2009-03-11 16:52:57

Përkujtojmë një grup martirësh të fesë katolike, vrarë te Zalli i Kirit më 11 mars 1948.


(11.03.2009 RV)RealAudioMP3 Në nëntor të 2002-shit, në sa kardinali Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e popujve takohej me prelatët e Konferencës Ipeshkvnore katolike të Shqipërisë në Seminarin e Madh të "Zojës së Këshillit të Mirë" në Shkodër, kujtoi dy ipeshkvijtë e mëdhenj martirë, Imzot Vinçenc Prennushin dhe Imzot Frano Gjinin, si edhe radhën e gjatë të martirëve e të dëshmitarëve të fesë: priftërinj, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë.
Që kujtimi i tyre të mos humbasë - nënvizoi kardinali Sepe - por të bëhet shembull për breznitë e ardhshme, është detyra juaj, më se e ligjshme, ta çoni më tutje çështjen e beatifikimit të shumë vëllezërve heroikë në fe. Një nismë e tillë do t'i sigurojë Kishës në përgjithësi, e asaj shqiptare në veçanti, një numër të madh ndërmjtësuesish para fronit të Zotit.
Ndërmjet tyre janë edhe Imzot Frano Gjini, Atë Mati Prendushi e Atë Çiprjan Nika- për të cilët tashmë ka filuar procesi dioqezan i beatifikimit.
Ishte data 11 mars 1948 kur shkodranët e tmerruar dëgjuan përsëri të shtëna mitrolozi te Zalli i Kirit. Flijoheshin këtë ditë për Krishtin e për Shqipërinë, përveç tre meshtarëve të lartpërmendur, edhe Monsinjor Nikollë Deda bashkë me 12 besimtarë katolikë.

Monsinjor Nikollë Deda:
Lindi në Shkodër më 1892. Mësimet e para e të mesme i kreu në vendlindje, pranë Kolegjës Saveriane, të lartat- në Romë (Itali) e në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më 1917: Shërbeu në Qelës (Pukë) e Hajmel. Gjatë këtyre viteve, për shërbim shembullor meshtarak, iu dha titulli Monsinjor.
U arrestua në dhjetor 1946. E torturuan aq, sa kur i sollën në qeli një meshtar tjetër e nuk e njohu ai, me një humor tragjik, i tha: "Mos harro se dikur kam pasë kenë Dom Nikollë Deda".
E gjykuan me akuzat e zakonshme në një gjyq-farsë. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 11 mars 1948.

Atë Mati Prendushi:
Lindi në Shkodër më 1882. Mësimet e para e të mesme i kreu në Shkollën françeskane; të lartat, në Grac-Austri. Meshën e parë e çoi më 1904. Më 1911 ishte pranë Dedë Gjo'Lulit, në sa ky shpaloste në majë të Deçiqit flamurin shqiptar, larë me gjakun e bijve të vet. Jugosllavët e dënuan me vdekje si atdhetar i flakët, por më pas ia falën dënimin. Shërbeu si famullitar në Bajzë, Gomsiqe, Tiranë e Shkodër, ku më 1943 qe provinçal i fretënve.
U arrestua nga komunistët më 1946 e u dënua rishtas me vdekje, këtë radhë nga bashatdhetarët e vet, i akuzuar si tradhtar i Atdheut. U pushkatua më 11 mars 1948 te Zalli i Kirit.

Atë Çiprjan Nika:
Lindi në Shkodër më 19 korrik 1900. Mësimet fillore e të mesme i kreu në Shkodër, të lartat - në Austri. U shugurua meshtar më 1924. Më 1938 qe provinçal i fretërve; nga viti 1943 deri më 1936 - guardian i kuvendit françeskan në Shkodër. U arrestua më 1946 me akuzën e fshehjes së armëve në kishën françeskane, armë të vendosura aty nga vetë sigurimi, histori që është shtjelluar gjërë e gjatë nga Nikë Stajka, i pranishëm në këtë skenë kulmore të tragjedisë së Kuvendit të Gjuhadolit, në librin "Dera e Thyeme".
U pushkatua pa gjyq më 11 mars 1948.
Mbeti në kujtesën e atyre që e njohën, si meshtar shenjt, i përvuajtur, i kulturuar, atdhetar, muzikant e shkrimtar i talentuar: përmbushte kështu të gjitha kushtet, të cilat në Shqipërinë komuniste të çonin në pushkatim.

Imzot Frano Gjini:
Lindi në Shkodër në vitin 1886. Pasi kreu Kolegjën Saveriane, vijoi studimet në Universitetin Urbanian në Romë. Menjëherë pas shugurimit u kthye në Atdhe dhe filloi shërbimin meshtarak si famullitar në Laç, Vlorë e Durrës. Më 1930 u emërua Ipeshkëv i Durrësit; dy vjet më vonë - Ipeshkëv i Abacisë së Mirditës me selí në Orosh; më 1945, pas largimit të delegatit apostolik, Imzot Nigris, nga Shqipëria, u emërua nga Selia e Shenjtë zevendës-delegat apostolik. Ishte e para herë që një shqiptari i besohej një detyrë kaq e lartë.
U arrestua në tetor 1946 me akuzën "agjent i Vatikanit" së cilës s'munguan t'i shtoheshin edhe akuza të tjera. Gjeti në qeli pjesën kryesore të sivëllezërve në meshtari.Por atij, si zevendës-delegat, iu bë një trajtim i posaçëm: mbi trupin tij komunistët eksperimentuan të gjitha llojet e torturave, për ta bindur ta shkëpuste Kishën katolike nga Selia e Shenjtë. Qëndroi si shenjtënt, derisa e pushkatuan më 11 mars 1948, duke ia këputur brohoritjen e fundit: "Rrnoftë Krishti mbret! Rrnoftë Shqipnia, edhe pa ne!".
Selia e Tij nuk mbeti e zbrazët: pas Imzot Angelo Massafrës, që tani i prin kryedioqezit metropolit të Shkodër-Pultit, Papa Gjon Pali II emëroi Monsinjor Kristofor Palmierin, rregulltar nga Bitonto (Bari), Admintrator Apostolik i dioqezit të Rrëshenit.







All the contents on this site are copyrighted ©.