2009-03-12 16:25:36

Më 12 mars, Kisha përkujton Shën Maksimilianin e Tebesës, martir.


(12.3.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin liturgjik, sot më 12 mars, Kisha përkujtoi Shën Maksimilianin e Tebesës, martir. Nga rrëfimi “Mbi martirizimin e Shën Maksimilianit”, mësojmë se Shenjti pësoi mundimet më 12 mars të vitit 295 nën konsullatën e Tuskos e të Anulinos, në Tebesë, pranë Kartagjenës. Ishte bir i veteranit Fabio Viktori e, sipas ligjeve të kohës, duhej të ndiqte karrierën e të jatit. Por djaloshi i krishterë nuk e pranoi këtë rrugë, ndonëse ishte plotësisht i aftë për shërbimin ushtarak. U detyrua të shkonte në For e të paraqitej para prokonsullit Dioni, i cili e pyeti për arsyet e mospranimit të karrierës së lavdishme që e priste. Maksimiliani u përgjigj me vendosmëri: “Nuk më lejohet të bëj shërbim ushtarak, sepse jam i krishterë”. E kjo, për dy arsye. Së pari, sepse hyrja në shërbimin ushtarak paraprihej nga një akt kulti kushtuar idhujve; së dyti, sepse kërkonte kryerjen e akteve të dhunës. U bë kështu i pari i krishterë që nuk pranoi të shërbente nën armën që vret, për arsye ndërgjegjeje, në emër të Krishtit. Kështu, duke dëgjuar zërin e ndërgjegjes, ai që refuzoi të përdote armën, vdiq nga arma. Ishte vetëm 21 vjeç. Para se të martirizohej, ia fali një ushtari romak uniformën e re, që i jati ia kishte përgatitur për shërbimin ushtrak. Trupi i tij i martiriziuar u mbart nga një matronë romake e u varros pranë varrit të Shën Çiprijanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.