është ai që e bën secilin nga ne të kalojë nga kaosi në kosmoz: nga shrregullimi, nga pështjellimi e nga përhumbja, në rend, në unitet, në bukuri. Kjo bukuri ka të bëjë me qenien në përkim me vullnetin e Zotit e me shembëllesën e Krishtit, me kalimin nga njeriu i vjetër në njeriun e ri. Ne lindim ‘njerëz të vjetër’ e duhet të bëhemi ‘njerëz të rinj’. E gjithë jeta, e jo vetëm adoleshenca, është moshë evolutive. Sipas Ungjillit fëmijë nuk lindesh, por bëhesh… Krezhmët janë kohë ideale për këtë risim. Shpirti Shenjt është shpirti i kësaj përtëritjeje, i këtij risimi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.