Papa priti në audiencë delegacionin e Kryerabinit të Izraelit
(12.3.2009 RV)Një rast për të përforcuar
paqen e dialogun ndërfetar: këtë uroi Papa Benedikti XVI për vizitën e tij të ardhshme
në Tokën Shenjte, në program në muajin maj. Ati i Shenjtë Jozef Racinger foli sot
për këtë gjatë audiencës, në Vatikan, me delegacionin e Rabinatit të Madh të Izraelit
e të Komisionit të Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet fetare me Hebraizmin. Një moment
domethënës për të ripohuar ekzistencën e marrëdhënieve të posaçme ndërmjet katolikëve
e hebrenjve. Papa kujtoi se përforcimi i këtij dialogu është fryt i udhëtimit të Gjon
Palit II në Tokën Shenjte në vitin 2000, nga i cili udhëtim apostolik buruan takimet
ndërmjet dy organizmave të përmendura më sipër. Do ta vizitoj Tokën Shenjte si
shtegtar “për t’u lutur në mënyrë të posaçme për dhuratën e çmueshme të bashkimit
e të paqes në rajon si dhe për familjen njerëzore në mbarë botën”: kështu e përmblodhi
Benedikti XVI qëllimin e udhëtimit të tij të shumëpritur apostolik në muajin maj: “Uroj
që vizita ime ta thellojë më tej dialogun e Kishës me popullin Hebré në mënyrë që
hebrenjtë, të krishterët e myslimanët të mund të jetojnë në paqe e harmoni në këtë
Tokë të Shenjtë”. Më tej Papa e vuri theksin mbi frytet që ka dhënë dialogu hebraiko
- i krishterë. Një dialog, tha Ati i Shenjtë – që, siç na mëson dokumenti i Koncilit
të II të Vatikanit “Nostra Aetate” është i domosdoshëm e i mundshëm” sepse kemi “një
thesar të përbashkët shpirtëror”. E më tej Papa ripohoi “impenjimin personal të tij”
për të çuar përpara vizionin e ravijëzuar nga dokumenti i Koncilit të II të Vatikanit,
“Nostra Aetate”. “Duke punuar së bashku – tha Papa duke iu drejtuar dy delegacioneve
të pranishme në audiencën e sotme në Vatikan – ju keni kuptuar gjithnjë e më tepër
vlerat e përbashkëta që janë në themel të traditave fetare përkatëse”. E Ati i
Shenjtë përmendi disa tema themelore që janë trajtuar në takimet e përvitshme bilaterale
në Romë e Jeruzalem si: “shenjtërimi i jetës, vlerat familjare, drejtësia shoqërore
e sjelljet morale” e akoma, “edukimi, marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve civile e
fetare, liria fetare e ndërgjegjja”. Në deklaratat e përbashkëta në përfundim të takimeve,
vërejti Ati i Shenjtë, janë “vënë në dukje” idetë e rrënjosura në të dyja palët rreth
bindjeve fetare duke mos munguar të trajtohen e ballafaqohen edhe dallimet që ekzistojnë
mes njërës e tjetrës bindje fetare: “Kisha – vijoi Papa – pranon se zanafilla
e fesë së vet” është e themeluar mbi ndërhyrjen hyjnore “në jetën e popullit hebre
e se këtu qëndron aspekti unik i marrëdhënieve tona”. Të krishterët, janë “ të
lumtur në njohjen e pranimin e faktit se rrënjët e fesë së tyre bazohen mbi vet-dëftimin
e Zotit” prej nga ushqehet edhe përvoja fetare e popullit hebre. Në përshëndetjen
drejtuar Papës, kryerabini i Haifës, Shirë Jashuv Kohen, nënvizoi se ky takim përfaqëson
një moment pozitiv në dialogun ndërmjet Kishës katolike e botës hebraike. Këndej,
e falënderoi Papën për ripërtëritjen e angazhimit të tij për të vazhduar në udhën
e përvijuar nga dokumenti “Nostra Aetate”, duke refuzuar çdo formë të antisemitizmit
e të mohimit të Holokaustit. Së fundi, kryerabini lëvdoi rolin pozitiv që luan Vëzhguesi
i Vatikanit në OKB duke bërë që Konferenca e ardhshme ndërkombëtare e Durbanit mbi
racizmin të mos shndërrohet në një rast për të sulmuar Shtetin e Izraelit.