2009-03-13 17:58:34

Benedikti XVI: të formohen bashkësitë e krishtera për adhurimin eukaristik, duke përtërirë besnikërinë ndaj traditës liturgjike.


(13.03.2009 RV)RealAudioMP3 Bashkësitë e krishtera kanë nevojë ta bazojnë gjithnjë më shumë fenë e tyre mbi Eukaristinë dhe mbi praktikën e adhurimit eukaristik. Kjo është udha kryesore liturgjike, për të arritur qëllimin. E kjo, edhe porosia që u dha Papa pjesëmarrësve në mbledhjen plenare të Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, të cilët i priti sot paradite në audiencë, në përfundim të një takimi triditor, kushtuar pikërisht temës së adhurimit eukaristik. Papa e përfundoi fjalimin e tij me një mendim kushtuar ngjinesës së Krezhmëve: na ndihmofshin – tha Ati i Shenjtë – të largohemi nga çdo gjë, që na e huton shpirtin.
Eukarisia është në zanafillë të vetë Kishës, e falë Eukaristisë, Kisha jeton e rritet vazhdimisht. Por nuk duhet harruar edhe se Eukaristia është burim i pashterrshëm hiri e, prej këndej, edhe rast i pakrahasueshëm si për shenjtërimin e njerëzimit në Krishtin, ashtu edhe për lavdërimin e Zotit. Për të shprehur rëndësinë e këtij Misteri të fesë, Benedikti XVI citoi disa herë Magjisterin e Koncilit II të Vatikanit dhe të paraardhësve të tij. Përballë këtij Misteri të pashprehshëm të fesë – pohoi Ati i Shenjtë – detyra jonë është ta perceptojmë këtë thesar tejet të çmuar, si në kremtimin e Meshës, ashtu edhe në kultin e lëndëve të shenjta. E këtë kult Kisha e ka gjithnjë në qendër të vëmendjes përmes adhurimit eukaristik:

Në Eukaristi adhurimi duhet të bëhet bashkim: bashkim me Zotin e gjallë e pastaj me Korpin e tij mistik. Siç u pata thënë të rinjve në Sheshin e Marienfeld në Këln, gjatë Meshës, kremtuar me rastin e Ditës XX Botërore të Rinisë, më 21 gusht 2005: “Zoti nuk është vetëm përballë nesh, si të ishte Tërësisht Tjetri, Është brënda nesh; e ne jemi në Të”.

 
Duke vlerësuar reflektimin e mbledhjes plenare kushtuar mjeteve liturgjike e baritore me të cilat Kisha e kohëve tona mund të promovojë fenë në praninë reale të Zotit në adhurim, Benedikti XVI kujtoi edhe shqetësimet që shprehën ipeshkvijtë gjatë Sinodit mbi Eukaristinë, mbajtur në vitin 2002, mbi pështjellimin që u vërejt pas Koncilit për lidhjen ndërmjet Meshës e adhurimit. Në të, siç na mëson fjala latine (ad-oratio), nënkuptohet ideja e dashurisë për Zotin, një dashuri që kërkon të dëshmohet, për t’u bërë masë sunduese e botës:

Në Eukaristi jetohet shndërrimi themelor i dhunës në dashuri, i vdekjes në jetë; ajo pastaj sjell me vete shndërrime të tjera. Buka e vera bëhen Korpi e Gjaku i Tij. Por në këtë pikë, shndërrimi nuk duhet ndalur, madje pikërisht këtu duhet të fillojë plotësisht. Korpi e Gjaku i Krishtit na jepen, që edhe ne të shndërrohemi”.

 
Duhet theksuar – vijoi Benedikti XVI – se edhe praktika e adhurimit eukaristik ka nevojë të përtërihet; e kjo mund të realizohet vetëm përmes një njohjeje më të madhe të Misterit, duke i qëndruar plotësisht besnikë traditës e, njëherësh, duke thelluar jetën liturgjike në bashkësitë tona, me një vëmendje të veçantë për formimin e seminaristëve. Duke kujtuar Krezhmët, që po i jetojmë e që janë kohë e zgjedhur për praktikë shpirtërore, Papa përfundoi me fjalët:

“Duke kujtuar tri praktikat pendestare, shumë të dashura për traditën biblike e kristiane - lutjen, lëmoshën e agjërimin – ta inkurajojmë njëri-tjetrin për ta zbuluar e për ta jetuar me zell të ri agjërimin, jo vetëm si praktikë asketike, por edhe si përgatitje për Eukaristinë e si armë shpirtërore, për të luftuar kundër lidhjes me çdo prirje të parregullt, që mund të na e trazojë shpirtin. Kjo periudhë intensive e jetës liturgjike, na ndimoftë të largohemi nga çdo gjë, që na e huton mendjen e për të thelluar gjithçka që na e ushqen shpirtin, duke ia hapur zemrat Zotit e të afërmit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.