2009-03-10 17:39:47

Pas një jave Papa do të shkojë në Afrikë: takim në Sallën e Shtypit të Vatikanit.


(10.03.2009 RV)RealAudioMP3 Pas pak ditësh Papa do të jetë për vizitë në Afrikë, ku do të arrijë më 17 mars, për t’u larguar më 23 të muajit në vijim. Kameruni e Angola janë vendet e zgjedhura për shtegtimin e 11-të apostolik ndërkombëtar të Benediktit XVI. Të shumta motivet që duhen vënë në dukje lidhur me këtë takim të parë të Atit të Shenjtë me Kishën dhe realitetin në Afrikë. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, foli sot për to, gjatë një takimi me gazetarët.
Benedikti XVI për herë të parë përqafon simbolikisht mbarë Afrikën. Është fjala për shtegtimin e 18-të apostolik të një pape në Kontinent. I pari filloi në verën e vitit 1969, kur Pali VI shkeli në trojet e Ugandës. Janë plot 16 shtegtimet apostolike të Gjon Palit II, që vizitoi 42 nga 53 vendet afrikane. Nisin nga viti 1980, për të përfunduar në vitin 2000. Gjatë këtyre shtegtimeve, Papa Vojtila përshkoi shumë zona të Afrikës, duke u njohur nga afër me problemet e tyre të mprehta, si lufta e varfëria, por edhe me humanitetin e thellë e me vlerat kulturore e shpirtërore të këtyre trojeve.
Nuk është hera e parë që Jozef Racinger shkon në Afrikë. Që në vitin 1987, kur ishte kardinal, shkoi në Kinshasa, ku mori pjesë në një takim, në cilësinë e prefektit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Me Kamerunin e Angolën Papa shkel në dy vendet që përfaqësojnë më mirë kulturën e mbarë Kontinentit si dhe gjuhët kryesore që përdor: frëngjishten, anglishten e edhe gjermanishten, për Kamerunin - e portugalishten, për Angolën. Benedikti XVI do të bashkojë simbolikisht edhe dy gjysëmsferat e globit, duke kapërcyer Ekuadorin gjatë kalimit nga Jaunde në Luanda. Ndërmjet çasteve më të rëndësishme gjatë qëndrimit në Kamerun, kujtojmë takimin me ipeshkvijtë afrikanë për dorëzimin e Instrumentum laboris të Sinodit për Afrikën, që do të hapet në Jaondè, për të vijuar, pastaj, në Vatikan, me temë: “Kisha në Afrikë në shërbim të pajtimit, të drejtësisë e të paqes”. Domethënëse edhe takimet në Angolë, vendi i parë afrikan që u ungjillëzua që prej 500 vjetësh. Afrika, e ngarkuar me probleme të vjetra e të reja, përgatitet me gëzim të madh të presë Benediktin XVI, me vështrimin e ngulur nga ardhmëria, pa harruar të kthejë kokën pas, për të vlerësuar e për të mbrojtur pasuritë e saj shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.