2009-03-10 17:53:34

U përkujtua sot Shën Makario i Jeruzalemit.


(10.03.2009 RV)Kalendari kishtar shënon 14 shenjtorë me këtë emër shumë simbolik që, i përkthyer nga greqishtja në shqip, do të thotë "i lumtur". Makario, për fëmijërinë dhe rininë e të cilit dihet shumë pak, u zgjodh ipeshkëv i Jeruzalemit në vitin fatlum 314, kur Perandori Kostandin mundi Maksencin në Urën e Milvios. Atëherë Ipeshkvi shembi shtyllën që romakët e kishin ngritur mbi tempullin e rrafshuar të Jeruzalemit dhe nxori rishtas në dritë vendet e adhuruara nga mbarë krishtërimi: zonën e Kalvarit dhe Varrin e Krishtit. Atje më vonë do të lartohej bazilika e madhe e Ringjalljes. E po atje do të shkonte si shtegtare e ëma Kostandinit, Elena.
Shenjti mori pjesë në Koncilin e parë ekumenik, kremtuar në Nike, në vitin 325, ku mbajti qëndrim të ashpër kundër gabimeve të Arios, i cili e konsideronte prelatin si një nga kundërshtarët e tij më të rreptë. Dha një kontribut të shquar në hartimin e dokumenteve të Koncilit, duke shkruar edhe Simbolin nikean, Besojmën, që u miratua nga etërit konciliarë. Është po ajo Besojmë, që e shqiptojmë edhe sot e kësaj dite në meshë e në çaste kritike të jetës, për të pohuar besimin në një Hyj, në Atin e gjithëpushtetshëm e në Jezu Krishtin, Birin e Tij, një të vetmin Zotin tonë!







All the contents on this site are copyrighted ©.