2009-03-10 17:42:27

Në Afrikë vriten tre meshtarë katolikë


(10.03.2009 RV)Tre meshtarë katolikë u vranë këto ditë në Afrikë: dy në Afrikë të jugut, dhe një në Burundi. Kështu lajmëroi agjencia Fides. Sidoqoftë duhet thënë me keqardhje se ky lajm nuk nxiti interesin e mjeteve të informimit.
Atë Lionel Sham, 66 vjeç famullitar i Mohlakeng, në kryeipeshkvinë e Johanesburgut, në Afrikë të jugut, u vra me 7 mars, mbasi ishte marrë me dhunë nga shtëpia e tij. Atë Lioneli ishte i njohur për gatishmërinë e tij, zemërgjerë veçanërisht me të varfërit që ia mbushnin plot famullinë.
“Tani mund të bëjmë vetëm një gjë – tha Imzot Buti Tingale, kryeipeshkëv i Johanesburgut, – të lutemi me familjen, me famullinë e Mohlakeng dhe me të gjithë ata që e njihnin dhe e donin Atë Lionelin. Po ashtu me 27 shkurt, gjithmonë në Afrikë të jugut u pat vrarë edhe Atë Daniel Matsela Mahula i dioçezës së Kleksdorpit, ndërsa po niste makinën e tij. Katër banditë e sulmuan në afërsi të qytetit të Blëmhofit. Atë Matsela ishte vetëm 33 vjeç dhe shërbente pranë kishës katolike të Shën Pjetrit në Zhuberton.
Kurse të dielën që shkoi në Burundi u vra Dom Revokat Gahimbare, famullitar. Meshtari u vra nga katër banditë të veshur si policë që po grabitnin kuvendin e murgeshave “Bene Maria”. Me të marrë vesh lajmin, famullitari kishte rendur për të ndihmuar motrat por banditën kishin hapur zjarr duke e lënë të vdekur.
Që të tre këta meshtarë u kanë qëndruar pranë të varfërve, të braktisurve dhe e kryenin misionin e tyre duke rrezikuar me kokë.
Tashmë po prisnin me gëzim vizitën e Papës në kontinentin afrikan dhe Sinodin e Afrikës që do të zhvillohet në tetor, tema e të cilit të sjell ndër mend atë çka vetë këta tre meshtarë bënë në jetë: “Kisha në Afrikë në shërbim të pajtimit e të paqës. Ju jeni kripa e tokës…ju jeni drita e botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.