2009-03-11 16:37:21

Papa në audiencën e përgjithshme, flet për Shën Bonifacin e dënon terrorizmin që rrezikon procesin e paqes në Ulster.


(12.03.2009 RV)RealAudioMP3 “Lutem që askush të mos i nënshtrohet tundimit të tmerrshëm të dhunës”. Thirrja e Benediktit XVI për paqe në Irlandën e Veriut, vënë në rrezik nga dy atentatet e fundit, ishte në qendër të vëmendjes në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Pas katekizmit, kushtuar figurës së Shën Bonifacit, ipeshkëv që jetoi në shekullin VIII, Papa kërkoi të shumëfishohen përpjekjet për të mos i shuar shpresat, që u ndezën nga procesi i paqes në Ulster.

Tre të vdekur, si rrufe në qiell të kthjellët, në tokën që tridhjetë vjet me radhë u mbyt në gjak nga një urrejtje, në dukje e pashërueshme, por që më pas u paqëtua për një dhjetëvjeçar, falë drejtpeshimit të brishtë, arritur në të Premten e Madhe të vitit 1998. Tani në Ulster rikthehet frika e vjetër e Benedikti XVI nuk vonon të shprehë mendimin e tij, duke e dënuar ashpër rikthimin e dhunës, që i kushtoi jetën dy ushtarëve britanikë dhe një polici:
Dënoj vendosmërisht këto akte të urryera të terrorizmit të cilat, përveçse dhunojnë jetën njerëzore, dëmtojnë seriozisht procesin politik në vijim në Irlandën e Veriut dhe krijojnë rrezikun e shuarjes së shpresave, që lindën nga ky proces në zonë e në botë. I lutem Zotit që askush të mos ia lejojë vetes të mposhtet përsëri nga tundimi i dhunës, por secili t’i shumfishojë përpjekjet për të vijuar, me durimin e dialogut, ndërtimin e një shoqërie paqësore, të drejtë e të pajtuar”.
E katekizmin e sotëm Papa ia kushtoi pikërisht një njeriu, i cili në kohët e tij pati punuar, e me sukses, për një shoqëri paqësore, të drejtë, ku duhet të mbretëronte pajtimi, që buron nga vlerat e krishtera. Duke folur për ipeshkvin anglosakson, Shën Bonifacin, i cili jetoi 1300 vjet më parë, Benedikti XVI e quajti “misionar i madh”, që predikoi Ungjillin në Evropën qëndrore me rezultate të tilla, sa të mbetej në kujtesën e njerëzimit si ‘apostull i gjermanëve”.
“Ai shartoi në trungun e popujve gjermanikë një stil jete më njerëzor, falë të cilit respektoheshin më mirë të drejtat e patjetërsueshme të njeriut (…). Duke e krahasuar fenë e tij të flaktë e zellin e tij për Ungjillin me fenë tonë, tepër shpesh të vaktë e të burokratizuar, shohim ç’duhet të bëjmë e si duhet ta përtërijmë fenë tonë, për t’i dhuruar kohëve tona, margaritarin e çmuar të Ungjillit”.
Falë këtyre cilësive të mëdha prej apostulli, të cilave u shtohej edhe një kulturë e rafinuar dhe e gjithanëshme, Bonifaci kërkoi e mori leje nga Papa Gregori, i cili e shuguroi ipeshkëv, të nisej për të predikuar Ungjillin në qendër të Evropës, duke hequr dorë nga qetësia e nga studimet e jetës monastike. Nisi kështu një veprimtari të palodhshme, i mbështetur prej murgjërve e murgeshave, nga përshpirtëria e të cilëve vinte e për të cilët themeloi manastire të reja. Ky përkushtim e kjo besnikëri e pacënueshme ndaj Selisë Apostolike, ia ndryshuan faqen Evropës:
“Fryt i këtij impenjimi qe fryma e fuqishme e lidhjes rreth Pasardhësit të Shën Pjetrit, që Bonifaci ua transmetoi Kishave të territorit të misionit, duke bashkuar me Romën Anglinë, Gjermaninë, Francën e duke kontribuar, kështu, në mënyrë vendimtare, për hedhjen e atyre rrënjëve të krishtera të Evropës, që do të prodhonin fryte të begata në shekujt e mëpasëm”.
Shën Bonifaci vdiq martir në vitin 754: por nuk vdiq zelli i tij e stili i tij baritor, në qendër të të cilit ishte gjithnjë Fjala e Hyjit, e as predikimi i tij i pareshtur, që e vijoi deri në moshë të shtyrë. Një stil – pohoi Papa – që u kujton besimtarëve të sotëm se krishterimi, duke favorizuar përhapjen e kulturës, luan një rol të dorës së parë në përparimin e njeriut. E pikërisht mbi zellin e Shën Bonifacit vuri theksin Papa gjatë përshëndetjeve drejtuar grupeve të ndryshme dioqezane, të pranishme në audiencë, duke e treguar si shembull që meriton të ndiqet, posaçërisht në këtë kohë Krezhmësh:
“Miq të dashur, kjo koha jonë, në të cilën nuk mungojnë hijet, duhet ndriçuar nga dielli i gjallë i shpresës, nga Krishti, shpresa jonë. Ai premtoi se do të rrinte gjithnjë me ne e ne e ndjemë praninë e tij në mënyra nga më të ndryshmet. E keni për detyrë ta kumtoni e ta dëshmoni dashurinë e panjollë, që na shoqëron në çdo situatë. Mos u lodhni kurrë s’i besuari Krishtit e s’e përhapuri Ungjillin e tij në çdo mjedis”.
Në përfundim, një çast prekës: Papa, para se të largohej nga audienca, për t’u rikthyer në Pallatin Apostolik, u takua për pak çaste me Gjampiero Stekato-n, një punonjës i hekurudhës së Piaçencës, 58 vjeç, i paralizuar nga ‘sindroma e Locked-in’, ndonëse plotësisht i ndërgjegjshëm. Burri, i shoqëruar nga bashkëshortja, Luçia e nga dy fëmijët, i dorëzoi Benediktit XVI një mesazh në të cilin, ndërmjet tjerash, shkruan: “Dëshiroj të transmetoj atë, që trupi im rrezikon ta ndryjë: kam dëshirë të jetoj! Falënderoj pambarimisht Zotin për privilegjin e të jetuarit.







All the contents on this site are copyrighted ©.