Përkujtojmë sot 17-vjetorin e vdekjes së poetit Martin Camajt
(12.3.2009 RV)Poeti i madh shqiptar, lindi më 21 korrik 1925 në Temal të Dukagjinit.
Në vitin 1948 u arratis nga Shqipëria për t’i shpëtuar ferrit komunist. Më vonë, duke
u endur nga Beogradi në Romë, nga Roma në Mynih, do të kuptonte se ai mund të shkonte
kudo, me përjashtim të vendit të vet, ku nuk u kthye as i vdekur. Martin Camaj
ishte nxënës i jezuitëve, gjë që më vonë ndikoi në orientimin e tij kulturor e intelektual.
Emri Martin Camaj na kujton veprën e tij, që nis vëllimin poetik “Një fyell ndër male”,
botuar më 1953 në Prishtinë e vijon me botimet në revistën “Shęjzat” (1957-1975),
me vëllimet “Legjenda” (Romë, 1964), “Lirika mes dy moteve” dhe “Njeriu me vete e
me të tjerë”, (Mynih 1967 e 1978), romanet “Djella” (1964) “Dranja”(1981) “Shkundullima”(1981)
Rrathë (1981) dhe “Karpa”(1987) si dhe antologjinë “Këngë shqiptare” ( Düsseldorf
1974). Camaj është edhe një ndër albanologët më të shquar, kryesisht me punimet
e tij mbi gjuhën shqipe, historinë dhe të sotmen e saj. Ndër studimet kryesore mund
të përmenden: “Meshari i Gjon Buzukut” (Romë, 1960); “Tekst mësimor i gjuhës shqipe”
( Wiesbaden, 1969); “E folmja shqipe në provincën e Avelinos” ( Firence 1971) e sidomos,
“Gramatika shqipe” ( Wiesbaden 1984). Martin Camaj vdiq më 12 mars të vitit 1992
në Lenggries të Bavarisë. Fjalët e fundit të poetit ishin: “Të dashun miq e vëllazën
shqiptarë, intelektualë…gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time:
ky vlerësim na afron. Bâtë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Po e kujtojmë
sot, në 17 vjetorin e vdekjes, me poezinë “Elegji e Parë”:Kur kam me qenë i këputun nga
mundi i vjetve të rrëpita sa 'i shkamb, mos të vijë keq ty, Taze, për mue të
shtrimë mbi drrasat e vdekjes, kingj i gatuem për flije. Leni plakat të qajnë
mbi mue at ditë për njerzit e vet, vdekë qysh kur. Edhe një amanet, moj grue: kur
vdiq im atë, premë dy qe me ngimun të unshmit e thneglat e lamit me grimca
buke. Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë të ngishëm, prandej ndër drekët
e mija qitni vetëm kafe të idhta. Martin Camaj